TANI, MË VONË, APO PAS ZGJEDHJEVE? Të shpejtohet apo jo me ndryshimet kushtetuese

    Ndryshimet kushtetuese tani, të mos ngutet me ndryshimet kushtetuese, qytetarët të deklarohen për ndryshime kushtetuese në zgjedhjet parlamentare…. këto janë tre qëndrimet e ndryshme që po fliten në koluaret politike për çështjen e përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, që është një kusht për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, pra hapjen e klasterit të parë në negociatat me BE-në. Shefi i diplomacisë Bujar Osmani, dje tha se ky proces nuk duhet të zvarritet.

    “Momenti është tani dhe menjëherë. Pas skriningut duhet të hapet kapitulli i parë dhe në këtë mes duhen ndryshime kushtetuese. Të gjithë ata që i njohin problemet e BE-së, e dinë se duhet reaguar tani. Nuk duhet të krijojmë një hendek kohor midis nëntorit 2023 dhe hapjes së klasterit të parë. Nëse ndryshimet kushtetuese lihen pas zgjedhjeve, atëherë zgjedhjet do të jenë vetëm referendum për ndryshimet kushtetuese. Dhe nuk duhet të jetë kështu, zgjedhjet duhet të jenë për zgjedhjen e qeverisë”, tha Osmani gjatë një paraqitjeje televizive.

    E ndërsa liderët evropianë po bëjnë thirrje për një konsensus për këtë çështje, nuk ka një marrëveshje brenda vetë qeverisë për kohën më të mirë për ndryshimet kushtetuese.Çështja nëse duhet nxituar apo jo e vë në pozicione të kundërta kreun e diplomacisë dhe kreun e shtetit.

    Pendarovski vazhdimisht ka theksuar se ndryshimet kushtetuese nuk janë prioriteti numër 1 politik, por potencon edhe faktin se në këtë moment nuk ka shumicë të nevojshme prej 80 deputetësh që do të ngrinin duart “për”.

    “Kemi edhe shumë gjëra të tjera për të zgjidhur, reforma… Më 1 dhjetor 2023 do të kemi mbaruar zyrtarisht skriningun dhe kemi katër, katër muaj e gjysmë deri në zgjedhjet e ardhshme. Çfarë është më logjike se kjo – ai që i fiton zgjedhjet duhet të shtyjë përpara me dy të tretat”, tha Pendarovski kohë më parë.

    Pak ditë më parë ai urdhëroi që të mos ngutet në atë proces, por theksoi se në fund të skriningutduhet të shihet nëse ka shumicë për ndryshimet kushtetuese.

    “Kemi 14 muaj skrining. Kur të vijë koha për përfundimin e këtij procesi, atëherë do të pyesim në Parlament, a kemit tani shumicë prej dy të treta? Nuk dua as rastësisht, as si qytetarë e as si president, të shoh procese të ngjashme me miratimin e Marrëveshjes së Prespës”, tha Pendarovski.

    NUK KA GARANCA

    VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se nuk i përkrah ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nëse nuk merren garanci të forta nga BE-ja për identitetin maqedonas, ku përfshihet edhe gjuha, dhe se çështjet bilaterale nuk do të jenë më një mundësi për një veto të re derisa RMV të bëhet anëtare e BE-së.

    Sipas Osmanit, është garanci e mjaftueshme se Bullgaria nuk do të pyetet për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, por ajo do të mbahet automatikisht, menjëherë pas zbatimit të ndryshimeve kushtetuese. Por si do të zhvillohet procesi në vitet e ardhshme, askush nuk mund të parashikojë apo garantojë.

    “Bullgaria nuk ka pse të thotë se po bllokon për çështje historike, do të gjejë vërejtje për gjyqësorin. Ata mund të gjejnë çdo arsye. Askush nuk mund të na japë një garanci të tillë”, thekson Osmani. Konfirmimi për këtë erdhi pak ditë më parë personalisht nga zëvendëspresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova.

    “Bullgaria mund t’i ndalë negociatat për anëtarësim në BE në çdo fazë, në rast se Maqedonia e Veriut nuk respekton atë që është rënë dakord mes tyre”, tha Jotova në takimin me presidentin kroat Zoran Millanoviç në Zagreb, ku u hap edhe tema e marrëdhënieve të Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut.

    “Bullgaria ka argumente historike por edhe moderne për kriteret që duhet të përmbushë Shkupi në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Para së gjithash, bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, e cila do të garantojë respektimin e të drejtave të tyre”, theksoi Jotova.

    ME BISEDA DERI TE MARRËVESHJA

    Por si të sigurohet një shumicë prej dy të tretash për ndryshimet kushtetuese dhe të shmangen proceset e ngjashme me ndryshimet kushtetuese që rezultuan nga Marrëveshja e Prespës, siç kërkon Pendarovski? Sipas Osmanit, marrëveshje mund të arrihet duke biseduar. Ai thekson se strukturat më radikale në Bullgari janë kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat nuk duan dallim mes maqedonasve dhe bullgarëve. Dhe pikërisht me ndryshimet kushtetuese do t’i jepet fund formulimit “dy shtete – një popull” të përdorur nga partitë radikale bullgare. “Duhet të flasim seriozisht me VMRO-DPMNE-në, por edhe individualisht dhe me deputetët”, thotë Osmani duke shtuar se në fund votojnë deputetët e jo partitë. Për të mos improvizuar “negociata”, për të siguruar konsensus dhe për të shtrirë dorën të gjithë për interesat shtetërore, Osmani kërkon arritjen e një marrëveshjeje shtetërore për 8 vitet e ardhshme, duke qenë se objektivi për anëtarësim në BE është viti 2030.

    Ai beson se përgjegjësia dhe meritat duhet të ndahen për ato vendime, sepse nëse vendimet merren bashkërisht, askush nuk do të mund të abuzojë me atë temë në zgjedhje, duke qenë se ka mjaft tema të tjera për një garë zgjedhore. Së fundmi, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, shpreson se ndryshimet kushtetuese do të zbatohen deri në fund të skriningut. “Kemi një afat që ia kemi caktuar vetes së bashku me planin e skriningut dhe ai është deri në fund të skriningut, pra deri në nëntor 2023, deri në fund të vitit të ardhshëm, që praktikisht të përfundojmë ndryshimet kushtetuese dhe unë mendoj se do të kemi sukses në atë periudhë t’i përfundojmë ato. Sigurisht që nuk do të jetë aspak një proces i lehtë, por mendoj se çdo deputet dhe të gjitha partitë politike do të jenë në lartësinë e detyrës sepse tani varet nga ne se kur do të vazhdojmë”, tha Mariçiq. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Bujqit e Pollogut të painteresuar për kooperativa bujqësore

    Lajmi i rradhës

    Punëtorët e Maqedonisë së Veriut, më produktivët në rajon

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë