Taravari: Ka mundësi që Aleanca, Lëvizja Besa dhe BDI të shkojnë bashkë në zgjedhje

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari / Fotografia: Nistori

    Taravari: Nuk ka asnjë Kushtetutë në botë që e ka gjuhën e dytë me përqindje, si te ne

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në TV21, tha se nuk ka asnjë vend në botë që e ka gjuhën e dytë me përqindje si në vendin tonë, përkatësisht 20 për qind. Ai tha se tani me ndryshimin e preambulës së Kushtetutës, mund të hiqet edhe ky numër përcaktues, i turpshëm për shqiptarët.

    “Në të gjithë botën nuk ka asnjë kushtetutë në botë që e ka gjuhën me përqindje. Të marrësh kë kushtetutë të duash në botë apo në Evropë që e ka gjuhën me përqindje siç e ka Maqedonia, 20 për qind. Merr edhe Kosovën për shembull, serbët janë 4-5 për qind dhe nuk thotë se ka aq për qind, por gjuha serbe është gjuhë e dytë në Kosovë edhe kaq. Mendoj se është moment i mirë për të ndryshuar këtë shifër”, tha Taravari.

    Taravari: Korridori 8-të është një projekt madhor, nuk e kuptoj pse kontrata mbahet ende e fshehtë

    Taravari tha se ky është një projekt madhor për vendin dhe se duhet të realizohet brenda afatit të caktuar dhe se ka besim te një kompani e madhe si Bechtel dhe Enka, që ka realizuar plot projekte me sukses në rajon. Por, ai hodhi dyshime dhe tha se nuk e kupton pse kjo kontratë mbahet ende e fshehtë dhe nuk paraqitet para deputetëve në Kuvend. Sipas Taravarit, nga ana tjetër, ka politikanë që nuk u pëlqen Korridori 8 dhe se po bëjnë të pamundurën për të ndaluar këtë projekt.

    “Korridori 8 është një projekt madhor për vendin. Unë nuk e kuptoj pse po fshihet ky projekt, as ne nuk kemi qasje, as ministrat e mi nuk kam dijeni se janë të informuar. Bechtel dhe Enka është kompani serioze dhe unë besoj se do të përfundoj brenda 5 viteve, siç ka bërë në Kosovë, Shqipëri apo Serbi. Por, unë prapë nuk e kuptoj pse nuk bëhet transparent ky projekt. Nuk jam pishman për këtë projekt, edhe po të ishim në opozitë do ta votonim këtë projekt. Por, deputetët dhe qytetarët duhet të jenë të informuar se në fund të fundit janë edhe paratë e tyre. Nga ana tjetër ka politikanë që nuk u pëlqen Korridori 8 dhe se po bëjnë të pamundurën për të ndaluar këtë projekt”, shtoi Taravari.

    Taravari: Ka mundësi që Lëvizja Besa, BDI dhe Aleanca të shkojnë bashkë në zgjedhje

    I pari i ASh duke folur për zgjedhjet parlamentare, ka shprehur qëndrimin se kjo parti është e gatshme që të shkojë me një listë me partitë shqiptare, duke përmendur BDI-në dhe “Besën”.

    “Në parti nuk e kemi diskutuar këtë.
    A do të shkonit me BDI-në?
    Shikoni, nuk e kemi diskutuar. Mund të ndodh… Shikoni, partitë shqiptare të gjitha janë pro-evropiane, si “Besa”, si “BDI”…
    A mund të hyni me një bllok?
    Një mundësi është që të gjitha partitë të shkojnë bashkë. Flas për “Besën”, BDI-në dhe Aleancën”, potencoi Taravari.

    LSDM është më mirë të shkojë e vetme në zgjedhje, pa parti shqiptare

    Një koalicion i LSDM-së me parti shqiptare, nën frymën evropiane do ta dëmtonte partinë në pushtet. Kështu vlerësoi lideri i ASH-së.

    Sipas tij, këtë koalicion do ta shfrytëzonte partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-ja duke zhvilluar fushatë të ndarë për votuesit maqedonasë dhe shqiptarë.

    “Me LSDM-në nuk them se nuk e kemi diskutuar. E kemi diskutuar, megjithatë mendoj se LSDM-ja është më mirë të shkojë e vetme. Këtë e kemi biseduar edhe me kryeministrin Kovaçevski. Nëse do të ishte një koalicion evropian, mendoj se kjo do ta dëmtonte LSDM-në dhe një argument plus që VMRO-ja të zhvillojë fushatë për votuesit shqiptarë dhe maqedonas”, shtoi Taravari.

    Taravari ngrit nevojën për lista të hapura

    Taravari në ClickPlus në TV21 ka ngritur nevojën për ndryshime të Kodit zgjedhor dhe futjen e listave të hapura.

    Sipas tij, kjo do të mundësonte një bashkëpunim më të madh të partive shqiptare.

    “Për partitë shqiptare nuk paraqet problem nëse do të ishim me një listë, veçanërisht nëse ndodhin ndryshime në Kodin zgjedhor dhe vendosen lista të hapura. Nëse ka lista të hapura, koalicioni do të jetë më lehtë, nuk ka nevojë të ndahesh me numra, me përqindje. Lista e hapur nënkupton se sa vota fiton, aq deputetë do të ketë. Kjo do të ishte mirë që të mund të koalicionojmë më shumë parti.

    A do të ndodhin këto ndryshime?

    Nga ana jonë ka vullnet. Kam parë edhe disa anketa. Së paku, deklarativisht edhe BDI-ja ka thënë se është “për” lista të hapura, edhe LSDM-ja ka thënë se janë “për””, deklaroi Taravari. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia në “Top 3” vendet e botës sipas të ardhurave nga industria e mjaltit

    Lajmi i rradhës

    Nënshkruhet deklarata politike për bashkëpunim ndërmjet Alternativës dhe Lëvizjes Besa

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë