Dy të mitur nga fshati Gajre e Tetovës janë ndaluar nga policia nën dyshimin se më 26 maj kanë qëlluar me armë automatike në drejtim të një shtëpie në qytetin e Tetovës. Sipas informatave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ngjarja ka ndodhur të hënën, rreth orës 21:15, në rrugën “111” në Tetovë. Të dyshuarit dyshohet se kanë shtënë me pushkë automatike në drejtim të një shtëpie në pronësi të qytetarit M.T, përcjell Nistori.
“Policët privuan nga liria dy të mitur nga fshati Gajre me dyshimin se më 26.05.2025 rreth orës 21:15 në rrugën ‘111’ në Tetovë kanë qëlluar me pushkë automatike në drejtim të një shtëpie në pronësi të M.T. nga Tetova”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Autoritetet po punojnë në dokumentimin e plotë të rastit. Pasi të përfundojnë procedurat hetimore, do të hartohet një raport përkatës për të miturit e përfshirë. /Nistori/