Të dielën nuk do të votohet në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë

    Kutia e votimit. Një qytetar i RMV duke votuar / Fotografia: Nistori

    Të dielën, më 2 nëntor, kur do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, nuk do të votohet në komunat Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë, pasi në raundin e parë të votimit, më 19 tetor, nuk u arrit censusi minimal.

    Në këto katër komuna do të nisë një procedurë e re zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të komunës, brenda 60 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale 2025, në përputhje me Kodin Zgjedhor.

    Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në këto komuna në raundin e parë nuk dolën në votime më shumë se një e treta (33,33%) e votuesve të regjistruar, që është kusht ligjor që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme.

    Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33,31%
    Në Vrapçisht – 25,18%
    Në Mavrovë-Rostushë – 30,31%
    Në Qendër Zhupë – 21,49%

    Në bazë të nenit 132, paragrafi (2) të Kodit Zgjedhor, nëse në raundin e parë të votimit për kryetar komune ose për kryetarin e Qytetit të Shkupit nuk del të paktën 1/3 e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar, e gjithë procedura zgjedhore përsëritet për atë komunë.

    Ndërkaq, neni 132-a përcakton se zgjedhjet e përsëritura për komunën përkatëse duhet të mbahen brenda 60 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare, dhe në këtë rast nuk do të zbatohet kushti për pjesëmarrjen prej një të tretës së votuesve.
    Kështu, i gjithë raundi i parë i votimeve në këto komuna do të përsëritet, ndërsa procedura e re zgjedhore do të nisë brenda 60 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale 2025.

    Raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokale 2025 do të mbahet të dielën, kur do të zgjidhen kryetarët e 32 komunave dhe i Qytetit të Shkupit.

    Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve, kryetarët e komunave janë zgjedhur në 44 komuna.

    Lajmi Paraprak

    Fillon shpërndarja e fletëvotimeve, votimi të dielën do të zhvillohet në 32 komuna dhe qytetin e Shkupit

    Lajmi i rradhës

    DASh: vendimet e fundit të Republikës Sërpska ndikuan në heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë