Targat e automjeteve duhet të kenë ngjitësen NMK

    Nga nesër, më 12 shkurt, targat e automjeteve duhet të kenë ngjitësen NMK. Por të premten, nga kontrolli i Meta.mk nëpër disa stacione të kontrollit teknik, ata ende nuk kishin mbërritur, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme na u përgjigjën dje se tashmë ngjitëset ishin shpërndarë.

    Mirëpo, stacionet e kontrollit teknik kanë punuar deri në orën 16:00, ndërsa sot nuk punojnë. Kjo do të thotë se nga nesër, kur tashmë do të jetë në fuqi obligimi i ri nga Marrëveshja e Prespës, qytetarët duhet të shkojnë në një nga stacionet për kontroll teknik me veturat e tyre, që do të thotë se mund të presin turma të mëdha.

    Në pyetjet e Meta.mk, MPB-ja është përgjigjur se me rastin e marrjes së ngjitëseve, qytetarët duhet të shkojnë me automjetet e tyre dhe me lejen e vozitjes.

    “Ju informojmë se me rastin e marrjes së ngjitëseve duhet të paraqiteni në stacionin e kontrollit teknik me automjetin dhe lejen e vozitjes. Zyrtarët në stacione do t’ju japin ngjitëse që do të ngjitet në automjetin tuaj nga një kontrollor nga stacioni për kontroll teknik. Të gjithë pronarët e automjeteve, targat e të cilave nuk kanë asnjë shenjë apo kanë shenja MK, duhet të marrin ngjitëse NMK”, thonë nga MPB.

    Ky proces do të zhvillohet nën video mbikëqyrje.

    Ministria e Brendshme nuk ka dhënë një përgjigje të saktë në pyetjen tonë nëse do të lejohen të dalin nga vendi nesër automjetet që nuk kanë ngjitëse.

    “Ju informojmë se të gjithë pronarët e automjeteve, targat e të cilave nuk kanë asnjë shenjë ose kanë shenja MK, duhet të marrin ngjitëse NMK. Për sa i përket çmimit është marrë vendim që ato janë falas për qytetarët, gjegjësisht janë në barrë të MPB-së”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Në të njëjtën kohë, qytetarët duhet të zëvendësojnë lejet e qarkullimit, gjë që e ka kujtuar pak ditë më parë ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

    “Më lejoni t’u kujtoj qytetarëve se duhet të ndryshohen edhe lejet e vozitjes”, ka theksuar Osmani.

    Nëse qytetarët nuk ndërrojnë lejet e qarkullimit apo patentë shoferët, nuk do të kenë problem në vend, por mund të kenë problem nëse duan të udhëtojnë me automjet dhe të kalojnë kufirin.

    Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

    Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

    Për më tepër, zyrtarë të qeverisë në vitin 2018 deklaronin se qytetarët nuk do të kenë asnjë shpenzim shtesë dhe se dokumentet e udhëtimit do të ndryshohen pas skadimit të afatit të tyre.

    Por, në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.

    Lajmi Paraprak

    Falimentime në ndërtim në Gjermani – çfarë mund të bëhet?

    Lajmi i rradhës

    Pollozhani: bandat politike në Ballkan i ka zënë frika nga Albin Kurti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë