“Target- Fortesa” – Gjykatësit e njëjtë, “shpëtimtarë” të Mijallkovit

    Për më pakë se një muaj, gjykatësit e Apelit i hoqën 20 vite burg, ish-shefit të Sigurimit shtetëror, Sasho Mijallkov. Në të dy rastet vendimi është marrë nga trupi gjykues në krye të cilit ka qenë Jani Niça. Për rastin “Target-Fortesa” anëtarë tjerë të trupit gjykues janë gjykatësit Enver Bexheti, Tanja Mileva, Lidija Çaçeva dhe Gjoko Ristov. Vendimi i këtillë ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion, si te qytetarët ashtu edhe te politika, për shkak se ky rast është skandali më i madh në historinë e Maqedonisë, në të cilën u shkelën të drejtat themelore të njeriut me përgjimin e 20 mijë qytetarëve. Presidenti i Shtetit, Stevo Pendarovski është shprehur i tronditur. Sipas tij vendimi gropos besimin e qytetarëve në organet e gjyqësorit.

    “Jam i tronditur nga vendimi i Gjykatës së Apelit për rastin “Target-Fortesa”. Vendimi është dështim për shtetin e së drejtës dhe për besimin e ulët të qytetarëve në organet e gjyqësorit. Vendimet e këtilla e groposin besimin e qytetarëve se janë të mundura reformat të vërteta në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Stevo Pendarovski, President i shtetit.

    Ish kryeministri Zoran Zaev, i cili zbuloi skandalin e përgjimeve dhe publikoi një pjesë të “bombave” si lider opozite në atë kohë pyet se cilat janë hapat e radhës.

    “Me dy vendimet e anuluara, ka një referencë të drejtpërdrejtë për kthimin, pra për përsëritjen e veprimeve të tmerrshme të regjimit dhe natyrisht motivohen edhe aktorë të tjerë që të bëjnë veprime të njëjta të tmerrshme, të cilët shkelin në mënyrë masive të drejtat e njeriut dhe të gjitha vlerat për të cilat luftoi i gjithë populli, vetëm pak vite më parë përmes Revolucionit Shumëngjyrësh.  Çfarë është e radhës, Mijallkov të bëhet drejtor i ASK-së dhe Gruevski të kthehet i pafajshëm me kalë të bardhë? Edhe nëse ne nesër bëhemi anëtar të BE-së, nuk do ta lajë këtë turp”, u shpreh Zoran Zaev, ish-kryeministër.

    Nga VMRO-DPMNE thonë se, përveç përgjegjësisë që duhet të japë gjyqësori, përgjegjësi duhet të kërkohet edhe te zyrtarët e partive në pushtet.

    “Një është e sigurt dhe mëse e qartë. Klientelizmi, Gjyqësori i korruptuar dhe Prokuroria me kuadro të BDI-së dhe LSDM-së, për çka u bindëm edhe në periudhën e fundit me zgjidhjet e kadrovike në Prokurorinë Themelore, Këshillin Gjyqësor dhe Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë, ku nga shtabet partiake ulen në institucion profesionist. Kjo flet për atë se sistemi gjyqësor në shtet është gjunjëzuar”, thonë nga VMRO-DPMNE.

    Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, deklaron se nuk mund të predikojë vendimin e Apelit.

    “Nëse gjyqësori, apeli në këtë rast nuk kanë argumentim serioz të sqarojë para komisionit evropian për vendimin besoni se do të jetë të emëruar dhe turpëruar. Por nëse kanë argumente atëherë nuk duhet të predikojmë, andaj edhe unë nuk dua të predikoj se cilat janë ata shkelje në procedurën e shkallës së parë pasi ne duhet t’i respektojmë edhe të drejtat e njeriut, sepse kjo është pjesë e rëndësishme në evropianizimin tonë”, u shpreh Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

    Një ditë më parë Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim lëndën “Target-Fortesa” në të cilën ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov ishte i dënuar me 12 vjet burg për përgjim masiv në kundërshtim me ligjin. Bashkë me Mijallkov të dënuar për përgjimin masiv janë edhe ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska me 4 vite burg, ish shefi i Drejtorisë së pestë, Goran Grujevski me 15 vite burg dhe Nikolla Boshkovski gjithashtu me 15 vite burg. Në fillim të vitit 2025 vjetërsohet aktakuza për përgjimin masiv, gjë që mund të shpëtojë Mijallkovin dhe ish strukturat e tjera të MPB-së nga dënimi me burg. Në rast se për dy vite nuk merret vendim i ri në Gjykatën e shkallës së parë, Mijallkov, Jankullovska, Grujevski dhe Boshkovski shpëtojnë pa një therë në këmbë për përgjimin masiv. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut, e varur nga importi i ushqimeve

    Lajmi i rradhës

    “Drejtësia në RMV me standarde të dyfishta”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë