Investime prej dhjetëra milionë euro në pajisje moderne mjekësore dhe shumica e tyre nuk vihen fare në funksion ose nuk përdoren sa duhet. Sipas raportit të fundit të revizionit arsyet për këtë janë për shkak të mungesës së madhe të kuadrit profesional në spitale, arsimimit të pamjaftueshëm dhe ambienteve të pamjaftueshme për ruajtjen e pajisjeve.
“Për shkak të personelit dhe kushteve hapësinore, pajisjet me vlerë 13 milionë euro nuk janë vënë ende në përdorim. Gjithashtu, pajisjet me vlerë mbi 5.5 milionë euro nuk përdoren në kapacitetin e plotë dhe as nuk shfrytëzohen funksionalitetet shtesë”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Përveç mospërdorimit të pajisjeve, revizorët konstatuan se në spitale të caktuara në të gjithë vendin ka ende mungesë reale pajisjesh, por edhe nevojë për trajnimin e punonjësve për të menaxhuar pajisjet që i kanë në dispozicion.
“Për shkak të burimeve të kufizuara buxhetore, nuk është siguruar asnjë pajisje shtesë e nevojshme për të përdorur të gjitha funksionalitetet e saj. Për disa nga pajisjet e blera, është siguruar trajnim bazë nga prodhuesi, por nevojitet trajnim shtesë i specializuar për punonjës të caktuar shëndetësorë në mënyrë që të jenë në gjendje të përdorin plotësisht pajisjet”, shtuan nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Ndër të tjera, revizorët theksuan nevojën për përmirësim për rregullimin e mëtejshëm të çështjeve që lidhen me përdorimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e kapaciteteve në institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe regjistrimin e situatës së pajisjeve mjekësore në institucionet publike shëndetësore. /Alsat/