Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami sot para gazetarëve tha se fillimisht duhet të formohen grupet e punës dhe pastaj do të shohim një pasqyrë më të qartë për zgjidhjen e problemit të studentëve, shkruan Nistori.
“Koha e zgjidhjes do të varet nga grupet e punës, të cilët do të merren me ofrimin e zgjidhjes konkrete se si kjo çështje të zgjidhet, domethënë nga takimi i parë të grupit të punës do të kemi edhe pasqyrën më të qartë se kur dhe si do të mund të zgjidhet kjo çështje”, tha Kasami.
Kasami tha se grupet e punës ende nuk janë formuar por, siç thotë, këto ditë do të formohen. Ai shtoi se studentët kanë të drejtë që provimin e jurisprudencës të japin në gjuhën amtare.
Sali: nuk kam premtuar ligj të ri për provimin e jurisprudencës, por do bëjmë çmos që provimi të jepet në gjuhën shqipe
Zv. kryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali ka demantuar thëniet se ka premtuar ligj të ri për provimin e jurisprudencës.
“Nuk mund të ketë ligj të ri për jurisprudencën. Ligji i ri, për shkak se ekziston ligji. Në asnjë komunikim me studentët nuk kam premtu ligj të ri. Por, kam thënë që do të bëjmë çmos që ju ta jepni provimin në gjuhën shqipe”, deklaroi Sali nga radhët e VLEN në emisionin “Rishtazi” në “Kohacast”.
Sali ka komentuar edhe dallimet midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket konfliktit në Iran. Sipas tij, Maqedonia e Veriut, nuk sheh dallime midis këtyre dy aleancave.
Edhe deputetja nga radhët e VLEN-it, Mimoza Musa, deklaroi ditë më parë se në vend të një rezolute pa peshë juridike, janë ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e çështjes së dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ajo në “Shenja” bëri të ditur se është formuar një grup punues në kuadër të qeverisë, i cili do t’i shqyrtojë të gjitha ligjet që lidhen me këtë çështje.
“Në parim jam për të mbështetur gjithçka, flas personalisht si deputete. Në vend që të nënshkruajmë një rezolutë që nuk ka peshë juridike, kemi ndërmarrë hapa konkretë për ta zgjidhur këtë problem, duke krijuar një grup punues brenda qeverisë që do t’i analizojë të gjitha ligjet.
Në dijeninë time ekziston një rregullore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e cila parasheh që certifikatat e noterit dhe juristit të mund të kërkohen në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip, por nuk është precizuar se në cilën gjuhë mund të jepet provimi. Ne po punojmë që të mos lëmë hapësira për zgjidhje gjysmake dhe që kjo çështje të mos mbetet për qeveritë e ardhshme”, deklaroi Musa.
Komunikata e djeshme e VLEN
Nga VLEN në një kumtesë për media thonë se “kur studentët dalin në protestë, kjo flet më shumë për dështimin e atyre që për vite kishin pushtetin, sesa për ata që sot po punojnë për të gjetur zgjidhje”.
Nga VLEN gjithashtu thonë se BDI sot po e instrumentalizon pakënaqësinë e studentëve dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga një problem që vetë e ka lënë zvarrë.
“Kjo është skandaloze. Kishte ministra, institucione, mekanizma dhe gjithë pushtetin e nevojshëm për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Nuk e bëri. Jo pse nuk mundi, por sepse ishte e zënë me hajni, me Soravi, me blerje pronash dhe me pazare për llogari të klikës së vet. VLEN e konsideron protestën e studentëve si shprehje legjitime ndaj një padrejtësie që nuk duhej të zgjaste kaq shumë. Zëri i tyre duhet dëgjuar, jo të përdoret si vegël propagandistike nga ata që vetë e krijuan problemin”.
“Ne nuk do të bëjmë atë që është bërë për vite me radhë. Të flitet shumë dhe të mos zgjidhet asgjë. Për çështjen e mundësisë që të diplomuarit në juridik ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje të qëndrueshme, ligjore dhe institucionale. Jo arnim. Por zgjidhje. Politika gjuhësore në vend është ndërtuar mbi zgjidhje gjysmake. Dhe ligjet gjysmake japin padrejtësi të plota. Pikërisht për këtë, sot nevojitet vullnet për ta mbyllur këtë plagë, jo lot krokodili nga ata që e mbajtën hapur për dy dekada”, thonë nga VLEN.
“Dallimi është si toka me qiellin. BDI i përdori shqiptarët si mburojë për të vjedhur, për t’u pasuruar dhe për ta mbrojtur korrupsionin e vet, ndërsa ne i trajtojmë si amanet. Andaj, u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë të mos fshihen pas studentëve dhe të mos i përdorin për interesa ditore”, thonë nga VLEN.
(05/04/2026)
Mexhiti: ligji i Gjuhëve është gjysmak, protestat studentore janë alarm për dukuritë shoqërore që duhet të trajtohen në tërësi
Një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po trajtohet politika gjuhësore në Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar atë si të paplotë dhe të pamjaftueshme për një shtet multietnik.
Sipas tij, në shtete me përbërje të larmishme etnike, përgjegjësia kryesore bie mbi elitën politike dhe shoqërore që të ndërtojë politika të qëndrueshme ligjore dhe institucionale, të cilat pasqyrojnë realitetin multietnik dhe frymën e diversitetit në çdo segment të shoqërisë.
Mexhiti thekson se ligji aktual për gjuhët është “gjysmak”, duke paralajmëruar se zgjidhjet e pjesshme prodhojnë pasoja të pjesshme dhe nuk adresojnë problemin në thelb.
Në këtë kontekst, ai e sheh protestën e paralajmëruar studentore si një moment kyç për reflektim dhe ndërgjegjësim.
“Protesta e nesërme nuk duhet parë si akt politizimi, por si një thirrje për vetëdijësim për të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë, që të kontribuojnë në ndërtimin e zgjidhjeve më të mira ligjore dhe politikave afatgjata,” thekson ai.
Sipas Mexhitit, protestat studentore historikisht kanë shërbyer si sinjal alarmi për problemet shoqërore, të cilat institucionet dhe politika kanë detyrim t’i trajtojnë në mënyrë të plotë dhe të përgjegjshme.
Ai apelon që në vend të retorikës politike, të ketë një qasje serioze dhe gjithëpërfshirëse ndaj çështjes së gjuhës, në mënyrë që të sigurohet barazi reale dhe funksionale për të gjithë qytetarët.
(05/04/2026)
VLEN: BDI po manipulon me problemet që vetë i ka krijuar, ndërsa ne punojmë për t’i zgjidhur ato
Koalicioni VLEN përmes një komunikate thekson se për këto gati dy vite në opozitë, BDI nuk ka lënë gjë pa keqpërdorur.
Ndër të tjera, VLEN akuzon BDI-në edhe për keqpërdorimin e protestës studentore.
“Sot, pa asnjë kredibilitet moral, përpiqet të instrumentalizojë edhe një çështje që vetë e ka lënë peng. E njëjta parti, me disa ministra të Drejtësisë, sot derdh lot krokodili për një problem që nuk e zgjidhi kur e kishte gjithë pushtetin në dorë. Njëkohësisht, është për t’u habitur se si gjatë 20 viteve pushtet të BDI-së, kur arsimi u nëpërkëmb dhe shumë padrejtësi mbetën pa zgjidhje, nuk u pa as edhe një protestë. Sidoqoftë, na vjen mirë që sot, me VLEN-in në qeveri, studentët dhe shoqëria në përgjithësi flasin më lirshëm dhe i artikulojnë hapur kërkesat e tyre. Kjo është dëshmi e një klime tjetër politike. Të diplomuarit në juridik, të cilët synojnë ta japin provimin e jurisprudencës, kanë zhvilluar takime, vërejtjet e tyre janë dëgjuar dhe tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje sistemore. Në këtë drejtim, ashtu siç kemi thënë disa herë më parë, është formuar një grup pune me ekspertë të fushës, i cili po shqyrton të gjitha aspektet juridike dhe institucionale, me qëllim që kjo çështje të marrë një zgjidhje të drejtë, të zbatueshme dhe afatgjate. Padrejtësitë që i lanë zvarrë për vite nuk zgjidhen duke derdhur lot krokodili, por me punë, përgjegjësi dhe vendime konkrete.Ky është dallimi mes nesh dhe tyre. BDI manipulon me problemet që vetë i ka krijuar, ndërsa VLEN punon për t’i zgjidhur ato. Ashtu siç zgjidhëm edhe çështje të tjera që ata i lanë peng, sikurse problemin e medresantëve, edhe këtë çështje do ta zgjidhim”, reagon VLEN.
(05/02/2026)
Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami garantoi se do ta zgjidhin çështjen e provimit të jurisprudencës që të mbahet edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase.
Kasami tha se janë në bisedime në qeveri për këtë problematikë të ngritur nga studentët, që siç tha ta zgjidhin.
“Nuk është që bëjmë zhurmë apo bujë të madhe në opinion, por ajo që mund të garantojmë që kjo çështje do të zgjidhet në interes të studentëve”, tha Kasami.
Ai tha se përderisa gjithë procesi edukativo-arsimor shkon në gjuhën shqipe deri në universitet, edhe këto privime profesionale duhet të ketë mundësi që krahas gjuhës maqedonase të bëhen edhe në gjuhën shqipe.
Po çfarë thotë kryeministri Hristijan Mickoski dhe Ministria e Drejtësisë për jurisprudencën?
Qeveria ka informuar aleatët e saj në NATO dhe në BE për një përpjekje destabilizimi nga opozita gjatë protestës së djeshme në Shkup, ku studentët kërkuan që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe. Këtë e bëri të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke shtuar se prania e një numri të madh aktivistësh të opozitës dhe zyrtarëve të lartë i dha protestës një konotacion politik.
“Dje pamë një numër të madh aktivistësh të opozitës dhe zyrtarësh të lartë në protestë, duke i dhënë asaj një konotacion politik. Ne i informuam aleatët tanë në NATO dhe në Bashkimin Europian për këtë, si një përpjekje të opozitës për destabilizim në një formë të caktuar, dhe mendoj se kjo nuk u pranua nga përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Drejtësia tregohet kokëfortë ndaj studentëve shqiptarë: jurisprudenca jo në gjuhën shqipe
Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësim për tentativat e manipulimit politik në protestën e së hënës, lidhur me moszbatimin e paralajmëruar, siç pretendojnë demonstruesit, të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në shqyrtimin e parë gjyqësor.
“Ministria e Drejtësisë respekton të drejtën për të protestuar si një nga të drejtat themelore demokratike të çdo qytetari. Shprehja e lirë e pikëpamjeve dhe iniciativave përmes tubimeve publike është një segment i rëndësishëm i një shoqërie demokratike dhe kontribuon në avancimin e dialogut publik. Megjithatë, na vjen keq që protesta tregoi edhe një herë përpjekje për manipulimin e qytetarëve nga struktura politike që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në krijimin e një gjendjeje të rënduar në sistemin e drejtësisë. Veprimet e tyre në kuadër të protestave aktuale ngrenë dyshime për tentativa manipulimi publik dhe përdorim të retorikës etnike për arritjen e qëllimeve afatshkurtra politike. Provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe nuk përbën procedurë administrative, por një mekanizëm për sigurimin e cilësisë dhe ekspertizës në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Studentët shqiptarë u mblodhën të hënën tek Ura e Gurit në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe. Ata i kanë bërë thirrje ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, që të respektojë ligjin dhe t’u mundësojë dhënien e provimit në gjuhën e tyre amtare. /Nistori/






