Çështja e ndryshimit të simboleve shtetërore vazhdon të jetë krye-temë në diskurin publik, sidomos pas deklaratave të zv/kryeministrit Izet Mexhiti dhënë në një emision se himni shtetëror mund edhe të ndryshohet dhe të jetë vetëm me muzikë, pa tekst, që ka nxitur reagime të shumta nga pala maqedonase. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, ka sqaruar sot pozicionin e qeverisë, duke mohuar se ka negociata për himnin dhe stemën, por njëkohësisht ka lënë të hapur mundësinë për diskutime të mëtejshme.
Ai tha se fokusi i tyre është programi qeveritar, ku janë përcaktuar shtyllat kryesore. Mexhiti pretendon se nuk ka negociata për himnin dhe stemën shtetërore, por se nuk ka as tema tabu.
“Ekziston një marrëveshje politike për programin qeveritar, i cili ka shtylla të përcaktuara, si zhvillimi ekonomik, standardi i jetesës, integrimet evropiane, rikthimi i shtetit ligjor dhe decentralizimi. Jemi plotësisht të përkushtuar ndaj këtyre shtyllave. Për çështje të tjera nuk ka negociata dhe nuk ka marrëveshje politike, edhe pse nuk ka tema tabu, bisedojmë. Gjithçka që është në interes të qytetarëve, ne e bisedojmë” tha Mexhiti në një deklaratë për mediat.
I pyetur për një heqje të mundshme të tekstit të himnit, ministri tha se “nuk dëshiron të hyjë në diçka për të cilën nuk ka negociata”.
“Mendoj se për momentin kemi tema më të rëndësishme. Nuk fshehim asgjë, kur të ketë diçka konkrete, do ta bëjmë të ditur” theksoi Mexhiti.
Megjithatë, edhe pse himni shtetëror vazhdon të përmendet nga eksponent politik shqiptarë në qeveri, partia më e madhe e mazhornacës, VMRO-DPMNE kategorikisht ka bërë të ditur se tema e himnit shtetëror nuk ka qenë farë në diskutim mes partnerëve të koalicionit. Kjo nuk është hera e parë, që partnerët e koalicionit qeveritar të mos jenë të sinkronizuar në deklaratat e tyre, ndaj Mexhiti u pyet nëse ka mosmarrëveshje brenda koalicionit qeveritar. Mexhiti tha se në Qeveri vendimet i marrin në bazë të debateve dhe argumenteve që shtrojnë palët që janë pjesë e saj.
“Ne kemi një qeveri, por nuk jemi një. Atje jemi të ndryshëm, por mendoj se edhe deri më tani, por edhe më tej kemi treguar dhe do të tregojmë se kemi kapacitet politik që të gjendet zgjidhje në tavolinë me argumente dhe mendoj se do të mbizotërojnë argumentet, ashtu që nuk shoh se ka ndonjë problem për Qeverinë”, u shpreh Mexhiti.
Përndryshe, tema e himnit shtetëror u bë aktuale, pas një deklarate të mëparshme nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili kishte thënë se në momentin e hapjes së temës së stemës shtetërore, koalicioni VLEN është i gatshëm të diskutojë për gjithçka, përfshirë edhe ndryshimin e himnit. Pas akuzave nga partia opozitare LSDM, javën e kaluar reagoi partia në pushtet VMRO-DPMNE me një deklaratë ku theksoi se nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë diskutim për ndryshimin e himnit. Më parë, LSDM e kishte akuzuar pushtetin se po e devijon vëmendjen e opinionit nga kriza ekonomike duke imponuar tema si ndryshimi i stemës dhe himnit.
Ndërkohë edhe BDI ndan qëndrimin se qeveria e defokuson opinionin me temën e stemës, ndërsa vendi vazhdon të jetë në izolim, kurse qytetarët luftojnë për mbijetesë.
“Familjet e zakonshme nuk mund të përballojnë më koston e jetesës, ndërsa qeveria vazhdon të merret me çështje të pavlera dhe debate të qëllimshme si ajo e stemës për të shmangur vëmendjen nga dështimet e saj. Inflacioni i pakontrolluar ka shkatërruar fuqinë blerëse, qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë për të siguruar nevojat bazë, por nuk marrin asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore për të lehtësuar barrën e qytetarëve që sot ndodhen në prag të mbijetesës. Në vend që të merret me politikat e duhura për të përmirësuar jetën e njerëzve, qeveria po e zhyt vendin edhe më thellë në izolim”.
“ZGJEDHJET LOKALE DHE LIGJI PËR PRFAQËSIMIN E DREJTË DHE ADEKUAT”
Zëvendës kryeministri Izet Mexhiti, njëherësh edhe kryetar I LD-së, pjesë e koalicionit VLEN, bëri me dije se partnerët e qeverisë do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën në zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti. Megjithatë, Mexhiti tha se bashkëpunimi do të jetë vetëm në raundin e dytë, aty ku të shihet nevoja për mbështetje.
“Prej viteve të 90-ta e deri më sot, në vazhdimësi partnerët e qeverisë, siç janë edhe partnere në opozitë, kanë mbështetur njëri tjetrin sipas nevojës, ashtu që edhe kësaj radhe nuk do të ketë përjashtim. Parnerët e qeverisë do të mbështeten aty sipas nevojës, mirëpo do të dalin me lista të veçanta për këshilltarë, ndërsa kandidatët në raundin e dytë do të përkrahen aty kush ka ku ka nevojë”, theksoi Mexhiti.
Sa i përket ligjit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, të cilin subjektet politike shqiptare në qeveri e paralajmërojnë që nga muaji tetor, kur edhe u shfuqizua Balancuesi, zv.kryeministri Mexhiti shkurtimisht tha se projekt-ligji në fjalë është në fazën finale.
“Është duke u finalizuar, së shpejti do të jeni të informuar еdhe për përmbajtjen edhe për procedurën”, u shpreh Mexhiti.
GJYQËSORI NË FOKUSIN E QEVERISË
Ndërkohë që, Ministria e Drejtësisë është duke përpiluar propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit Ljupço Koceskit, i cili duhet ti dërgohet Këshillit të Prokurorëve, në mënyrë që ato të deklarohen për të njëjtën, Mexhiti u pyet nëse qeveria do të vendos në seancë të Qeverisë të martën e ardhshme. Mexhiti u përgjigj pozitivisht: “Nëse procedura zbatohet plotësisht, po”.
I pyetur se a po bisedojmë se kush duhet të jetë kryeprokuror i ardhshëm, Mexhiti bëri të ditur se si qeveri nuk kanë biseduar për emra të përvetshëm.
“Në princip nuk flasim për emra, por flasim se duhet të jetë profesional, i përkushtuar, që do të kontribuoj që të kthehet besimi i qytetarëve në gjykata dhe prokurori”, theksoi zv/kryeministri.
Sa i përket çështjes së ish-zv/kryeministrit Artan Grubi, i cili vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e rendit, Mexhiti theksoi se për Grubin duhet të pyetet lideri i BDI-së Ali Ahmeti, pasi sipas Mexhitit, Ahmeti e di vendndodhjen e saktë të Grubit “Pyeteni z. Ahmeti, ai e di saktë ku ndodhet. Ashtu deklaroi publikisht. Unë i njoh prej brenda dhe e di se si funksionojnë dhe e shoh se ende janë nën ndikim të atij”, theksoi Mexhiti. /Koha/