Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), nga gjithsej 310.865 shkelje të regjistruara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, nga fillimi i funksionimit të tij në shkurt të këtij viti deri më 20 gusht, 180.378 janë kryer nga automjete me targa të huaja, përcjell Nistori.
MPB-ja njofton se vetëm gjatë periudhës 19–20 gusht janë regjistruar 5.514 shkelje të kryera nga automjete me targa të huaja.
Që nga fillimi i funksionimit, sistemi “Qyteti i Sigurt” ka regjistruar gjithsej 310.865 shkelje, pothuajse të gjitha për tejkalim të shpejtësisë së lejuar. Nga numri i përgjithshëm, 301.835 shkelje lidhen pikërisht me drejtimin e automjetit me shpejtësi mbi kufirin e lejuar.
“Ministria e Punëve të Brendshme informon publikun se, në periudhën nga 02.02.2026 deri më 20.08.2026, në sistemin ‘Qyteti i Sigurt’ janë regjistruar gjithsej 310.865 shkelje, shumica e të cilave kanë të bëjnë me drejtimin e automjetit me shpejtësi mbi kufirin e lejuar – 301.835 shkelje”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të shkeljeve janë kryer nga automjete me targa të huaja. Sipas të dhënave të Ministrisë, që nga fillimi i funksionimit të sistemit janë regjistruar 180.378 shkelje të tilla.
“Sa u përket shkeljeve të kryera nga automjetet me targa të huaja, në periudhën që nga fillimi i funksionimit të sistemit ‘Qyteti i Sigurt’ janë regjistruar gjithsej 180.378 shkelje, ndërsa vetëm në periudhën nga 19.08.2026 deri më 20.08.2026 janë regjistruar 5.514 shkelje nga automjete me targa të huaja”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministria u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore.
Ndërkohë, nga e mërkura, 19 gusht, MPB-ja ka nisur zbatimin e gjobave ndaj drejtuesve të automjeteve me targa të huaja, të cilët kanë kryer shkelje të rregullave të trafikut gjatë kalimit nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut.
Kontrolli fillimisht ka nisur në pikën kufitare “Tabanoc”, në kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në dalje nga vendi. Përmes sistemit identifikohen automjetet me targa të huaja për të cilat “Qyteti i Sigurt” ka regjistruar më parë shkelje të rregullave të trafikut.
“Drejtuesit e automjeteve informohen se është regjistruar shkelje e rregullave të trafikut dhe u lëshohet procesverbal për kundërvajtje, së bashku me urdhërpagesën përkatëse, me mundësi që gjoba të paguhet në përputhje me procedurën ligjore”, njoftoi MPB-ja më 19 gusht.
Zbatimi i këtij mekanizmi shkaktoi mbingarkesë dhe rritje të numrit të automjeteve në pikën kufitare. MPB-ja sqaroi se situata ishte pasojë e fillimit të zbatimit të mekanizmit të ri, i cili përfshin edhe shkeljet e regjistruara më herët nga sistemi.
Reagime dhe ankesa për mënyrën e zbatimit të këtij mekanizmi pati kryesisht nga qytetarë të Serbisë fqinje.
MPB-ja njoftoi gjithashtu se është vënë në funksion një aplikacion i ri në internet, përmes të cilit drejtuesit e automjeteve me targa të huaja mund të kontrollojnë shpejt dhe lehtë nëse sistemi “Qyteti i Sigurt” u ka regjistruar shkelje të rregullave të trafikut. Përmes aplikacionit ata mund të marrin informacione për urdhërpagesat e lëshuara dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike. /Nistori/






