TAKIMI I LIDERËVE NË TIRANË | Kasami: Nuk do të shkojmë, ky takim më shumë i shërben BDI-së

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ftuar sonte në Tiranë, liderët politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

    Ndërkohë Bilall Kasami, kreu i Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, në një intervistë për Euronews Albania është shprehur se e kanë refuzuar ftesën e kreut të qeverisë shqiptare, duke thënë se kanë ende probleme në ndryshimet kushtetuese.

    Më tej ai tha se deri më tani marrëveshjet që janë shkruar në Tiranë nuk janë zbatuar ndërsa shtoi se “duhet të përballemi me problemet që përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”.

    “Ne vlerësuam se ky takim i shërben më shumë qetësimin të turbulencave brenda Bashkimit Demokratik për Integrim sesa interesave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Është moment delikat për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe veçanërisht në vigjilje të ndryshimeve kushtetues, ku shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kërkojnë të implementohet ndryshimi i definicionit të gjuhës shqipe që deri tani në Kushtetutën e Maqedonisë është e definuar që e flasë 20% e popullsisë në Maqedoni. Ne kërkojmë që me ndryshimet kushtetuese ku duhet të futet dhe populli bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë të përfshihet edhe heqja e 20%”.

    “Përvoja e deritanishme me deklaratën e partive shqiptare që është nënshkruar në Tiranë, tregon se përgjegjësitë e marra nuk u realizuan pas nënshkrimit të saj. Rama në këtë rast duhet të kërkoj një raport, përgjegjësi për partitë që janë pjesë e qeverisë aktuale, se çfarë është bërë me deklaratën paraprake që pastaj të shkojmë një hap përpara që të ballafaqohemi me problemet që përballen shqiptarët”, tha ai.

    Më tej Kasami shtoi se ftesa u ka ardhur nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Ai theksoi se do të vazhdojnë komunikimet me Ramën ndërsa kur të dakordësohen për takim do të sqarojnë dhe pozicionin e tyre.

    “Ftesa na ka ardhur nga Balla, me të cilin kemi kontaktuar dhe në parim jemi dakorduar që ne si lëvizje Besa, të vazhdojmë komunikimet me kryeministrin dhe të ulemi në një takim ku të sqarojmë pozicionin tonë dhe të kërkojmë kryeministrit në implementimin e pikave në marrëveshjen e arritur më herët”, përfundoi ai.

    Ndryshe, pritet që në këtë takim sonte të marrin pjesë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, ai i ASH-së Arben Taravari, dhe i Alternativës Afrim Gashi.

    Lajmi Paraprak

    DEPUTETËT SOT FILLUAN PUNËN NË KUVEND | Sot në rend dite ratifikimi i Marrëveshjes me Frontex-in

    Lajmi i rradhës

    Geer: Viti 2023 do të jetë vendimtar për Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë