Hyrja e orarit fleksibël të punës dhe mundësive për punë nga distanca, që do t’i ndihmojë gratë të balancojnë detyrat familjare dhe ato profesionale, ofrimi i shërbimeve financiare për kujdesin e fëmijëve, investime në objekte për kujdesin e fëmijëve dhe qendra ditore, së bashku me kampanja për promovimin e përdorimit të këtyre shërbimeve, janë disa nga rekomandimet e analizës së titulluar “Si të përballojmë sfidat e padukshme, por të përditshme të grave joaktive në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut?”, realizuar nga hulumtuesit e Institutit për Hulumtime Ekonomike dhe Politika “Finance Think”.
Analiza ka përcaktuar se në vendin tonë ekzistojnë katër faktorë kyç që kontribuojnë në aktivizimin më të ulët të grave në tregun e punës, si stereotipet gjinore, qëndrimet ndaj punës, normat kulturore për kujdesin e fëmijëve dhe normat kulturore për detyrat shtëpiake.
“Rezultatet tregojnë se gratë në vend kanë një probabilitet nga 8.8 për qind deri në 22.3 për qind më të lartë për të qenë joaktive, me moshën, arsimimin dhe martesën si parashikues të rëndësishëm. Stereotipet më të forta gjinore rrisin joaktivitetin, ndërsa qëndrim pozitiv ndaj punës e ul atë. Prania e fëmijëve gjithashtu luan një rol të rëndësishëm, por jo aq sa qëndrimet kulturore specifike që lidhen me ta”, thuhet në hulumtim.
Ndërkaq, sipas analistëve, është e domosdoshme zhvillimi i politikave për orar fleksibël pune dhe mundësi për punë nga distanca, që do t’i ndihmojnë gratë të balancojnë detyrat e punës dhe ato familjare.
“Mbështetja për nënat e vetme, përfshirë ndihmën financiare dhe mundësitë për përmirësimin profesional, do të ndihmojë në reduktimin e ndikimit të normave kulturore konservative. Fushatat edukative për barazinë gjinore dhe për eliminimin e stereotipeve të thella gjinore janë thelbësore. Krijimi i një kulture pune në kompani që promovon diversitetin gjinor dhe mundësi të barabarta për avancim mund të përmirësojë angazhimin e grave në tregun e punës”, theksojnë analistët.
Ndërsa, sipas ekonomistëve, për të rritur përfshirjen e grave në tregun e punës, është e nevojshme të përmirësohen kualifikimet dhe aftësitë e tyre përmes investimeve në arsim dhe formim profesional.
“Mbështetja për gratë që marrin ndihmë sociale, veçanërisht në komunitetet margjinalizuara, do t’u ndihmojë atyre të thyejnë ciklin e ulët të arsimit dhe joaktivitetit. Duke zbatuar këto rekomandime, vendi mund të përballojë sfidat komplekse që kontribuojnë në joaktivitetin e grave në tregun e punës, duke krijuar një forcë punëtore më të drejtë që mund të kontribuojë aktivisht në ekonomi. Gratë me nivele më të larta arsimimi kanë më pak gjasa të heqin dorë nga puna për arsye familjare ose të tjera. Kjo tregon se edukimi ofron siguri ekonomike dhe më shumë liri për gratë për të mbetur aktive në tregun e punës. Gjithashtu, gjendja martesore është një parashikues i rëndësishëm, pasi martesa përgjithësisht ul probabilitetin e joaktivitetit, ndoshta për shkak të stabilitetit financiar që sjell bashkëjetesa. Megjithatë, prania e fëmijëve në familje mund ta rrisë probabilitetin e joaktivitetit”, theksohet në analizë.
Gjithashtu, në analizë thuhet se stereotipet gjinore, qëndrimet ndaj punës dhe normat kulturore lidhur me kujdesin për fëmijët dhe detyrat shtëpiake luajnë një rol të rëndësishëm në joaktivitetin e grave në tregun e punës.
“Për gratë nga 18 deri në 34 vjeç, qëndrim negativ ndaj punës parashikon ndjeshëm joaktivitetin, duke treguar se perceptimet e reja mbi punën ndikojnë në aktivitetin e tyre. Në grupin e moshës 35 deri në 49 vjeç, qëndrim negativ vazhdon të ketë një rol, me një efekt më të madh, ndërsa fillojnë të ndihen edhe stereotipet gjinore, duke treguar një presion të rritur. Për gratë nga 50 deri në 64 vjeç, qëndrimet ndaj punës dhe normat kulturore tradicionale ndikojnë ndjeshëm në joaktivitet. Qëndrimet konservatore lidhur me detyrat shtëpiake krijojnë një presion të konsiderueshëm, veçanërisht për shkak të historisë së tranzicionit, e cila la shumë gra pa punë në vitet e 90-ta”, thuhet në analizën e Institutit për Hulumtime Ekonomike dhe Politika “Finance Think”. /Koha/