Të gjithë për zgjedhje, vetëm VLEN-i kundër

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vazhdojnë të jenë kryetemë në politikën ditore të vendit. Thirrja e kryeministrit Hristijan Mickoski drejtuar kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe si dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, për zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale, ka shtyrë partitë politike të bëjnë kalkulimet e tyre partiake. Paralajmërimet për zgjedhje të parakohshme parlamentare vetëm 5 muaj pas formimit të Qeverisë, nga LSDM i shohin si dëshmi se Qeverisë nuk i shkon puna mirë. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka thënë se partia që drejton ai është e gatshme për votim.

    “Anketa jonë tregon se 65% e qytetarëve nuk janë të kënaqur nga puna e Qeverisë, që do të thotë se çdo i dyti qytetarë nuk është i kënaqur me politikat ekonomike. Ka rënë standardi jetësor, me atë që ky koketim me BDI-në është mesazh parasegjithash për VLEN-in dhe ZNAM-in, të cilët padyshim kanë rol të margjinalizuar në Qeveri. Sa i përket LSDM-së, ne jemi të gatshëm për çfarëdo zgjedhje nga sot e tutje dhe në secilin cikël zgjedhor të ardhshëm do të marrim pjesë në mënyrë më të organizuar dhe të suksesshme”, tha Filipçe.

    Në ndërkohë, VMRO-DPMNE dje i përgënjeshtroi deklarimet e opozitës se marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritarë janë të prishura, ndërsa i bënë thirrje Filipçes se në qoftë se me të vërtetë është i gatshëm për zgjedhje, të iniciojë shpërbërjen e Parlamentit.

    “Marrëdhëniet në mes koalicionit qeveritar janë mjaft korrekte. Kjo mund të shihet edhe në politikat që komunikohen në opinion. E dyta, nëse vërtetë janë gati të shkojnë në zgjedhje, i kanë 18 deputetë në grupin parlamentarë, le të parashtrojnë kërkesë për shpërndarje të Parlamentit dhe të nesërmen jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”, theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.

    Për zgjedhje të dyfishta, konkretisht lokalet bashkë me parlamentare vitin e ardhshëm është shprehur edhe Levica e Dimitar Apasievit, ndërsa në kapin shqiptar, votim kërkon vetëm BDI e Ali Ahmetit.

    “Kur jemi të zgjedhjet e parakohshme, kjo thirrje erdhi nga vet prononcimi i kryeministrit të Qeverisë pa legjitimitet etnik, ku i bëri thirrje partive opozitare të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me ato lokalet, sepse ka edhe logjikë financiare, siç  u shpreh edhe kryetari ynë, Ali Ahmeti. Duke pasur parasysh Qeverinë pa legjitimitet etnik, duke pasur parasysh situatën me integrimet e vendit, situatën e marrëdhënieve ndëretnike, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe të nevojshme për perspektivën e shtetit dhe në atë dorezë të hedhur nga kryeministri Mickoski, e përshëndetën dhe PO, jemi për zgjedhje të parakohshme, ashtu siç kemi qenë të gatshëm gjithmonë për të dale në fushatë”, theksoi koordinatori i grupit parlamentar të Frontit Europian, Blerim Bexheti.

    Megjithatë, kundër zgjedhjeve të dyfishta sërish është shprehur koalicioni VLEN. Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Demokratike, tha se qeveria është stabile dhe se është jashtë çdo logjike që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi me këtë do të pësojnë qytetarët dhe komuniteti i biznesit. Thirrjen e kryeministrit Hristijan Mickovski drejtuar kreut të LSDM-së dhe BDI-së për zgjedhje të parakohshme, Mexhiti tha se e sheh si të nxjerrë nga konteksti.

    “Prej viteve të 90-a nuk ka shënuar asnjë Qeveri ndonjë përkrahje më të madhe në Parlamentin e vendit. Për momentin janë 78 deputetë që e përkrahin këtë Qeveri. Kjo po rritet, pritet që kjo të tejkalojë numrin 80. Kjo është shumicë stabile, e cila mund të ndërrojë edhe Kushtetutën, edhe ligjet edhe gjithçka që është në interes të qytetarëve, kështu që gjithçka tjetër është e paarsyeshme dhe jo e logjikshme. Hyrja në zgjedhje nënkupton disa muaj bllokim të proceseve, bllokim të punësimeve, bllokim të procedurave për investime, por më të dëshpëruar nga kjo do të dalin biznesi i vendit, sepse ato duan të punojnë”, ka thënë zëvendëskryeministri Mexhiti, duke shtuar se si VLEN janë të fokusuar në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit të ardhshëm.

    Lajmi Paraprak

    Gazetari Burden: njerëzit duhet të kuptojnë se çfarë po i ndodh klimës, për të zvogëluar ndikimin e ndryshimeve klimatike

    Lajmi i rradhës

    FSHATRAT E MBAJNË “GJALLË” SHTETIN! / Përveç Shkupit, shtimi i popullsisë numëron mbrapsht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë