Teatri i Tetovës fiton zemrat e Tiranës me shfaqen “Armiku i popullit”

    Në mbrëmjen e 7 dhjetorit 2024, Teatri i Tetovës shënoi një ngjarje të veçantë në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, duke performuar në skenën e ArTurbina-s në Tiranë. Salla ishte e mbushur në kapacitet të plotë, ndërsa publiku tiranas priti me entuziazëm dhe duartrokitje të gjata shfaqjen, duke dëshmuar për një sukses të padiskutueshëm, raporton Nistori.

    Regjisori Arben Kumbaro, me origjinë nga Tirana, shënoi një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u bërë i pari regjisor nga kryeqyteti shqiptar që prezanton një produksion të Teatrit të Tetovës në Tiranë. Ky bashkëpunim simbolizon ndërlidhjen artistike mes dy vendeve dhe pasuron ndjeshëm repertuarin teatror.

    Shfaqja u organizua si pjesë e programit të shfaqjeve mysafire nga Maqedonia e Veriut në Tiranë, një iniciativë që ka sjellë disa nga prodhimet më të mira teatrore shqiptare nga ky rajon. Programi në ArTurbina përfshiu edhe shfaqjet “Daja Vanja” nga Teatri Shqiptar i Shkupit dhe “Letra” nga Teatri i Kumanovës, ndërsa më 20 dhjetor është planifikuar të performohet “Çifti i Hapur” nga Teatri i Gostivarit.

    Ky bashkëpunim ndërmjet teatrove shqiptare në rajon erdhi si një zgjidhje kreative pas anulimit të edicionit të tretë të Festivalit “Moisiu” në Prishtinë, i cili ishte planifikuar për datat 20-27 nëntor 2024 si rezultat i grevës së përgjithshme të Shoqatës Sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

    Ndërkohë në këtë frymë reciproke Teatri Shqiptar i Shkupit është i përgatitur të mirëpresë disa shfaqje nga Shqipëria gjatë muajit dhjetor, përfshirë “Nëna” nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” më 16-17 dhjetor, “Na ishte një herë” nga Teatri “A.Z. Çajupi” i Korçës më 19-20 dhjetor, dhe produksionin madhështor “Faust” nga Teatri Kombëtar dhe Sardegna Teatro më 21-22 dhjetor.

    Ky shkëmbim artistik po forcon urat kulturore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke promovuar një frymë bashkëpunimi dhe vlerësimi të përbashkët për artin dhe teatrin shqiptar. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Të rinjtë në RMV të varur nga lojërat e fatit

    Lajmi i rradhës

    Mungesa e parkingjeve në Klinikën Universitare Nënë Tereza është bërë mënyrë jetese për qytetarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë