Deklaratat e eurokomisarit, Oliver Varheji për ndarjen e mundshme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, kanë shkaktuar një stuhi mospajtimesh në qarqet e BE-së dhe ndërmjet njohësve të ngjarjeve në Evropën Juglindore, shkruan gazeta austriake “Standard”, transmetoi “DW”, përcjlell Nistori.
“Standard” citon një zyrtar të lartë anonim në Komisionin Evropian, i cili thotë se deklaratat e komisionerit hungarez të BE janë të pakuptueshme. “Ne nuk mund ta kuptojmë se çfarë i ndodhi, ne prej moti kemi thënë dhe do të vazhdojmë të themi: Maqedonia e Veriut i përmbush të gjitha kriteret”, tha zyrtari. Ky zyrtar, gjithashtu thotë se është e pakuptueshme pse spekulohet në lidhje me ndarjen e rrugës evropiane të të dy vendeve, kur vendimi do të merret nga Këshilli Evropian, ndërsa atje nuk ka ambicie për ndarje. “Përkundrazi: vende si Danimarka, Holanda, por edhe Gjermania, e cila po hyn në fushatë zgjedhore, kurrë nuk do të pajtohen të fillojnë negociatat vetëm me Shqipërinë.
Nuk përgatitet asnjë ndarje dhe nuk ka masje as nevojë për raport të ri nga komisioni”, thotë zyrtari i BE-së. “Standard” i referohet gjithashtu një studimi të vitit 2017 nga studiuesit Tina Freiburg dhe Tobias Bemelt të cilët arritën në përfundimin se nga kandidatët aktualë dhe potencial vetëm Maqedonia mund të plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në BE deri në vitin 2023. Sipas studimit, Serbia nuk do të jetë gati deri në vitin 2030, ndërsa Shqipëria dhe BiH do të kenë vështirësi të përmbushin standardet e vendosura deri në vitin 2050. Varheji, më 6 maj tha se Bashkimi Evropian mund të fillojë bisedimet e pranimit me Shqipërinë përpara Maqedonisë, nëse nuk gjendet zgjidhje e pranueshme nga të dy vendet me Bullgarinë mbi mosmarrëveshjen historike.