Të gjithë jemi të barabartë

    Një turne jo e zakonshëm basketbolli me ekipe jo të zakonshme. Skuadra lojtarësh me aftësi të kufizuar që bashkëpunojnë me të rinj pa aftësi ndryshe.

    Mosha të ndryshme, gjini të ndryshme dhe të rinj me ose pa aftësi të kufizuara, ky është ekipi gjithpërfshirës dhe i pazakontë i disa të rinjve nga Elbasani.

    Lojtarët me aftësi të kufizuar që bashkëpunojnë me të rinj pa aftësi ndryshe i bashkon dashuria për sportin.

    “Më pëlqen të luaj basketboll, e kam qejf” – thotë Mateo.

    Mateo, Artani, Ergi, Denada, Romina dhe Gabrieli janë nxënës të shkollës speciale “Zëra Jete” në Elbasan. Në kuadër të projektit atlet-partner ata janë pjesë e një skuadre basketbolli me të rinj me ose pa aftësi të kufizuara.

    Punë jo e lehtë

    “Të drejtosh një skuadër basketbolli me fëmijë me aftësi ndryshe është një punë sa e vështirë aq edhe e bukur në fund merr kënaqësi nga fëmijët. Bashkëpunimi me fëmijët e tjerë në fillim ka qenë paska i vështirë, por me kalimin e kohës çdo gjë ka ardhur gati në perfeksion. Ajo që më pëlqen është këmbëngulja dhe dëshira e fëmijëve me aftësi ndryshe për të mësuar për të përthithur çdo gjë të re.” – thotë trajneri Mil Baxhaku.

    “Nga ky ekip më pëlqejnë shumë gjëra, ne stërvitemi dy herë në javë në shkollë dhe kjo na bën që jemi të gjithë të barabartë. Është kënaqësi të luash me këta fëmijë pasi në lojë, në ekip mbizotëron vetëm lumturia, ëmbëlsia dhe dashuria që këta fëmijë na falin ne”, thotë Bora Loli e cila i është bashkuar ekipit bashkë me të vëllain Arlindin.

    “Unë kam zgjedhur që të luaj me këtë skuadër sepse më pëlqen të luaj edhe me fëmijë me aftësi të kufizuar dhe me fëmijë të tjerë. Mua nga ekipi më pëlqen shumë, sepse jemi të gjithë bashkëpunues dhe merremi vesh me njëri-tjetrin dhe bëjmë aksione të bukura”, tregon Arlindi.

    Gjithëpërfshirje dhe afrim i të rinjve të Ballkanit përtej barrierave

    Ekipi i Elbasanit mori pjesë në Tiranë në turneun e Ballkanit 3×3 të “Special Olympics”. Pas tri ndeshjeve të luajtura, ata dolën në vendin e dytë.

    Ky turne i realizuar nga UNDP dhe UNFPA në bashkëpunim me Special Olympics është i pari në Europë i këtij lloji. Ai synon jo vetëm gjithëpërfshirjen, por edhe afrimin e të rinjve të Ballkanit, përtej barrierave. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Prindërit në RMV kërkojnë kushte më të mira për fëmijët me aftësi ndryshe

    Lajmi i rradhës

    Ikonomi: Noli ka kërkuar që Shqipëria të ishte nën protektorat amerikan!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë