“Takimet dhe komunikimi i ri që kemi krijuar me Bullgarinë do të thotë se ka një perspektivë”

    Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, hapi takimin e sotëm të grupit punues ndërqeveritar për bashkëpunim evropian- ranzicion të gjelbër, transformim digjital dhe sundim të ligjit.

    “Kemi hedhur tashmë një bazë solide në fushën e integrimit evropian, politikave të gjelbra dhe qeverisjes së mirë, tani është koha vetëm për ta përmirësuar atë,” tha Mariçiq.

    Sipas Mariçiq, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira në këto tri fusha kyçe përmes diskutimit është një hap drejt projekteve të reja dhe nismave konkrete për bashkëpunim, për afrimin e mëtejshëm të dy vendeve dhe popujve.

    “Takimet dhe komunikimi i ri që kemi krijuar do të thotë se ka një perspektivë, se kemi marrëdhënie të mira dhe se kemi dëshirën dhe përgjegjësinë politike për të parë në drejtim të zhvillimit dhe mundësive të reja, nga të cilat do të përfitojnë të dyja vendet dhe qytetarët”, shtoi Mariçiq në takim.

    Hapja e takimit u pasua nga një seancë e veçantë, në të cilën zëvendëskryeministri Mariçiq, së bashku me Sllavica Grkovskën, zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, diskutuan për temën “Partneriteti me organizatat qytetare”. Ata diskutuan me homologen e tyre bullgare, zëvendëskryeministren për qeverisje të mirë, Kalina Konstantinova, për hapat e ardhshëm në aktivitetet për përfshirje sistematike të sektorit të shoqërisë civile në të gjitha grupet punuese dhe projektet në të cilat organizatat e shoqërisë civile nga të dyja vendet mund të punojnë së bashku.

    Pas kësaj dite do të pasojnë takime paralele me tema ku ministrat kompetentë do të diskutojnë mundësitë dhe nevojat e përbashkëta për bashkëpunim në fusha të veçanta, si dhe është nënshkruar Deklarata për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet Ministrisë Bullgare për Menaxhim Elektronik dhe Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë të RMV-së, nga Bozhidar Bozhanov dhe Admirim Aliti.

    Ndryshe, takimi i radhës i i grupit punues ndërqeveritar për bashkëpunim evropian – tranzicion i gjelbër dhe transformim digjital, sundim i ligjit, qeveritarë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, është caktuar për fillim të majit.

    Të dy qeveritë me 25 janar, krijuan  katër grupe pune – për ekonomi, tregti dhe inovacion, për infrastruktur, transport dhe lidhje, për integrimin evropian dhe politikat e gjelbra dhe për kulturë, shkencë dhe arsim.

    Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

    Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

    Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

    Lajmi Paraprak

    Paralajmërohet grevë nga punëtorët e Postës së Maqedonisë, kërkojnë paga më të larta

    Lajmi i rradhës

    Pse Lindja e Mesme ka shkallën më të ulët të kancerit në botë (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë