Parkingu në kate i premtuar tash e tetë vite nga komuna e Tetovës, si duket nuk do të realizohet as këtë mandat. Edhe pse mjetet u ndanë dhe lokacioni pas tetë vitesh u caktua, për ndërtimin e tij kanë reaguar banorët e lagjes, pallatet e të cilëve, me ndërtimin e këtij parkingu, do mbeteshin pa hapësirën e gjelbër, pa dritë dielli dhe me vështirësi hyrje daljeje nëpër pallate.
“Parkimi nëntokësor ishte një nga premtimet kryesore gjatë fushatës parazgjedhore para se të zgjidhej për herë të dytë kryetare e komunës së Tetovës, zonja Teuta Arifi. Megjithatë, kaloi edhe ky mandat dhe parkingje nëntokësore nuk u bënë, u vendos që të bëhet garazh në kate. Fillimisht u bisedua për qendrën sportive, pastaj si vend më i përshtatshëm tek stadiumi i qytetit, dhe në fund u ndërrua, u tha që ky vend është më i përshtatshëm për ndërtimin e garazhit në kate. Por punët në terren assesi të nisen”.
Banorët shprehen skeptikë se komuna do të gjejë zgjidhje për ndërtimin e parkingut.
“Tash vështirë se do bëhet, shumë vështirë, kjo ishte vetëm marketing parazgjedhor”.
“Jo jo marketing është kjo, të kishin dashur vërtetë ta bëjnë deri më tani do e kishin bë edhe atë jo një dhjetë do kishin bërë”.
“Nuk besoj në atë se do e bëjnë. komuna asnjëherë jo”.
“S’ka shanse të bëhet, s’besoj. Jo katër vjet po edhe katër me ja dhanë pas këtyre s’ka shansë të bëhet”.
Të pyetur nga Alsat, në Komunën e Tetovës, janë shprehur se vonesat e fillimit të ndërtimit të parkingut në kate janë si pasojë e kundërshtimit të banorëve dhe peticioneve të dërguara, për të cilat, pritet të ulen për të gjetur kompromis mes palëve. Përndryshe, për realizimin e këtij projekti, janë ndarë rreth 850 000 euro, por banorët kanë bllokuar fillimet e punëve, duke kërkuar ndërtimin e parkingut nëntokësorë, ndërsa vendi që planifikohet për parking, të bëhet park për rreth 1000 banorët që jetojnë në këtë lagje. /Alsat/