TË RINJTË ME KANABIS! Rritet numri i përdoruesve të narkotikëve në Dibër

    Dibra para dy dekadave ishte një qytet pa probleme me persona që përdornin lëndë narkotike. Ato vite regjistroheshin një deri më dy persona me prejardhje dibrane por që jetonin në qytet të tjera. Ato vite për drogën as që flitej, por që kohët ndryshojnë. Nga viti në vit dibran të rinj filluan të jenë përdorues të drogave të lehta. Duke marrë parasysh se institucionet kompetente në Dibër shpeshherë zbulonin droga të lehta që nëpërmjet kufirit shqiptaro-maqedonas hynin në vendin tonë, ndodhte që në këto aktivitete joligjore të jenë prezent edhe dibran.

    Viteve të fundit dukshëm është rritur numri i përdoruesve të drogave të lehta siç është marijuana, thonë përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale por edhe të institucioneve të tjera që veprojnë në Dibër. Por, edhe pse ka pohime të këtilla asnjë nga institucionet kompetente nuk jep të dhëna konkrete për numrin e përdoruesve. Prandaj edhe shoqatat qytetare të cilët realizojnë projekte në këtë sferë nuk kanë të dhëna me numra por vlerësimet janë se numri i të rinjve që përdorin narkotikë është në rritje.

    Në Qendrën për Punë Sociale në Dibër na informuan se pesë përdorues të narkotikëve janë në Qendrën e rehabilitimit nga substancat narkotike në Ohër. Punëtori cocial i angazhuar në këtë sferë, Ismail Mersimoski thotë se bëhet fjalë për pesë personat të cilët janë përdorues disa vjeçar të lëndëve narkotike. Por, kur bëjmë fjalë për këtë dukuri, thotë ai, problem është verifikimi i numrave të përdoruesve të drogës.

    “Në këtë drejtim duhet një bashkëpunim më i madh mes policisë, institucioneve shëndetësore dhe institucioneve të tjera me Qendrën sociale. Është një problem shumë serioz i cili shkakton probleme të mëdha shëndetësore me pasoja të mëdha”, thotë ai. Nëpër Dibër përfliten emra dhe mbiemra por, nuk mund të flasim për ndonjë listë konkrete të përdoruesve të drogës.

    Shoqatat qytetare që veprojnë në Dibër poashtu një vëmendje të madhe i kushtojnë këtij problemi. Në projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me sqarimet që u jepen të rinjve që të mos përdorin droga, theksohet fakti se narkotikët shkaktojnë dëme të mëdha në shëndetin e njeriut e veçmas tek të rinjtë. Edhe gjatë realizimit të projekteve potencohet se shumë të rinj përdorin narkotikët e lehta e veçmas marijuanën. Prandaj edhe nuk ka të dhëna zyrtare.

    Shpesh herë ndodh që prindërit për shkaqe të njohura edhe pse marrin informata për përdorimin e drogave për fëmijët e tyre, ata i fshehin dhe në mënyra të ndryshme tentojnë që të ndërpresin përdorimin e drogave nga ana e fëmijëve të tyre.

    Njësia për preventivë pranë SPB-Ohër ka patur projekte të suksesshme në Dibër dhe rajon në lidhje me rritjen e vetëdijes tek të rinjtë të mos jenë viktimë e atyre që shesin droga. Këto takime janë mbajtur në shkollat të Dibrës dhe interesimi ka qenë shumë i madh. Poashtu sipas përfaqësuesve të SPB nga Ohri këta projekte kanë patur sukses. Tani kur në tregun përveç drogave të lehta siç është marijuana, ka edhe droga sintetike, të rinjtë duhet maksimalisht të rrisin vetëdijen që të mos bien pre e shitësve të drogës.

    Dibra është një qytet i vogël dhe shumë shpejtë depërtojnë informatat rreth atyre që përdorin drogën por qëndron edhe fakti se askush nuk drejton gishtin tek ata që përdorin drogën për shkaqet e njohura pasi që të gjithë në qytet njihen. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Fëmijë në fushatat e politikanëve në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Ndryshime që ngadalësojnë integrimet!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë