Taravari: Amerikanët kanë ardhur për të hetuar korrupsionin, jo për ndryshimet kushtetuese

    Ushtruesi i detyrës për kryetar të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari sot ka mbajtur konferencë për media në lidhje me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Taravari tha se, Maqedonia e Veriut në vend se të shënonte progres në luftimin kundër korrupsionit për t’u afruar me standardet e shtetit të së drejtës evropiane, ajo ka falimentuar dhe dezertuar nga lufta botërore kundër korrupsionit. Gjatë këtyre viteve madje, sipas tij, vendi ka fituar epitete të reja zyrtare, të denja për autokracitë më të egra në botë, sikur se “shtet i kapur” sipas Komisionit Europian apo “regjim hibrid” sipas Freedom House, raporton Nistori.

    “Si dhe pse ndodhi kjo gjë? Arsyeja e parë dhe thuajse e vetmja se pse kemi ardhur deri në këtë pikë është e thjeshtë. Dhe kjo është pandëshkueshmëria e korrupsionit të nivelit të lartë përmes partizimit të sistemit të drejtësisë. Kur ata që udhëheqin me institucionet kryesore të vendit që janë garantueset e demokracisë japin shembullin se gjyqtari dhe prokurori mund të blihet, të frikësohet dhe të udhëzohet për të penguar zbatimin e ligjit, atëhere çfarë presim nga të tjerët në një vend që është ndër më të varfrit në Evropë? Tani që vendi është në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, nuk guxojmë të vazhdojmë me avazin e vjetër të reformave kosmetike që ngelin vetëm në letër. Është dëshmuar me valët e ndryshme të zgjerimit të BE-së se shteti i së drejtës është gurë themeli i demokracisë, prosperitetit dhe i zhvillimit. Gabimet që ndodhin në këtë fazë tejet delikate, do të kenë pasoja të thella dhe afatgjata në përafrimin e vendit me shtetin e së drejtës evropian, por edhe për vetë funksionimin e Bashkimit Evropian. Mungesa e shetit të së drejtës paraqet rrezik edhe për investimet ekonomike të patnerëve tonë evropianë dhe amerikanë, të cilët presin që gjykata e Tetovës ta zëmë të jetë po aq e besueshme sa ajo e Frankfurtit për të mbrojtur intereset e investitorëve gjermanë.” – deklaroi Taravari.

    Lufta kundër korrupsionit në RMV, sipas Taravarit merr kuptim vetëm nëse i bëhet një shok terapi gjyqësorit dhe angazhohemi të gjithë për të vendosur shtetin e së drejtës. Pakoja e propozuar nga ASh ndaj luftës së korrupsionit duhet të përmbajë elementet në vijim:

    • 1. Ligj për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve;
    • 2. Ligj për Zyrën për Rikuperimin e Pasurive, përgjegjëse për konfiskimin e aseteve kriminale; 
    • 3. Një pako legjislative për moralizimin e jetës publike, përfshirë një Ligj për vetingun e integritetit dhe pasurisë së personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, përfshirë në arsimin e lartë dhe në shëndetin terciar, si dhe një Ligj për parandalimin e nepotizmit nga deputetët, ministrat, drejtorët e agjencive shtetërore dhe ndërmarrjeve publike si dhe zyrtarëve të lartë komunal;
    • 4. Dyfishimin e investimeve publike në gjyqësor, në prokurorinë publike dhe në institucionet përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit.

    Në lidhje me njoftimin e djeshëm për zbarkimin e ekipit amerikan për të hetuar politikanët e korruptuar, Nistori pyeti Taravarin se cilët janë pritshmëritë e tij.

    “Ardhja e ambasadores së re të Amerikës është shumë premtuese për ne. Pritshmëritë janë të mëdha. Unë shpresoj dhe besoj, sepse me ekipin që e bisedojmë në kuadër të partisë se do të ketë hapa konkrete. Presim që të ketë zhvillime në këtë drejtim, luftë ndaj korrupsionit. Ne si parti u kemi thënë para dy muajsh që kemi paket masash, njërën pjesë të asaj e prezantuam sot. Jemi në gatishmëri që të bashkëpunojmë me të gjithë palët, duke përfshirë edhe partitë politike, pa marrë parasysh pozitë apo opozitë. Me faktorin ndërkombëtar, para të cilëve, këtë pako të masave e kemi prezantuar. Besoj se nga fillimi i vitit të ardhshëm, do të ketë rezultate që do të jenë të kapshme për qytetarët.” – shtoi Taravari ndër të tjera.

    Ai tha se amerikanët nuk kanë ardhur për ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të bëhen, por për të hetuar të gjithë ata funksionarë që kanë keqpërdorur pozitën dhe kanë ardhur për funksionimin e shtetit të së drejtë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ministria e Drejtësisë e shpalli të zhdukur dokumentin e djalit të Talat Xhaferit që i lejohet të hyjë në provim pa i plotësuar kushtet

    Lajmi i rradhës

    Shkollat në Tetovë refuzojnë të aplikojnë për rrymë të subvencionuar nga shteti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë