Stoltenberg: Ballkani është strategjikisht i rëndësishëm për NATO-n, por ka vend për shqetësim

    NATO duhet të kontrollojë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërkoi kryeministri shqiptar Edi Rama. Në takimin në Shkup me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, dhe udhëheqësit e vendeve anëtare të Aleancës Veriatlantike nga rajoni, Rama theksoi se ngjarjet në Banjskë nuk duhet të përsëriten. Ai beson se kufiri nuk kontrollohet siç duhet dhe shërben për veprimtari të paligjshme, siç është kontrabanda e armëve dhe drogës.

    Gjatë turneut mini ballkanik, Stoltenberg njoftoi për rritje të pranisë së NATO-s në Kosovë me një mijë trupa shtesë. Ai tha se ka disa arsye për shqetësim në lidhje me situatën e sigurisë në rajon.
    “Rajoni është strategjikisht i rëndësishëm për NATO- n, por ka arsye për shqetësim. Shohim kërcënime në Bosnjë- Hercegovinë, një situatë të brishtë sigurie në Kosovë dhe mungesë normalizimi midis Beogradit dhe Prishtinës. Mbi të gjitha, shtetet autoritare si Rusia po përpiqen të minojnë demokracitë tona me kërcënime kibernetike dhe hibride”, tha Jens Stoltenberg – Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

    Kryeministri Kovaçevski, duke folur për sigurinë në Ballkan, tha se gatishmëria e NATO-s është në një nivel shumë më të lartë se përpjekjet e individëve dhe organizatave për të destabilizuar.

    “Situata e sigurisë në vendin tonë është e qëndrueshme dhe nuk ka shenja të ndonjë shkeljeje të saj”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

    Në takimin joformal të liderëve, ku morën pjesë Presidenti kroat Zoran Millanoviq dhe Kryeministri malazez Milojko Spajiq, Rama propozoi krijimin e një formati të ri sigurie që do të përfshinte gjithashtu Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Sipas tij, këto tre vende, si dhe vendet anëtare të NATO-s nga Evropa Juglindore, duhet të ulen në një tryezë të përbashkët për çështjet e sigurisë, por kjo do të varet gjithashtu nga vullneti dhe dëshira e Prishtinës, Beogradit dhe Sarajevës. Stoltenberg njoftoi se do ta konsiderojë një nismë të tillë të re. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale”

    Lajmi i rradhës

    “Tatimi solidar” të premten bllokon llogaritë bankare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë