Jo vetëm çështja e diasporës, ZNAM i ka reaguar VLEN-it edhe për përdorimin e flamurit shqiptar në Qeveri, madje e kanë kundërshtuar edhe themelimin e akademisë shqiptare për shkencë dhe artë. Por deri ku mund të shkojnë këto mospajtime mes këtyre dy partnerëve të koalicionit, përcjell Nistori.
Kryetari i AAA Zeqirija Ibrahimi në Daily Click tha se ZNAM-in nuk e ndal askush, lirisht le ta braktisin Qeverinë.
Ky shtet nuk ec rrugës nga Beogradi, por ec rrugës nga Berlini e nga Parisi, tha mes tjerash Ibrahimi në komentin e deklaratës së ministrit për Marrëdhënie mes Bashkësive, Ivan Stoillkoviç, i cili tha se është putinist.
Ibrahimi thotë se ai nuk është produkt i këtij koalicioni, por që në qeveri ka qenë që nga periudha kur në pushtet ishte VMRO-ja dhe BDI-ja.
“Kemi deklaruar edhe më parë, siç është ajo thënia e Skënderbeut kur kthehet në Krujë që “Lirinë nuk e solla unë, por atë e gjeta në mesin tuaj”, kjo i bie të themi se Stoilkoviçin nuk e sollëm ne, atë e gjetëm mes jush. Stoillkoviçi nuk është prodhim i joni, ai është aty për shkak që aty ka qenë vazhdimisht, por sot po e shohim ne”, deklaroi Ibrahimi.
Ibrahimi thotë se ai edhe pse është pjesë e koalicionit qeverisës, nuk ka fuqi që ta ndryshojë kursin euroatlantik të vendit.
“Realisht nuk ka mundësi që për shkakun e tij, të ndryshojë kursi euroatlantik i këtij vendi, shumë më shpejtë ai mund të shkojë në Rusi, sesa të ndryshojë kursi i Maqedonisë së Veriut”, pohoi Ibrahimi. /Nistori/