Të rinjtë në RMV nuk janë të kënaqur nga politikanët!

    Politika është prezente në çdo hapësirë dhe institucion në vendin tonë dhe doemos të rinjtë dëgjojnë se çfarë po ndodhë me ngjarjet në vend, mirëpo një pjesë e të rinjve shumë pak i njohin udhëheqësit politikë, por edhe nuk shprehin gatishmëri për t’u përfshirë as edhe në debate politike. Ndërsa pjesa tjetër shprehen të pakënaqur nga politikanët. Nga periudha para zgjedhore po shohim çdo ditë e më shumë të rinj që nuk janë të kënaqur nga kandidatët e partive politike, një numër i konsiderueshëm ende nuk dinë se cilën parti do të votojnë në zgjedhjet e majit.

    Aktivisti Gentuar Ismaili, deklaroi për gazetën Koha se një nga arsyet kryesore se përse të rinjtë nuk janë të kënaqur nga politikanët është se në vend nuk ka lider politik i cili njihet nga lloji kauzës politike, por njihet nga ajo se kush më shumë e shan njëri tjetrin.

    “Një ndër arsyet kryesore është se në RMV nuk ka lider politik i cili njihet nga lloji kauzës politike, por njihet nga ajo se kush më shumë e shan njëri tjetrin. Pastaj, partia politike nuk ka vija ideologjike, por më shumë njihet se kush më shumë ka qëndruar në pushtet ose opozitë. Arsyeja tjetër është se liderët e vjetër, lejojnë, kyçjen e një personi të ri në ‘fushën e uzurpuar’ që ata e kanë ‘punuar’ me vite. Prandaj të rinjve nuk ju jepet hapësirë për t’i dëgjuar dhe për të marrë vendime, hapësira që ju jepet është vetëm fasadë”, tha Ismaili.

    Nga ana tjetër, kandidati i BDI-së për president, Bujar Osmani, si baba i tre fëmijëve tha se është i shqetësuar për largimin e të rinjve nga vendi. Ai premtoi se detyra e tij do të jetë që të sigurojë këtu në vendlindje një të ardhme më të mirë, duke punuar për shtetin e së drejtës e për institucione të fuqishme.

    “Ne duam t’i mbajmë këtu bijtë dhe bijat tona, në atdheun tonë. Një numër i madh i bashkëqytetarëve tanë po largohen në kërkim të mundësive më të mira jashtë vendit, duke e varfëruar ndjeshëm potencialin ekonomik dhe intelektual të shtetit tonë, detyra jonë madhore sot është që këtë të ardhme të ua sigurojmë patjetër këtu në vendlindje, kjo nënkupton, luftë për shtetin e së drejtës, për institucione të fuqishme, kujdes për shëndetin e njeriut”, shprehu Osmani.

    Përkundër faktit se politikanët thirren vazhdimisht në interesat e të rinjve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, përsëri të rinjtë dhe studentët ndihen të përjashtuar dhe nuk mendojnë se politikanët përfaqësojnë interesat e tyre.

    Për këtë, kryetari i Forumit për Ndryshim Arsimor, Blendi Hodai tha se e gjitha kjo është si shkak i atyre që marrin vendime pa dëgjuar nevojat e studentëve dhe vendimet që merren nuk janë në interesin e studentëve.

    “Ekziston një ndjenjë se edhe pse ne do të angazhoheshim si të rinj asgjë nuk do të ndodhte sepse, për fat të keq, ata që marrin vendime, politikanët, as nuk dëgjojnë nevojat e studentëve dhe të rinjve dhe as nuk marrin vendime që janë në interesin tonë. Megjithatë, besojmë se për shkak se kemi zgjedhje, gjithçka do të përdoret për PR-në e tyre, për të treguar se po dëgjojnë studentët dhe të rinjtë. Për këtë, fatkeqësisht, mentaliteti i një politikaneje ku nuk na shohin si elektorat, si zëra dhe jo si grup që ka nevoja specifike”, theksoi Hodai.

    Ndër të tjera, nga Forumi për Ndryshime Arsimore, kanë nxjerrë statutin për të drejtat e studentëve, me të cilin propozojnë ndryshime të ligjeve, në të cilat në vend të 15 të drejtave ekzistuese të shkruara studentore, do të jenë më shumë se 60. Ndër to janë arsimi i lartë falas, heqja e labirinteve burokratike, si dhe një duzinë masash për përmirësimin e standardit studentor dhe stabilitetit financiar.

    Lajmi Paraprak

    Berisha: ASh është parti serioze dhe fuqi politike

    Lajmi i rradhës

    Taravari: Albin Kurti më inkurajoi që të kandidoj për president

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë