Tash e tre vite me radhë zjarrfikësit në Strugë nuk kanë komandant | Merko: Nuk mund të gjejmë person të përshtatshëm

    Gazetare | Blerona Jakupi Zylbehari

    Njësiti Territorial kundër Zjarrit në Strugë, tani e tri vite e gjysmë funksionon pa komandant. Sipas zjarrfikësve të punësuar aty, herë pas here ka pasur zëvendësa por të njëjtit janë larguar nga detyra për shkak se siç thonë, i kanë emëruar nga jashtë, pa përvojë pune dhe në bazë lidhjesh partiake.

    Zjarrfikësi Besim Kadriu deklaron për portalin Nistori problemet me të cilat ballafaqohen në njësit.

    “Problemi kryesor është që nuk kemi udhëheqës. Për të qenë komandant duhet të kesh mbaruar fakultet dhe poashtu të kesh 5 vite përvojë pune. Ne mbulojmë një territor prej 483 km2, plus komunën e Vevçanit, ndërkohë që në njësitin tonë jemi vetëm 30 zjarrfikës. Problem tjetër është problemi i krejt zjarrfikëseve të Maqedonisë që nuk kemi sistem të hidrantëve nëpër qytet”, deklaron Kadriu.

    I pyetur nga Nistori, se pse njësiti i zjarrfikësve funksionon pa një udhëheqës, kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko deklaron se asnjëri nga të punësuarit nuk i plotëson kushtet për të qenë në krye të NJTKZ-së.

    “Në bazë të numrit të banorëve ky numër i zjarrfikësve besoj është i mjaftueshëm. Vitet që vijnë do të ketë pensionime dhe do të kemi pranim te zjarrfikësve të rinj. Ndërsa sa i përket çështjes së komandantit të zjarrfikësve deri më tani nuk kemi mundur të gjejmë person adekuat”, deklaron Merko.

    Sa i përket sistemit të hidrantëve, Merko theksoi se janë të pajisura vetëm pallatet e reja sepse të njëjtat e kanë edhe obligim ligjor, ndërkaq me zgjerimin e qytetit Merko premtoi edhe vendosjen e sistemit të hidrantëve nëpër qytet, por se kur do të ndodhë nuk e qartësoi.

    Ndërkohë që sipas nenit 6 të ligjit për zjarrfikës, në komunat me 5,000 banorë – nevojiten 13 zjarrfikës, nga të cilët të paktën katër zjarrfikës profesionistë, në komuna nga 5,000 – 12,000 banorë nevojiten 13 zjarrfikës, prej të cilëve të paktën nëntë profesionistë, në komunat me nga 12,000 -24,000 banorë nevojiten 17 zjarrfikës, prej të cilëve së paku 13 zjarrfikës profesionistë.

    Varësisht madhësisë së zonës që mbulojnë zjarrfikësit, shkallës së rrezikut nga zjarri dhe lloji i objekteve që mbrohen, ligji parashikon që në komunat me mbi 50,000 banorë në çdo 2,000 banorë të ketë të paktën një zjarrfikës profesionist. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kur Enver Hoxha diskutonte për artistët shqiptarë

    Lajmi i rradhës

    Hëpërhë “JO” Ligjit të ri të kulturës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë