Hëpërhë “JO” Ligjit të ri të kulturës

    Nëse kjo periudhë po shfrytëzohet për të gjetur modalitetet e duhura për përcaktimin e “përqindjes” për mbështetjen e kulturës shqiptare, opozita maqedonase e bllokon me arsyetimin se Ligji do të fshijë çdo gjë “nacionale”, duke filluar nga artist nacional, pensione nacionale dhe të tjera

    Miratimi i Ligji të ri për kulturë do të duhet të marrë “aminin” e partnerëve në koalicion. Kjo është një prej arsyeve që prej më shumë se një vit, Ligji vazhdon të qëndrojë në Komisionin parlamentar të kulturës, në pritje për t’u shqyrtuar. Pakënaqësitë rreth Ligjit të ri, i hartuar që prej vitit 2017, janë jo vetëm nga pjesa shqiptare, por edhe opozita maqedonase. Nëse kjo periudhë po shfrytëzohet për të gjetur modalitetet e duhura për përcaktimin e “përqindjes” për mbështetjen e kulturës shqiptare, opozita maqedonase e bllokon me arsyetimin se ligji do të fshijë çdo gjë “nacionale”, duke filluar nga artistë nacional, pensione nacionale e të tjera, dhe se ligji favorizon “skenën e pavarur” në kurriz të interesit nacional në kulturë. Ndërsa pjesa shqiptare është mjaftuar me disa amendamente, VMRO-DPMNE ka arkivuar një numër të madh, duke bërë të pamundur shqyrtimin. Janë qindra të tillë të dorëzuar prej tyre duke sjellë që Komisioni parlamentar i kulturës të mos shkojë përtej leximit të parë. Edhe pse nuk përcaktohen afate kohore sa i takon kohëzgjatjes së procedurave nga shqyrtimi në miratimin e një ligji, kryetari i Komisionit të Kulturës, Kastriot Rexhepi, thotë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu.

    “Një numër kaq i madh amendamentesh është tendencioz, e bën të pamundur shqyrtimin. Jemi në një situatë të ngjashme me Ligjin për shtetësinë. Për këtë arsye, Ligji ka ngecur në leximin e parë dhe ajo që mund të bëhet është që përmes konsultimeve mes anëtarëve të komisionit, të arrijmë të tejkalojmë barrierat dhe të minimalizohen kërkesat. Vetëm kështu mund të nisim shqyrtimin, në të kundërtën – ky ligj nuk mund të kalojë”, thotë Rexhepi. Nga Ministria e Kulturës pohojnë vetëm se Ligji është në procedurë parlamentare, ndërkohë që bisedimet mes partnerëve në koalicion vazhdojnë. “Propozim-ligji e ka kaluar një seancë në komision dhe ende është në procedurë parlamentare. Nuk jemi në dijeni se kur do të jetë në rend dite”, sqarojnë nga Ministria e Kulturës. Të pakënaqur nga Ligji janë edhe BDI dhe BESA, të cilët bashkëqeverisin me Ministrinë e Kulturës.

    Kriza e krijuar nga partneriteti disamujor është reflektuar herë pas here, e kulmuar me shpalljen e rezultateve të Konkursit vjetor me interes nacional dhe përqindjes të cilën arritën të siguronin projektet që lidheshin me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare. Mësohet se tensionet e krijuara mund të zgjidhen me përfshirjen e mekanizmave ligjorë që në të ardhmen do të impononin një formë të re të punës së komisioneve të Ministrisë së Kulturës. Nga grupi parlamentar i BDI-së pohojnë shkurt se janë në bisedime për të korrigjuar zëra të veçantë në ligj, por pa përcaktuar konkretisht se për çfarë bëhet fjalë. “Jemi duke biseduar të sqarojmë disa dilema dhe për të gjetur zgjidhjet e duhura ligjore, me anë të të cilave kërkojmë të korrigjojmë problemet dhe pakënaqësitë që shfaqen në kulturë”, thotë koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi. Ligji i ri i kulturës u propozua në vitin 2017 nga ish-ministri Robert Allagjazovski, së bashku me Strategjinë e re në kulturë. Kaloi nëpër një sërë debatesh publike dhe përpara miratimit nga Qeveria pësoi disa herë ndryshime./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Tash e tre vite me radhë zjarrfikësit në Strugë nuk kanë komandant | Merko: Nuk mund të gjejmë person të përshtatshëm

    Lajmi i rradhës

    Çfarë është vitiligo | Njihuni me sëmundjen e veçantë të lëkurës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë