Sundimi i së Drejtës – Ende shumë punë për t’u bërë

    Një nga kriteret më të theksuar për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, janë reformat në gjyqësor të cilat Maqedonia e Veriut duhet t’i zbatoj para se të bëhet anëtare e plotë e BE-së. Derisa edhe detyrimi më i rëndësishëm është rikthimi i besimit te qytetarët në gjyqësor, pasi që sipas një sondazhi të fundit nga “Eurothink”, ka rezultuar se qytetarët e RMV-së kanë vetëm 8 për qind besim në gjyqësor.

    VËREJTJET DHE KRITIKAT MBI SUNDIMIN E LIGJIT
    Në raportin e fundit të progresit nga Komisioni Evropian ndaj Maqedonisë së Veriut, janë dhënë disa vërejtje, derisa KE edhe ka duartrokitur disa arritje të Maqedonisë së Veriut, sa i përket sundimit të ligjit në vendin tonë. Raporti Progresit ka nënvizuar se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është ende një çështje shqetësuese. Në raportin e progresit, thuhet se Maqedonia e Veriut ka arritur një shkallë të caktuar gatishmërie dhe është mesatarisht e gatshme të zbatojë ligjin e BE-së dhe standardet evropiane në këtë fushë.

    “Në përgjithësi, RMV ka bërë disa përparime, duke përfshirë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. Ligji për Prokuroritë Publike vazhdoi të zbatohej në mënyrë të vazhdueshme, duke siguruar përgjegjësi për krimet që lindin dhe lidhen me përgjimet e paligjshme që kanë ndodhur për disa vite me radhë. Kjo ka çuar veçanërisht në gjykime të rëndësishme në çështje të personaliteteve të larta”, thuhet në Raportin e Progresit. Gjithashtu aty theksohet se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ka vazhduar të kryejë në mënyrë proaktive funksionin e tij.

    “Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë detyrimet e saj të përgjithshme në lidhje me të drejtat themelore, por ka sfida në zbatimin e legjislacionit ekzistues. Sistemi i drejtësisë ka treguar përkushtimin e tij për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e tij. Është e rëndësishme të sigurohet që gjyqësori të mbrohet nga çdo rrezik apo perceptim i ndërhyrjes së padrejtë nga jashtë”, thuhet në Raportin e Progresit. Profesoresha universitare, Kaltrina Zekolli-Shaqiri ka deklaruar se vendi ynë e ka për detyrë që sa më shpejt t’i bëjë reformat në gjyqësorë.

    “Maqedonia e Veriut gjithmonë duhet t’i harmonizon qoftë legjislacionin apo metodat e punës së institucioneve shtetërore me praktikat bashkëkohore evropiane. Sundimi i ligjit është çështje vendimtare për kthimin e besimit të qytetarëve te sistemi i së drejtës, shtimin e efikasitetit, profesionalizmit, transparencës dhe integrimin e sistemit gjyqësor. Gjithashtu duhet përfshirë edhe metodën e llogaridhënies që garanton disiplinë në punë dhe përgjegjësi individuale në procesin e vendimmarrjes”, ka deklaruar profesoresha Kaltrina Zekolli-Shaqiri.

    KOMISIONI EVROPIAN KA DHËNË EDHE “DETYRAT E SHTËPISË”
    Për të përfunduar zbatimin e strategjisë së reformës së sistemit të drejtësisë dhe planit të veprimit të përditësuar, me fokus të veçantë në miratimin e një ligji të ri të procedurës civile, në përputhje me standardet evropiane, dhe përgatitjen e strategjisë së re të reformës së sistemit të drejtësisë (për vitin 2023 -2027) pa vonesë. Sipas Raportit të Progresit, Maqedonia e Veriut, duhet të përshpejtojë zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për rrjetin gjyqësor dhe të prokurorisë publike dhe t’i përdorë ato si tregues për parashikimin e punësimeve të ardhshme. “RMV, duhet të vendosë të gjitha burimet e nevojshme për të siguruar që Sistemi Informativ për Menaxhimin Automatik të Çështjeve Gjyqësore (AKMIS) të jetë plotësisht funksional dhe në përputhje me masën e re të kompleksitetit të lëndëve gjyqësore dhe metodën për vlerësimin e gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave”, thuhet në Raportin e Progresit. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania drejt lehtësimit të procedurave për marrjen e nënshtetësisë

    Lajmi i rradhës

    Produkte me cilësi të dobët!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë