Recesioni global i sundimit të ligjit është përshpejtuar, sipas Indeksit të ri të Sundimit të Ligjit të WJP (Projektit Botëror i Drejtësisë). Një numër i madh (prej 68 për qind) i vendeve pësoi rënie në sundimin e ligjit në vitin 2025, krahasuar me 57 për qind në vitin e kaluar. Zgjerimi i tendencave autoritare – përkatësisht një reduktim i hapësirës qytetare dhe dobësim i kontrolleve dhe balancave – ka qenë forca kryesore pas kësaj rënieje, me rënie të thella të faktorëve që matin Kufizimet mbi Pushtetet Qeveritare, Qeverisjen e Hapur dhe të Drejtat Themelore, shkruan gazeta KOHA.
Më keq se Mongolia dhe më mirë se Indonezia, Maqedonia e Veriut renditet e 64 -ta mes 143 vendeve, një pozicion i përmisëruar nga vitet e kaluara, por që ende është shumë larg demokracive të tjera. Në pasqyrën e matjeve të bëra nga WJP gjatë periudhës 2015-2025, rëniet dhe uljet, Maqedonisë i duhet rrugë për të bërë për të arritur në pozicionin që mbante në vitin 2015. Sa i takon rajonit, Maqedonia është diku në mes. Më poshtë sesa Mali i Zi (55) e Kosova (59) dhe duke lënë pas Shqipërinë dhe Serbinë, vende të rajonit të ranguara shumë poshtë. Indeksi i Sundimit të Ligjit të WJP është burimi kryesor në botë i të dhënave origjinale dhe të pavarura të sundimit të ligjit për 143 vende dhe juridiksione.
“Përkeqësimi i vazhdueshëm i sundimit të ligjit ishte ngadalësuar vitet e fundit. Megjithatë, këtë vit shohim një përmbysje të ndjeshme – më shumë vende po shënojnë rënie dhe më pak po përmirësohen”, ka deklaruar të martën Alejandro Ponce, drejtor Ekzekutiv i WJP.

Korrupsioni, pushteti pa kufij i pushtetarëve, transparenca, gjyqësor i dobët…. janë treguesit që mbajnë peng sundimin e ligjit. Më keq Maqedonia është në Kufizimet ndaj Pushtetit të Qeverisë – vendi 94 – tregues që mat në çfarë mase pushteti ekzekutiv – janë të kufizuar nga ligji, institucionet e pavarura dhe mekanizmat e kontrollit demokratik. Korrupsioni – në vendin 71, Zbatimin e Rregulloreve, Drejtësinë Civile dhe Penale. Në Zbatimin e Rregulloreve renditemi në vendin 96 në botë, në Drejtësinë Civile, tregues që mat në çfarë mase njerëzit kanë qasje të drejtë, të barabartë dhe efektive për të zgjidhur mosmarrëveshjet civile përmes sistemit gjyqësor, renditemi të 76-ët, ndërsa në atë Penale në vendin e 73-të.
Indeksi tregon se sistemet gjyqësore po humbasin terren përballë ndërhyrjeve të pushtetit ekzekutiv, me një rritje të ndikimit politik në sistemet e drejtësisë. Treguesit që matin nëse gjyqësori kufizon pushtetin ekzekutiv dhe nëse drejtësia civile dhe penale janë të lira nga ndikimi i papërshtatshëm qeveritar ranë përkatësisht në 61%, 67% dhe 62% të vendeve.
Dispariteti midis përmirësimeve dhe rënieve të sundimit të ligjit po zgjerohet. Në vitin e kaluar, vendet që u përmirësuan panë një rritje mesatare të rezultatit prej 0.52%; ndërkohë, vendet që u përkeqësuan panë një rënie mesatare prej dyfishi të kësaj: 1.07%. Ky ndryshim thekson se ndërsa ndërtimi i institucioneve elastike të sundimit të ligjit mund të jetë një proces i gjatë dhe përsëritës, çmontimi i tyre mund të ndodhë me shpejtësi. Në një kuptim më të gjerë, drejtësia civile është dobësuar në 68% të vendeve. Kjo rënie pasqyron vonesa më të gjata, alternativa më pak efektive ndaj gjykatave (si ndërmjetësimi), dhe ndërhyrje më të mëdha të qeverisë.
Në krye të renditjes globale qëndrojnë Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia, të cilat ruajnë pozitat tradicionale si vendet me nivelin më të lartë të sundimit të ligjit në botë. /Koha/






