Të varur nga ekranet! Telefonat celularë e ridefinojnë rritjen dhe të mësuarit te të rinjtë

    Një pamje që është bërë gjithnjë e më e shpeshtë – nxënësi rri i ulur në bangë, me kokën e ulur, vështrimin e ka të fiksuar në ekran, me nervozizëm lundron nëpër përmbajtjet në celular. Mësuesi flet, por fjalët nuk arrijnë deri tek ai. Vëmendja ka kohë që është zhvendosur te “TikTok”-u, tek njoftimi i ri në “Snapchat” ose “meme” e re që qarkullon në bisedën në grup. Kjo pamje është kaq e përditshme sa që nuk shkakton më habi, e është ripunuar me dhjetëra herë në përpjekje për të folur hapur për atë që vazhdimisht po e evitojmë – se si duket sot rritja nëpërmjet ekranit, shkruan Meta.mk

    Është vërtetuar se përdorimi i tepërt i telefonit shoqërohet me ulje të arritjeve në mësim dhe ndikon negativisht në shëndetin mendor. Sipas mjekëve përdorimi i afatgjatë dhe i tepruar i telefonit shkakton probleme në zhvillimin e personalitetit, shkakton ankth, depresion dhe sulme paniku.

    Të fiksuar pas telefonave

    Edhe në shkollat në Maqedoni kjo pamje nuk dallon shumë. Profesori i edukatës fizike dhe shëndetësore në shkollën e mesme profesionale “Mihajllo Pupin”, Ilija Ristovski, thotë se të rinjtë janë të fiksuar pas telefonave të tyre.

    “Edhe pse nxënësi ka se ç’të bëjë në klasë, ai përsëri e gjen një mënyrë për ta kontrolluar ose përdorur telefonin gjatë orës së mësimit”, thotë Ristovski.

    Që të mos i përdorin telefonat në sallën e sportit, ai thotë se para fillimit të mësimit i mbledh dhe i dërgon ato tek shërbimin pedagogjik, e pasi të ketë mbaruar mësimi mund të shkojnë t’i marrin.

    “Sot, fëmijët gjithnjë e më pak dinë për sportet, sepse përmbajtjet në “TikTok” janë më interesante për ta. Nëse duhet të shohin ndonjë gjë në internet, për shembull, një ushtrim apo diçka të ngjashme, ne nuk e bëjmë këtë gjatë orës së mësimit”, thekson Ristovski.

    Kolegu i tij nga “Zef Lush Marku”, Besim Limani, i cili ligjëron lëndën e gjuhës shqipe, është i mendimit se duhet gjetur një ekuilibër sepse keqpërdorimi i telefonit në klasë varet nga qëndrimi i profesorit.

    “Rregullat gjatë orës së mësimit i cakton profesori”, thekson Limani, duke shtuar se ka shembuj kur edhe ai vetë i ka udhëzuar nxënësit që ta përdorin telefonin, për shembull, që të kërkojnë dhe analizojnë një poezi nga letërsia antike.

    Megjithatë, ai thotë se fëmijët e kanë të vështirë të përqendrohen në mësim.

    “Kur e përdorin telefonin ata shpërqendrohen lehtësisht nga materiali që ligjërohet. Edhe nxënësit e shkëlqyer janë të shpërqendruar. Edhe nxënësit më të mirë që mësojnë dhe i marrin notat pesa, pyesin se çfarë duhet të mësojnë”, thotë profesori.

    Ai shton se nxënësit e sotëm nuk mundohen të hulumtojnë nga librat, “ata thjesht hulumtojnë në telefonat e tyre, nuk mundohen të jenë kreativ”.

    Kjo humbje e përqendrimit dhe motivimit është pikasur në hulumtime të shumta dhe është e dokumentuar mirë. Sipas një hulumtimi të tillë të publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA (National Institute of Health – NIH), marrëdhënia e studentëve me telefonat smart po kthehet në një obsesion që mund të ndikojë negativisht në funksionet kognitiv dhe stabilitetin emocional.

    Studiuesit Altman, Trafton dhe Hambreck vërtetojnë se edhe një shpërqendrim prej tre sekondash – siç është zgjatja e dorës drejt telefonit tuaj – mjafton për ta çrregulluar ndjeshëm përqendrimin gjatë kryerjes së një detyre mendore. Një ndërprerje e tillë jo vetëm që ndikon në detyrën aktuale, por edhe e vështirëson kryerjen e detyrave pasuese, sidomos në klasë. Provat empirike tregojnë se nxënësit që i përdorin telefonat gjatë orës së mësimit jo vetëm që marrin më pak shënime, por arrijnë edhe rezultate më të ulëta akademike në krahasim me ata që nuk i përdorin telefonat.

    Edhe kur nxënësit pretendojnë se mund të bëjnë “më shumë detyra njëkohësisht”, që do të thotë se mund të dëgjojnë një leksion dhe të dërgojnë mesazhe në të njëjtën kohë, hulumtimi tregon se ata kanë nevojë për një përpjekje më të madhe mendore për ta kujtuar informacionin. Një studim tjetër zbuloi se edhe kur telefoni nuk është në përdorim, prania e tij pranë, në një tavolinë, në xhep ose në një çantë, shpërqendron ndjeshëm dhe redukton kapacitetin për të mësuar dhe mbajtur mend.

    Fëmijët bëhen ekspertë për video të shkurtra, por humben në detyra më të gjata, në lexim, në bisedë.

    Telefona celularë që në klasën e pestë

    Sonja Trifunovska, mësuese në një shkollë fillore në Tetovë, u jep mësim nxënësve të klasës së pestë. Ajo thotë se që në klasën e parë bisedon me prindërit e tyre për ndikimin e telefonave, ndikimin e tyre në shëndetin mendor, ndikimin e tyre tek përqendrimi dhe i paralajmëron se përdorimi i tepërt mund të shkaktojë vështirësi në të mësuarit. Por më kot. Disa nga fëmijët tashmë që në klasat e ulëta kanë telefonat e tyre personalë, i përdorin ato gjatë pushimit, madje i përdorin edhe gjatë orës së mësimit.

    “Në klasën time fëmijët që jetojnë më larg i mbajnë telefonat në çantat e tyre që të mund të flasin me prindërit e tyre”, thotë Trifunovska. Ajo thekson se në shkollë ka aktivitete që bëhen në dërrasë te zezë me shkumës, prandaj fëmijët duhet të jenë të përqendruar kur shkruajnë, nuk duhet të shpërqendrohen nga informacione të tjera.

    “Ata duhet të kenë vëmendje të mjaftueshme që të mund t’i përkushtohen aktivitetit për një periudhë më të gjatë kohore. Prandaj u them prindërve që ta kufizojnë përdorimin e tyre edhe në shtëpi”, thotë Trifunovska.

    Sipas saj, një aspekt tjetër i problemit është se prindërit nuk kanë aq shumë edukim digjital sa fëmijët e tyre.

    “Fëmijët vijnë në kontakt me aplikacione të ndryshme, të cilat mund t’i përdorin gabimisht, por prindërit nuk mund t’i ndihmojnë aq shumë, sepse në këtë drejtim ata kanë më pak njohuri se nxënësit”, shton ajo.

    Gjithçka fillon që në shtëpi

    Shëndeti mendor nuk mund të lihet jashtë kësaj historie. Psikiatrja D-r. Ereblina Hoxha Jusufi, specialiste e psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve nga Klinika e Psikiatrisë, thotë se ka raste kur të rinjtë vijnë me prindërit për psikoedukim për shkak të ankthit, depresionit, problemeve me gjumin, pamundësisë për të funksionuar pa telefon.

    “Fëmijët dhe të rinjtë janë të varur rëndë nga telefonat e tyre. Kjo shkakton probleme me të ngrënit, me gjumin e pastaj ata kanë probleme me kryerjen e detyrave të shkollës në kohë”, thotë Jusufi.

    Por, shton ajo, duhet ditur se çdo gjë fillon nga shtëpia, prindërit duhet të ndërgjegjësohen dhe t’i largojnë fëmijët nga telefoni sepse kjo më vonë krijon probleme në zhvillimin e personalitetit, duke shkaktuar ankth dhe depresion.

    “Mediat sociale kanë edhe efekte negative edhe pozitive, por përdorimi i tyre duhet të jetë i kufizuar. Fëmijët përballen edhe me bullizmin në internet si pasojë e përdorimit të aplikacioneve si Facebook, “TikTok”, thotë Hoxha Jusufi.

    Por, jo të gjithë mësuesit janë të mendimit se përdorimi i celularëve gjatë mësimdhënies duhet të ndalohet plotësisht, ose se mund të gjenden mënyra për t’i përdorur ato në procesin mësimor. Profesori në shkollën e mesme “Mari Kiri Skllodovska”, Aleksandar Aleksovski, mendon se sistemi shkollor duhet t’i përshtatet realitetit të ri, pa e anashkaluar atë.

    “Telefoni është një pajisje fantastike që ka shumë mundësi. Është i rrezikshëm vetëm nëse përdorimi i tij del jashtë kontrollit”, thotë Aleksovski. Ai është i mendimit se mësuesit duhet të gjejnë mënyra për t’i mësuar fëmijët se ai është një burim i fuqishëm informacioni, idesh, qëndrimesh, opinionesh, ta përdorin atë në maksimum, ta analizojnë, të dinë të dallojnë informacionin e rremë nga ai i vërtetë, të dinë të vlerësojnë, ta shfrytëzojnë.

    “Gjithçka tjetër, përfshirë edhe ndalimin e përdorimit, e konsideroj kundërproduktive”, thotë Aleksovski.

    Në orët e tij, ai thotë se ndodh shpesh që ata t’i kapin telefonat e tyre dhe të kyçen në rrjetet sociale, por e bëjnë këtë nëse janë të bezdisur.

    “Nëse hyjnë në botën virtuale, pastaj e kanë të vështirë të kthehen në realitetin e klasës”, thotë Aleksovski, duke shtuar se gjeneratat e reja janë rritur me celular dhe është pjesë e jetës së tyre, e nuk mund të funksionojnë pa to.

    Ai thotë se sfida për ta mbajtur vëmendjen e tyre është e madhe sepse fëmijëve u mungon përqendrimi dhe durimi.

    “Si të zgjidhet ky problem? Duke mos i lënë ata të mërziten. Ata nuk e kanë problem t’i lënë telefonat e tyre, por a do i bëjë kjo gjë ata më të vëmendshëm dhe më të përqendruar? Kjo nuk është zgjidhje. Zgjidhja është vetëkontrolli. Unë mundohem ta përdor edhe celularin si një mjet mësimor”, shton Aleksovski.

    Disa vende tashmë kanë vendosur ndalesa

    Meta.mk ka shkruar se në raportet e fundit të Kombeve të Bashkuara rekomandohet ndalimi i telefonave smart në shkolla për ta përmirësuar mësimin dhe për t’i mbrojtur fëmijët nga bullizmi në internet.

    Kërkesa për ndalimin e telefonave smart duhet ta përcjellë mesazhin se teknologjia, përfshirë këtu edhe inteligjencën artificiale, gjithmonë duhet t’i nënshtrohet një “vizioni me qendër tek njeriu” të edukimit dhe nuk duhet ta zëvendësojë kurrë ndërveprimin personal me mësuesit.

    Në Francë telefonat celularë në shkollat ​​fillore dhe të mesme janë ndaluar që nga viti 2018. Në Holandë ndalesa për përdorimin e telefonave smart në shkollat ​​fillore dhe të mesme hyri në fuqi në janar të këtij viti. Në Itali përdorimi i celularëve në klasë është i ndaluar edhe për qëllime mësimore, bazuar në një dekret ministror. Duke filluar nga ky vit akademik, studentët në Greqi gjatë qëndrimit në shkollë janë të detyruar t’i mbajnë celularët në çantat e tyre.

    Është e qartë se prania dhe përdorimi i celularëve nga nxënësit nuk është vetëm një çështje disipline apo zakoni, por një sfidë serioze që ndikon në zhvillimin e tyre, aftësinë për t’u fokusuar dhe stabilitetin emocional. Edhe pse teknologjia ofron përparësi të shumta, përdorimi joadekuat i saj, sidomos në kontekstin mësimor, mund të ketë pasoja afatgjata në cilësinë e të mësuarit dhe shëndetin mendor. Nuk bëhet fjalë vetëm për produktivitet akademik të reduktuar, por edhe për një ndryshim në mënyrën se si të rinjtë mendojnë, lidhen me botën dhe si e ndërtojnë personalitetet e tyre.

    Lajmi Paraprak

    Drejtësisë i mungojnë 163 gjykatës!

    Lajmi i rradhës

    Uji në Dibër, para pirjes duhet të vlohet!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë