Arben Taravarit, Flakron Bexhetit dhe Elfete Ismailit u pushoi funksioni në ekzekutiv. Kuvendi konstatoi sot dorëheqjet e tyre kurse brenda javës do të dihen edhe cilët janë të përzgjedhur e rinj për t’i zëvendësuar.
“Unë pres që këtë javë, e shumta javën e ardhshme, emrat e anëtarëve të qeverisë të jenë të njohur dhe të dorëzuar te deputetët”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
VLEN këmbëngul që ASH-ja vazhdon të jetë VLEN dhe që funksionarët nga radhët e partisë së Taravarit që nuk do ta ndjekin vendimin e tij, nuk do të shkarkohen nga funksionet e tyre. Më të qarta pozitat do të bëhen brenda javës.
“Sigurisht që jemi në fazën e bisedimeve edhe me faktorë edhe nga ata të cilët janë pjesë e ASH-së që të kemi një pasqyrë më të qartë se si do të vazhdojmë më tutje por njëherësh jemi të hapur edhe për bashkëpunim me individë të tjerë të cilët sigurisht se janë të mirëseardhur të jenë pjesë e qeverisë. Pozicionet që i ka pasur VLEN do të vazhdojnë të ruhen edhe pas këtyre ndodhive”, deklaroi Bilall Kasami, VLEN.
VLEN prezantoi sot organizimin e ri brenda grupit parlamentar të cilin për momentin e përbëjnë nëntë deputetë kurse i dhjeti do t’u bashkohet pasi finalizimit të dorëheqjes së Salim Sulejmanit. Ata thonë se janë grupi parlamentar shqiptar më i madhi në Kuvend. Koordinatori Bekim Qoku ftoi deputetët e ASH-së së Taravarit t’i bashkohen grupit duke thënë se beson se as ata nuk e dinë se çfarë saktë ndodh në partinë e tyre.
“Kështu praktikisht me dhjetë deputeti jemi grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bisedimet vazhdojnë me të gjithë deputetët. Ne vazhdojmë të kemi raporte shumë të mira me to, sepse me to nuk ka akoma asnjë lloj konflikti ose mosmarrëveshje. Madje dyshoj që edhe ata e dinë se çfarë po bëhet dhe ku po e çojnë partinë një grup brenda partisë”, deklaroi Bekim Qoku, Koordinator i grupit parlamentar të VLEN.
Edhe kryeministri deklaroi që brenda javës do të ketë takim me liderët e VLEN dhe që do të sqarohet qëllimi i qeverisë dhe veprimi i tyre deri në zgjedhjet lokale. /Alsat/