Të huajt nuk lejohen më të studiojnë në Harvard

    Pse autoritetet amerikane marrin vendim të mos u lejojnë më të huajve të studiojnë në universitetin e njohur Harvard. Universiteti e quan këtë si masë hakmarrëse.

    Sipas administratës Trump,  studentët e huaj në Universitetin elitar të Harvardit së shpejti do t’i përkasin së shkuarës. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së,  Kristi Noem, e justifikoi tërheqjen e lejes për të pranuar studentë të huaj, duke përmendur, ndër të tjera, “refuzimin” e Harvardit për të krijuar një mjedis të sigurt për studentët hebrenj dhe politikat e universitetit për mundësi të barabarta.

    Universiteti u lejoi “agjitatorëve antiamerikanë dhe pro-terroristë”  që të sulmonin studentët hebrenj në kampus. Pa dhënë asnjë provë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare akuzoi gjithashtu Harvardin për bashkëpunim me Partinë Komuniste Kineze. Thuhet, se ky hap u ndërmor pasi universiteti refuzoi të jepte informacion në lidhje me disa studentë të huaj. Në një letër drejtuar Harvardit, Noem deklaroi se sanksioni ishte “rezultati fatkeq i dështimit të Harvardit për të përmbushur kërkesat e thjeshta të raportimit”.

    Sekretarja e Siguris Kombëtare tha se Harvad mund ta rifitonte autorizimin për të pranuar studentë ndërkombëtarë nëse do të paraqiste një mori dokumentesh mbi studentët ndërkombëtarë brenda 72 orëve.

    Harvard: Masë hakmarrëse

    Gati 6,800 studentë ndërkombëtarë janë të regjistruar në Harvard, më shumë se një e katërta e trupës studentore. Studentët që janë regjistruar tashmë do të duhet të ndryshojnë universitet ose të humbasin statusin e qëndrimit, deklaroi universiteti. “Veprimet e qeverisë janë të paligjshme”, thuhet dhe se “jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur aftësinë e Harvardit për të mirëpritur studentë dhe studiues ndërkombëtarë, të cilët vijnë nga më shumë se 140 vende dhe e pasurojnë Universitetin – dhe këtë vend – pa masë.” Universiteti e quajti këtë veprim një “masë hakmarrëse”. Kjo kërcënon të shkaktojë dëme serioze për universitetin dhe minon misionin akademik dhe kërkimor të Harvardit. DW

    Lajmi Paraprak

    Izraeli i ka bërë kundër vetes shumicën e shteteve të BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë