Të mbijetuarit: Ukrainasit nga Buça dhe Irpini rikujtojnë pushtimin mizor të Rusisë

    Një zonë pranë kryeqytetit të Ukrainës, Kiev. Mars, 2022.

    Një fotografe ukrainase po dokumenton historitë tronditëse të banorëve nga zonat përreth Kievit, të pushtuara nga forcat ruse gjatë nisjes së agresionit rus të vitit 2022.

    Fotografja Alena Grom (lart) është nga Donjecku, në lindje të Ukrainës. Pasi u largua prej luftimeve që shpërthyen atje në vitin 2014, ajo u zhvendos në Buça, në afërsi të Kievit.
    Grom deklaroi për Radion Evropa e Lirë se më 24 shkurt ajo dhe familja e saj u bënë “refugjatë për herë të dytë” teksa po largoheshin nga pushtimi rus.

    Pas tërheqjes së rusëve nga rrethinat e Kievit, Grom u kthye në shtëpinë e saj në Buça.

    Sot, me një valixhe gati, në rast se i duhet të ikë edhe një herë, ajo ka ecur përgjatë rrugëve, duke takuar vendasit që qëndruan brenda dhe përreth Buças gjatë pushtimit.
    Këto janë historitë e tyre të mbijetesës përmes vështirësive dhe rrezikut të paimagjinueshëm, siç i rrëfyen për fotografen Grom:

    Rustemi, banor në Buça.
    Rustemi, banor në Buça.

    Rustemi, Buça

    Shtëpia e Rustemit ndodhet në rrugën Vokzalnaya, ku u shkatërrua një autokolonë me pajisje ruse. Kur po zhvillohej ajo betejë, Rustemi ishte fshehur në bodrum me djalin, gruan dhe të afërmit e tjerë. Një mjet luftarak i këmbësorisë shpërtheu pranë pronës së tyre. Si pasojë e zjarrit të madh, garazhi – ku ndodhej dhe automjeti i tyre – u shkatërrua. Shtëpia u përfshi nga tymi dhe kur dolën në rrugë panë se edhe shtëpitë e fqinjëve kishin marrë flakë.

    Pasi i mbijetuan kësaj, banorët e Buças menduan se gjithçka kishte marrë fund dhe rusët ishin tërhequr. Por, më 4 mars, ushtarët rusë u kthyen dhe u vendosën në një shtëpi aty pranë. Banorët arritën të shkonin në shtëpinë e Rustemit.

    Ata u fshehën nga rusët gjithë natën. Më pas, më 5 mars, ushtarët trokitën në derë. Banorët bërtisnin: “Ne jemi pleq dhe fëmijë. Jemi të paarmatosur”. Rusët i nxorën të gjithë nga shtëpia, i rreshtuan, kontrolluan dokumentet dhe më pas ua thyen telefonat.

    Çuditërisht një telefon mbeti i paprekur dhe gruaja e Rustemit e futi në çantën e saj.

    Atyre iu dhanë pesë minuta për të paketuar rrobat. Pronari i shtëpisë donte të merrte një mace të quajtur “Top Dëbore”. Rustemi u përpoq ta fuste macen brenda në një çantë, por ajo u hodh jashtë dhe iku.

    Evakuimi i vështirë nga Irpini
    FotogaleriEvakuimi i vështirë nga Irpini

    Ushtarët i zhvendosën të gjithë në bodrumin e një ndërtese shumëkatëshe në një rrugë aty pranë. Aty kishte një turmë të tërë ushtarësh rusë dhe automjete të blinduara në çdo oborr. Në pronën e fqinjëve në rrugën Sadovaya ndodhej një automjet ushtarak i komandës ruse. Pasi kaloi disa net në bodrum, Rustemi u kërkoi rusëve që të lejonin njerëzit të largoheshin. Ushtarët liruan 10 prej tyre, përfshirë një grua me një fëmijë 3 vjeç, por një familje u mbajt në bodrum për katër ditë të tjera.

    Rustemi dhe pjesa tjetër e grupit që u liruan, shkuan në këmbë për në Irpin, ku qëndruan gjatë natës. Irpini u bombardua gjatë gjithë natës. Grupi priti mëngjesin, pastaj vazhdoi. Ata u morën nga vullnetarë dhe u dërguan në urën e famshme të shkatërruar pranë Irpinit dhe prej andej u transportuan në Kiev.

    Grafitet e lëna nga ushtarët rusë.
    Grafitet e lëna nga ushtarët rusë.

    Pasi kaloi një muaj me vëllain e tij në Poltava, në Ukrainën lindore, Rustemi u kthye në Buça pas tërheqjes së rusëve.

    Në hyrje të shtëpisë së tij, priste macja, “Topi i Dëborës”.

    Brenda, kishte shishe bosh të verës, çizme ushtarësh të braktisura dhe mbishkrime në dhomën e djalit të tij ku shkruhej: “Ishin urdhra” — pasuar nga një “Sorri” e shkruar gabimisht në gjuhën angleze.

    Irina, Buça

    Pasi rusët pushtuan Buçën, Irina kishte frikë të dilte jashtë. Ajo u ul në shtëpi me nënën e saj të sëmurë dhe priste të vdiste. Ajo jetonte në rrugën Yablonska, e cila më vonë u shndërrua në rrugën famëkeqe të vdekjes në Buça.

    Katër ditë pas pushtimit, një fqinj erdhi për të nxjerrë ujë nga pusi dhe i tha Irinës se rusët i lanë njerëzit të dilnin jashtë “nëse mbajnë një fashë të bardhë në krah”. Irina filloi të shkonte në oborrin e saj për të gatuar ushqim mbi një zjarr në ambient të hapur dhe për të mbledhur ujë. Ushtarët rusë u vendosën në dy ndërtesa aty pranë. Ata nuk donin të jetonin në shtëpinë modeste të Irinës, por vendosën një automjet të blinduar në oborrin e saj dhe e kamufluan me lecka.

    Ushtarët rusë vinin shpesh në pus për të mbushur enë plastike në formë katrore me ujë. Irina foli me ta dhe u tha se ishte e frikësuar. Ata thanë se ishin të tmerruar, gjithashtu.

    Ushtarët, sidomos ata që mbërritën në valën e parë të pushtimit, ishin shumë të frikësuar. Ishte e pamundur të mësoheshe me të shtënat.

    Një oborr në Buça që ishte i pushtuar nga ushtarët rusë.
    Një oborr në Buça që ishte i pushtuar nga ushtarët rusë.

    Në datat 18-19 mars u bë rotacioni i ushtarëve dhe vala e parë u zëvendësua me trupa të reja. Kudo që rusët vendosnin automjetet e tyre, ata u goditën me bombardime shumë të sakta [ukrainase] dhe pati viktima mes tyre. Irina nuk i pa trupat e rusëve sepse ushtarët nuk i lanë shokët e tyre të shtrirë në rrugë, por ata pësuan humbje të rënda.

    Kur po gatuante jashtë, ajo mundi të dëgjonte çfarë po flisnin ushtarët rusë nga shtëpitë në të dy anët.

    Në ditët e para të pushtimit, Irina pranoi se ushtarët ishin thjesht viktima të rrethanave, derisa pa mizoritë që po kryheshin.

    Rusët vranë tre burra dhe i varrosën pranë shtëpisë së një fqinji. Më pas ata vranë shokun e saj Dima, i cili ishte ulur pranë një shtëpie duke pirë duhan. Në një kryqëzim aty pranë, ushtarët dëbuan njerëzit nga një shtëpi. Njerëzit dolën me duar të ngritura, më pas ata hodhën një granatë brenda. Pronari i pronës u qëllua dhe trupi i tij qëndroi në rrugë për një muaj. Irina, gjithashtu, shikonte nga dritarja teksa ushtarët rusë varrosnin trupin e një fqinji aty pranë.

    Nëna e Irinas nuk ishte në gjendje të merrte ndihmë mjekësore. Ajo vdiq më 14 mars. Irina u kërkoi dy burrave që jetonin në bodrumin e një ndërtese apartamentesh ta ndihmonin me varrimin e saj. Ajo mori leje nga ushtarët rusë për të varrosur nënën e saj në oborr. Një automjet i blinduar u shfaq sipër tyre teksa po gërmonin. Në prill, kur u bë kjo foto, trupi i nënës së Irinas ishte ende i varrosur në oborr.

    Pas vdekjes së nënës së saj, Irina u zhvendos në një vend më të sigurt në bodrumin e një ndërtese tjetër banimi. Ndonjëherë Irina shkonte në shtëpi për të bërë ushqim ose për të ndërruar rrobat e saj. Më pas rusët erdhën në bodrum për t’i ndaluar njerëzit të dilnin në rrugën Yablonska, duke u thënë njerëzve se ishte nën bombardime të rënda. Iryna mendon se kjo mund të ketë qenë një përpjekje për të fshehur mizoritë e tyre nga banorët vendas.

    Kur trupat ukrainase mbërritën, Irina nuk mund të besonte se Buça ishte çliruar dhe se ky makth kishte marrë fund. Ajo qau kur pa ushtarët ukrainas me një flamur.

    Juri, Pusça-Vodytsa

    Ai është një i ve që jeton në një vend të bukur pranë pyllit në skajin veriperëndimor të Kievit. Çdo gjë në shtëpi është bërë me dorë. Në verandë ka mobilie që i ka bërë vetë. Pas avancimit rus, asnjë shtëpi e vetme në lagje nuk mbeti e paprekur. Të gjithë u prekën në shkallë të ndryshme. Nëse muret dhe çatia e një shtëpie rezistonin pa u shkatërruar, atëherë pronarët e konsideronin veten me fat.

    Në fillim të marsit, një fqinj tha: “Ejani. Vjehrra ime bëri supë. Do të hamë dhe më pas do të largohemi. Bombardimet e rënda kanë filluar”.

    Juri po përgatitej të evakuohej. Ai kishte ar, para dhe dokumente mbi tavolinë, por ndërsa po shkonte të takonte fqinjin e tij në fund të rrugës, një ushtar i shkurtër rus me një leckë të bardhë rreth krahut doli nga pylli dhe bërtiti: “Duart lart!” Juri ngriti duart dhe më pas u urdhërua “që të shtrihej!” Ai vuan nga dhimbje të nervit shiatik, kështu që lëvizte shumë ngadalë. Më pas dëgjoi të shtëna armësh. Plumbat goditën krahun, thembrën dhe kofshën e Jurit. Mrekullisht, asnjë plumb nuk goditi organet e tij vitale.
    Ndërkohë, në oborrin e shtëpisë së tij qëndronte fqinji Serhiy. Juri bërtiti: “Seryozha, ata më kapën!”.

    Ushtari rus e dëgjoi këtë dhe u thirri shokëve të tij: ” Është edhe dikush tjetër. Është edhe dikush tjetër. Është edhe dikush tjetër! Vazhdoni punën!”. Dhe, përsëri pati një breshëri armësh automatike.

    Serhiy bërtiti “[Juri] Ivanoviq, nuk mund të largohem nga oborri. Zvarritu drejt meje!”.
    Nën zjarr, Juri u zvarrit në cep të gardhit, ku dikush e kapi nga kapuçi dhe e tërhoqi zvarrë brenda në oborr. Pastaj ai humbi ndjenjat.

    Ai u zgjua brenda një shtëpie dhe pa fqinjin e tij duke grisur një çarçaf për ta përdorur si fasha. Vrima në krahun e tij ishte e madhe; plaga në thembër ishte e hapur. Kur Serhiy dhe vjehrra e tij po i mjekonin plagët, ushtarët rusë hynë në shtëpi, duke bërtitur: “Duart lart!”

    Të gjithë ngritën duart dhe rusët pyetën: “A ka ushtarë [ukrainas] këtu?” Pastaj ata i ulën të gjithë në gjunjë.

    Rusët kontrolluan shtëpinë dhe ua ndaluan të gjithëve që të dilnin jashtë. “Do të kontrollojmë”, thanë ata, por nuk u kthyen më.

    Për më shumë se një javë, Juri qëndroi në shtrat. Ai nuk hëngri pothuajse asgjë. Ata ndodheshin mes fronteve të ukrainasve dhe rusëve. Nuk kishte lidhje interneti apo linjë telefonike. Predha artilerie, mortaja, raketa Uragan dhe bomba thërrmuese po fluturonin sipër tyre.

    Serhiy bëri një palë paterica me disa dërrasa për Jurin që ai të mund të lëvizte. Për shkak të mungesës së antibiotikëve, plagët e Jurit u infektuan dhe duhej të laheshin me kamomil dhe trajtime të tjera.

    Një ditë, një grup ushtarësh rusë hynë në oborrin e Serhiyt. Ai numëroi 32 burra. Ata kishin uniforma dhe armë të mira dhe secili prej tyre ishte i armatosur me nga një granatëhedhës. Tre prej tyre hynë në shtëpi dhe panë një shishe pijeje alkoolike në korridor.

    “Çfarë kemi këtu?” ata pyeten. “Horilka? (një pije tradicionale ukrainase). Mund ta provojmë?”

    “Edhe nëse them jo, ju prapë do ta pini”, u përgjigj Juri.

    Ushtarët pinë disa gota. “Oh, është e mirë”, thanë ata.

    Në gotën e tretë ngritën dolli për shokët e vdekur. Dy prej tyre u larguan dhe më i madhi shkoi te Juri dhe i tha: “Më vjen keq o plak. Nuk jemi ne ata që luftojmë. Është qeveria jonë ajo që e ka nisur këtë luftë”.

    Juri u përgjigj: “E megjithatë jeni ju që ndodheni këtu, jo qeveria”. Ushtari rus u përgjigj: “Ne po ndjekim urdhrat!” dhe pastaj u kthye dhe u largua.

    Nëse do ta dinin se ushtarët do të vinin, do të kishin hedhur helm në pije.

    Një pikë kontrolli e shkatërruar në Buça, ku më parë ishin vendosur ushtarë rusë
    Një pikë kontrolli e shkatërruar në Buça, ku më parë ishin vendosur ushtarë rusë

    Në mes të marsit erdhi një valë e të ftohtit. Temperaturat zbritën në -10 gradë celsius. Nuk kishte energji elektrike. Ata jetonin në xhaketat e tyre. Në të njëjtën kohë, ka pasur bombardime të rënda deri në atë pikë sa e bënë jetën të pamundur. Nuk kishte vend ku të fshiheshe. Kur Serhiy doli për në tualet në oborr, një predhë shpërtheu dhe copëzat e kapën atë në krah dhe në ijë.

    Tani në shtëpi ishin dy të plagosur. Serhiy u përkeqësua. Plagët iu infektuan ndërsa vjehrra e tij kujdesej për të. Juri tha një lutje: “Zot i madhërishëm, nuk ka situata të pashpresa. Na largo nga këtu, sepse ka gjithmonë një rrugëdalje.”

    Më 23 mars, ushtria ukrainase i dëboi rusët nga zona dhe disa ushtarë ukrainas mbërritën në shtëpinë e Serhiyt. Ushtarët u thanë atyre se duhej të evakuoheshin shpejt. Kur luftëtarët ukrainas e panë Jurin me paterica të improvizuara, ata i thanë: “Jo, gjysh. Mos”.

    Ushtarët zbrazën një karrocë dore që po e përdornin për të mbledhur mina kundër tankeve, ulën Jurin brenda dhe nxituan në autobusin e evakuimit. Autobusi eci ngadalë nëpër pyll, pastaj me shpejtësi të plotë përgjatë autostradës për në spital.

    Serhiy iu nënshtrua një operacioni dhe Juri u kthye në fshat. Gjurmët e ushtrisë ruse janë të dukshme gjithandej. Të gjitha gjërat me vlerë dhe paratë, madje edhe një portret i gruas së vdekur të Jurit, janë zhdukur.

    Ai është duke restauruar shtëpinë e tij. Trëndafilat po rriten nëpër rrënoja. Jeta vazhdon. Tendina në njërin krah ende nuk funksionon, por ai mund të përdorë një sëpatë dhe një çekiç. Gjëja më e rëndësishme, thotë ai, është të mbash pak vodka afër, të pish për fitoren!

    Mei, Irpin

    Mei është 92 vjeçe. Në mars, trupat ruse bombarduan qytetin e saj të Irpinit, në afërsi të Kievit. Tri predha goditën shtëpinë e saj dhe ndërtesa u dogj me shpejtësi. Mei arriti të rrëmbente një çarçaf për t’u mbështjellë dhe më pas doli me vrap në rrugë.

    Ajo qëndroi në mes të rrugës derisa disa fqinjë e morën në shtëpinë e tyre. Atë natë, aty pranë u dogjën edhe tri shtëpi të tjera.

    Dëmet nga bombardimet në një fushë sportive në Irpin.
    Dëmet nga bombardimet në një fushë sportive në Irpin.

    Me ndihmën e fqinjëve të saj, Mei u nis për në Lviv në Ukrainën perëndimore. Pastaj në verë, gruaja u kthye në Irpin dhe tani jeton në një vendbanim për njerëzit e zhvendosur. Mei thotë: “Toka ime po më thërriste”.

    Mei rriste lule-duhani ukrainas, trëndafila dhe zambakë. Ndonjëherë ajo vinte në oborrin e saj dhe gjente lule për t’ua dhënë fqinjëve të saj. Autoritetet premtuan se do të ndihmojnë për restaurimin e shtëpive pas luftës, por kur do të ndodhë kjo dhe nëse gruaja do të jetojë deri atëherë për ta parë këtë, është pikëpyetja e madhe.

    Volodimir, Buça

    Më 5 mars, Volodimiri po shëtiste qenin e tij në Buça, kur papritmas një “Kadyrovit” — ushtar rus besnik i liderit famëkeq çeçen Ramzan Kadyrov — doli nga cepi i një ndërtese dhe i drejtoi automatikun. Volodimiri u hodh në verandë për t’u mbrojtur. Në të njëjtin moment u dëgjua fërshëllima e fortë dhe një shpërthim i një rakete. Shtëpia shumëkatëshe u trondit fort. Volodimiri doli nga veranda dhe pa që katet e sipërme po digjeshin. Ai shkoi rreth shtëpisë nga ana tjetër dhe fotografoi zjarrin. Fotoja e realizuar nga Volodimri u publikua nga BBC-ja.

    Në atë kohë, rusët qëllonin mbi banorët vendas pa dallim. Ishte vdekjeprurëse të dilje në rrugë. Nëse ushtarët të dallonin, do të ishe i vdekur.

    Vendqëndrimi i një snajperi rus në Buça...
    Vendqëndrimi i një snajperi rus në Buça…

    Një ditë, Volodimiri pa nga ballkoni i tij teksa ushtarët rusë qëlluan një burrë në rrugën poshtë. Një moment më vonë, ai dëgjoi një zhurmë dhe Volodimiri vuri re një plumb që dilte nga parmakët përpara tij. Një snajper kishte dashur të hiqte qafe dëshmitarin. Volodimiri mendon se ata qëlluan mbi të me një armë me shurdhues.

    Rusët vranë banorë të tjerë në pallatin e tij dhe shkatërruan automjetet në oborr. Kur filluan bombardimet, banorët e apartamenteve nuk zbritën në bodrum. Ata thjesht qëndruan në apartamentet e tyre dhe lanë fatin të vendosë. Për t’i parandaluar që ushtarët rusë të hynin në ndërtesë pasi binte errësira, ata mbyllnin fort derën çdo natë.

    Në gjysmën e parë të marsit, Volodimiri shkoi me fqinjët e tij nëpër lagje, duke mbledhur kufomat. Disa vdiqën për shkaqe natyrore; të tjerët u vranë nga rusët.

    Një herë ushtria ruse e mori Volodimirin për të identifikuar një kufomë. Ai pa që viktima ishte rus dhe tha: “Ky nuk është i yni”. Ushtarët i thanë: “Epo, çfarë duhet të bëjmë ne? Largoje nga këtu”.

    Volodimir u përgjigj: “Pse duhet ta vendos me të vdekurit tanë? Bëj çfarë të duash. Ju varroseni atë”.

    Kur u hap korridori i fundit humanitar, Volodimiri u largua nga Buça përmes qytetit të Vorzelit. Ai shkoi atje në këmbë me qenin e tij. Kur kaloi nga postblloku rus, një kadirovit donte ta qëllonte, por ushtarëve tjerë iu pëlqeu qeni dhe e lanë Volodimirin të jetonte.

    Teksti dhe fotot nga Alena Grom; përkthimi dhe prodhimi nga Amos Chapple. /REL/
    Lajmi Paraprak

    Kush është Daria Aslamova?

    Lajmi i rradhës

    Të jesh mbi 50-vjeç dhe të jesh duhanpirës janë dy faktorët të rrezikut për kancer

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë