Produkte me cilësi të dobët!

    Çdo produkt që arrin në raftet e dyqaneve në vend duhet të përmbajë deklaratë se është i sigurt për konsum. Pavarësisht asaj se a është produkt i importuar apo i prodhuar në vend, kompania që e prodhon duhet të tregojë dokument i cili vërteton cilësinë dhe sigurinë e tij. Por, kohën e fundit rastet me tërheqjen e qumështit dhe jogurtit nga tregu për shkak përmbajtjeve të papërshtatshme të alfatoksinës e cila përbën një rrezik potencial në shëndetin e njeriut kanë alarmuar edhe qytetarët. Edhe pse këto produkte jo të sigurta janë tërhequr nga tregu, qytetarët akoma janë të revoltuar dhe pyesin se si është lejuar shitja e një produkti që është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. “Sipas lajmeve të fundit nga Agjencia e Ushqimit po shohim se nuk po hamë ushqim të sigurt. Materiale toksike gjenden në kos, qumësht sa njeriu pyet se çfarë blen dhe a konsumon ushqim të shëndetshëm”, thotë një qytetare.

    Institucion përgjegjës për sigurinë dhe kontrollin e ushqimit është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Nga ky institucion kryhen kontrolle të detyrueshme për çdo import të ushqimit në pikat kufitare, por edhe gjatë shkarkimit të të njëjtave. Nga AUV thonë se nga fillimi i vitit, përmes kontrolleve të rregullta dhe të jashtëzakonshme të programeve të monitorimit të sigurisë, inspektorët zyrtar të kësaj Agjencie kanë asgjësuar rreth 82 ton ushqime të pasigurta, me origjinë shtazore dhe joshtazore. “Në kuadër të programeve të monitorimit dhe në raste dyshimi, merren mostra nga ngarkesat ushqimore dhe dërgohen për analiza. Të njëjtat nuk lejohen të importohen, vendosen në mbikëqyrje deri në marrjen e rezultateve nga laboratori, të cilat vërtetojnë nëse dërgesa është e sigurt dhe më pas produktet mund të hidhen në treg. Në rast se rezultatet janë pozitive, dërgesa kthehet në vendin e origjinës ose asgjësohet padëmshëm në praninë e një inspektori. Për çdo dërgesë për të cilën është marrë një rezultat në kundërshtim me rregullat, shërbimet e inspektimit kryejnë analiza laboratorike edhe të dhjetë dërgesave të mëvonshme nga i njëjti prodhues”, shpjeguan nga AUV.


    Nga Qendra e Shëndetit Publik e cila ka laborator të akredituar për analiza kimike dhe bakteriologjike thanë se është shqetësues trendi i produkteve me cilësi të dyshimtë që shiten në tregjet e dyshimta. Mjeku Lupço Kostadinovski i cili prej shumë vitesh punon në laboratorin e kësaj qendre, thotë se ndodh që edhe në paketimin origjinal të ndonjë produkti të gjenden baktere. “Ndodh që edhe në paketimet origjinale të gjejmë disa baktere. Pastaj lajmërojmë inspektimet sanitare të cilat marrin masa të mëtejshme. Shkohet në fabrikën ku prodhohet produkti i diskutueshëm për të ndaluar prodhimin e tij, por këto raste janë të rralla. Mirëpo faktori njeri është më i rëndësishëm dhe duhet t’i kushtohet shumë rëndësi higjienës nëpër depot apo ambientet tjera ku prodhohet produkti apo ushqimi i caktuar”, potencon Kostadinovski. Ai gjithashtu këshillon qytetarët të kenë kujdes se nga ku blejnë ushqime, duke aluduar në tregjet ku ka parregullsi, duke filluar nga ruajta jo e duhur e produktit deri tek ushqimi i skaduar.


    Shfaqje të tilla të produkteve të dyshimta ka pasur edhe më herët. Salçiçet u tërhoqën disa javë më parë. Ndërsa një markë e njohur çokollatash u tërhoqën gjithashtu pas njoftimit nga Sistemi i Sinjalizimeve të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim të Kafshëve. Pas tërheqjes së produktit nga tregu, tregtari nuk është i detyruar të dëmshpërblejë konsumatorin, thonë nga Organizata e Konsumatorëve, derisa shtojnë se nëse konsumatori që dëshiron të fillojë rrugë ligjore, atë mund ta bëjë. Nga këtu apelojnë qytetarët që të kenë kujdes se çfarë dhe ku blejnë. “Periudhë kjo në të cilën kemi ankesa për shkak të asaj që ka prodhime qumështi të prishura, të mykura, pasi nuk janë ruajtur siç duhet”, tha Martina Gërçanovska nga Organizata e Konsumatorëve. Sipas ligjit për siguri ushqimore, operatorët janë të detyruar që vetë të kryejnë inspektime laboratorike për sigurinë dhe cilësinë e produktit. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Sundimi i së Drejtës – Ende shumë punë për t’u bërë

    Lajmi i rradhës

    MË PAK VËREJTJE DHE MË SHUMË TRANSPARENCË | Ministria e Kulturës mbyll konkurrimin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë