Struganët akuzojnë Komunën se nuk u ka paguar për pronat

    Banorët e Strugës akuzojnë komunën se nuk u ka paguar asnjë qindarkë për pronat, që u ka marrë disa vite më parë me shpronësim. Bëhej fjalë për hapjen e rrugëve. Kujtim Tairi thotë se kur ka filluar procedura në vitin 2007, ka qenë në Zvicër dhe askush nuk i ka njoftuar për qëllimet e autoriteteve lokale. Ata u ankuan në gjykatë, e cila vendosi që komuna ta kthejë tokën në gjendjen e saj origjinale. Bëhet fjalë për rreth 10.000 m2.

    “Ramizi nuk e ktheu në gjendjen e mëparshme. Pastaj shkuam për të kërkuar dëmshpërblim. Në atë kohë na ofroi 47 euro për metër katror. Unë nuk u pajtova me këtë dhe shkova në gjykatë. Gjykata vendosi për 92 euro. Nëse nuk paguhen brenda 30 ditëve, duhet të ketë normë interesi”, tha Kujtim Tairi- banor nga Struga.

    Gjykata e Apelit në Manastir ka konfirmuar vendimin e gjykatës së Strugës. Për 800 metra katrorë, komuna së bashku me normë interesi është dashur t’i paguajë rreth 90 mijë euro. Por as kjo nuk ndodhi.

    “Shkoj në komunë, më thonë – po të duash për 35 euro. I them – kam vendim gjyqësor. Çfarë vendimi gjyqësor – nuk vlen. Ajo që unë ju them, nëse doni, nëse nuk doni – nuk do t’i merrni kurrë ato”, u shpreh Kujtim Tairi – banor nga Struga.

    Këta qytetarë thonë se nuk do të lejojnë të shtrohet asnjë metër asfalt, derisa të dëmshpërblehen sipas vendimit të drejtësisë. Në vitin 2019 është marrë vendim për arkëtim të detyrueshëm të borxhit, por komuna e ka injoruar. Alsat ka kërkuar qëndrim nga pushteti lokal në Strugë, por nuk janë përgjigjur. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Refugjatët nga Ukraina ankohen për kushtet në Maqedoni

    Lajmi i rradhës

    QMBN demanton anketën që u publikua në portale: Nuk ka asnjë sondazh për vlerësimet e partive politike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë