Ministria e Drejtësisë e shpalli të zhdukur dokumentin e djalit të Talat Xhaferit që i lejohet të hyjë në provim pa i plotësuar kushtet

    Televizioni Alsat ka siguruar kërkesën e djalit të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Barlet Xhaferi që t’i lejohet të hyjë në provimin e jurisprudencës në kohën kur ai nuk i plotësonte kushtet për këtë. Pikërisht këtë dokument dhe të tjerat Ministria e Drejtësisë i shpalli si të zhdukura ditë më herët. Nga ana tjetër, ministri i atëhershëm i drejtësisë Adnan Jashari dje deklaroi se kjo kërkesë nuk është bërë në kohën kur ai ka udhëhequr me drejtësinë.

    “Nuk është e vërtetë, unë ministër jam emëruar në fund të qershorit në vitin 2014, studenti dokumentet i ka dorëzuar në prill, dikur më herët se unë të emërohem ministër”, deklaroi Adnan Jashari, ish ministër i Drejtësisë.

    Kjo nuk rezulton të jetë e vërtetë.

    Sipas kërkesës, kandidati Barlet Xhaferi kërkesën që t’i lejohet të marrë pjesë në dhënien e provimit të jurisprudencës e ka dorëzuar në arkivin e Ministrisë së Drejtësisë më datë 16 janar të vitit 2015, pra në kohën kur Adnan Jashari udhëhiqte me këtë institucion.

    Megjithatë, sipas Jasharit kompetencat e tij në këtë proces kanë qenë të kufizuara, shtoi se ka nënshkruar një dokument të përgatitur nga ana e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, i cili, sipas tij nuk ka qenë i formuar nga ai por nga ministri i mëhershëm, përkatësisht Blerim Bexheti dhe ka pasur këtë përbërje: Lidija Nedelkova, kryetare e komisionit, Aleksandar Aleksovski sekretar ndërsa anëtarë dhe vlerësues Ixhet Memeti, Faik Arsllani, Jovo Vangelovski dhe Nikollço Nikollovski.

    “Komisioni teston, pyet, në qoftë se kandidati din apo nuk dinë, përgatitë proces verbal, pastaj proces verbali nënshkruhet nga ana e komisionit dhe sekretarit dhe dorëzohet në arkiv, te shërbimet, shërbimet pastaj përgatitin dhe bazuar në proces verbalin, ministri është i detyruar të nënshkruajë”, u shpreh Adnan Jashari, ish-ministër i Drejtësisë.

    Kryetarja e atëhershme e komisionit, Lidija Nedellkova për mediat deklaroi se komisioni me të cilin ka udhëhequr ajo nuk ka asnjë lidhje me dokumentet e kandidatëve, sipas saj për këtë përgjegjës është ministri.

    Djali i kryeparlamentarit Xhaferi nuk është i vetmi që ka kaluar provimin e jurisprudencës para se të jetë i pajisur me 300 kreditë e kërkuara ligjërisht për këtë. Komisioni për Antikorrupsion paralajmëroi se do të vazhdojnë hetimet për këtë.

    Ndryshe, përkundër deklarimeve të Jasharit se studentëve në atë kohë nuk u janë lëshuar diploma por vërtetime të cilat nuk kanë vlerë juridike, duhet theksuar se pikërisht përmes këtij vërtetimi të lëshuar nga Universiteti i Evropës Juglindore, kandidatit Barlet Xhaferit i është lejuar të hyjë në provimin e jurisprudencës. Barlet Xhaferi për momentin po ndjek Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë që është kusht për t’u bërë gjykatës apo prokuror.

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski thirrje BE-së për bllokadën e VMRO-DPMNE-së dhe “Të Majtës”

    Lajmi i rradhës

    Taravari: Amerikanët kanë ardhur për të hetuar korrupsionin, jo për ndryshimet kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë