TEATRI I TETOVËS | Objekti që po ndërtohet me “hapat e breshkës”

    Pas katër vitesh, ose brenda vitit 2027, projekti Teatri dhe Biblioteka e Tetovës duhet të ketë përfunduar. Ky është afati i ri që jepet nga Ministria e Kulturës për përfundimin e një prej projekteve kapitale të saj, i nisur disa vite më parë. Data e përfundimit të objektit është caktuar dhe korrigjuar disa herë rresht, varësisht drejtuesve që janë ulur në krye të institucionit të kulturës. Ministrja Bisera Kostadinovska-Stojçevska ka deklaruar këto ditë se në vitin 2027 projekti do të mbyllet, bazuar në dinamikës e burimeve financiare të siguruara.

    “Për ndërtimin e këtij objekti janë planifikuar mjete në vlerë prej 220 milionë denarë. Deri më tani janë realizuar 175 milionë denarë. Ky projekt ka nisur që në vitin 2014…, që nga viti i kaluar ka nisur realizimi i fazës për kryerjen e të gjitha punimeve montuese, mekanike dhe teknike të skenës, rregullimin e brendshëm dhe mobilimin e objektit. Ky projekt është shumëvjeçar dhe sipas dinamikës së burimeve financiare të siguruara, duhet të përfundojë brenda vitit 2027”, ka deklaruar ministrja.

    Punimet e pezulluara prej më shumë se një viti rifilluan vitin e kaluar, kur Qendra e Kulturës së Tetovës, si investitor, lidhi kontratën me kompaninë që do të merret me realizimin e projektit. 31 dhjetori i vitit 2025 është afati i përfundimit të objektit sipas dokumentit të kontraktuar një vit më parë që shënoi fillimin e punimeve për fazën e dytë. Sipas drejtorit Arlind Huseini, punimet vazhdojnë sipas të gjitha parashikimeve dhe nuk ka ndryshuar afati i dorëzimit, por i pagesave.

    “Dinamika e punës lidhur me ndërtimin e objektit, në fakt enterierin, fazën e dytë të teatrit dhe bibliotekës ngelet e njëjtë ashtu siç është në marrëveshje me realizuesin e punës. Ndërsa do të ndryshojë afati i pagesës që do të thotë se nuk ka ndryshim datash apo vitesh në lidhur më ndërtimin, por ndryshon vetëm viti i pagesës”, thotë drejtori i Qendrës së Kulturës, Huseini.

    Kostadinovska-Stojçevska është ministrja e gjashtë që i pasohet projekti kapital, i inauguruar nga Elizabeta Kançevska Milevska, por nuk arriti të përfundonte nga asnjë prej ministrave që drejtuan këtë institucion, Robert Allagjozovskit, Asaf Ademit, Hysni Ismaili e Irena Stefovska.

    Projekti ideor është prezantuar nga Ministria e Kulturës që në vitin 2010, ndërsa gurthemeli është vendosur në nëntor të 2012, si pjesë e aktiviteteve të BDI-së për shënimin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar. Projekti zyrtarisht nisi në vitin 2014 dhe punimet nuk përfunduan as në vitin 2017, siç parashikohej fillimisht, e as në 2019, apo 2020. Ndërsa mungesa e këtij kompleksi kulturor kompensohet brenda Qendrës së Kulturës, ku funksionojnë Teatri dhe Biblioteka në kushte të jashtëzakonshme, realizimi i këtij projekti ka qenë pjesë e premtimeve zgjedhore dhe është përdorur dhe keqpërdorur në fushatat elektorale. /koha/

    Lajmi Paraprak

    KORRIDORI TETË, EDHE PAS NJË DEKADE NUK ËSHTË GATI

    Lajmi i rradhës

    Shqetësime për mbipeshën te fëmijët në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë