Sot, Qendra për Komunikime Qytetare publikoi hulumtimin “Mbikëqyrja Publike e Prokurimeve Publike: Studime Rasti” (botimi nr. 2). Në këtë hulumtim janë analizuar raste konkrete të procedurave të tenderimit potencialisht të paligjshme, në të cilat kujdesi për shfrytëzimin e parave publike nuk ka qenë prioritet. Rastet janë identifikuar përmes analizës së gjetjeve të flamujve të kuq të evidentuara nga Byroja e Prokurimit Publik, hulumtimit të bazuar në informacionet e disponueshme publikisht, si dhe konsultimeve me qytetarët, përcjell Nistori.
Më poshtë paraqiten disa nga gjetjet kryesore nga tre tenderët e analizuar:
Prokurimi i pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve
Gjatë pesë viteve të fundit, qytetarët kanë paguar 73 milionë euro për dokumente personale, bazuar në një tender të fituar para 21 vitesh dhe në kontrata që klasifikohen si “konfidenciale”.
Prodhimi i pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve i kushtoi Ministrisë së Punëve të Brendshme 29 milionë euro, ndërsa qytetarët paguan gjithsej 73 milionë euro për pajisjen me këto dokumente, ose 44 milionë euro më shumë.
Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 60 milionë euro, është paguar për pasaportat gjatë periudhës pesëvjeçare.
Dokumentet prodhohen nga një kompani që e fitoi tenderin para 21 vitesh. Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën të ditur se kur dhe në çfarë kushtesh kontrata fillestare është zgjatur deri në ditët e sotme.
Po ashtu, MPB-ja nuk i publikon kontratat aktuale për prodhimin e dokumenteve personale, duke arsyetuar se ato janë të klasifikuara si “konfidenciale”.
Ministria vlerëson se publikimi i të dhënave nga këto kontrata mund të ketë pasoja për funksionimin e saj, pa specifikuar natyrën e këtyre pasojave.
Edhe numri i dokumenteve personale të prodhuara gjatë viteve të fundit mbrohet nga publikimi me arsyetimin e konfidencialitetit. MPB-ja publikon vetëm të dhënat e përgjithshme financiare.
Për shkak të klasifikimit si sekret të kontratës dhe anekseve të saj, qasja e publikut në aspektet financiare dhe kontraktuale të këtij prokurimi mbetet e kufizuar.
Gjithashtu, nuk është e qartë mbi çfarë baze ligjore është realizuar ky prokurim, i cili është përjashtuar nga procedurat e rregullta konkurruese të prokurimit publik. Për pasojë, publiku nuk mund të verifikojë nëse ky përjashtim ka qenë ligjërisht i justifikuar, i nevojshëm dhe proporcional.
Tenderi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për qiranë e avionëve
Fluturimet e evakuimit të qytetarëve nga Dubai dhe Riadi në mars të vitit 2026, me vlerë rreth 1 milion euro, janë paguar paraprakisht, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, i cili përcakton se paradhënia maksimale mund të arrijë deri në 20 për qind të vlerës së kontratës.
Paradhëniet nuk janë siguruar me garanci bankare, siç kërkohet me ligj, dhe as nuk kanë qenë të parashikuara në dokumentacionin e tenderit.
Për realizimin e fluturimeve të evakuimit janë zhvilluar dy procedura tenderimi: njëra e pasuksesshme dhe tjetra e suksesshme, pas së cilës është lidhur kontrata për qiranë e avionit.
Tenderët janë zhvilluar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik, i cili lejon kontakt të drejtpërdrejtë me operatorët ekonomikë në situata urgjente. Megjithatë, dokumentacioni tregon një sërë vendimesh që, të marra së bashku, kanë kufizuar konkurrencën reale.
Tenderi i parë, në të cilin u kërkuan oferta nga nëntë kompani, u anulua. Në procedurën e dytë, ftesa për paraqitjen e ofertës iu dërgua vetëm një kompanie – Avialog Shkup, për të cilën MPJ-ja pretendon se është përfaqësuese e kompanisë FlyDubai.
Si dëshmi për lidhjen ndërmjet Avialog dhe FlyDubai, MPJ-ja paraqiti një kartë angazhimi në FlyDubai në emër të themeluesit të Avialog. Megjithatë, ky dokument nuk dëshmon ekzistencën e një marrëdhënieje juridike apo biznesore ndërmjet dy kompanive.
Kompania dorëzoi ofertën të nesërmen, më 6 mars në orën 14:00. Më pas u zhvilluan negociatat, u nënshkrua kontrata, u lëshua fatura për dy fluturimet e para dhe pagesa nga MPJ-ja u realizua po atë ditë.
Tenderi i Komunës së Çairit për ndërtimin e pishinës shkollore
Pishina e mbyllur në Shkollën Fillore “Ismail Qemali”, me vlerë 890 mijë euro, rezulton të ketë qenë e përfunduar vetëm në dokumente për gati gjashtë muaj.
Megjithëse Komuna e Çairit më 21 nëntor 2025 kishte dorëzuar në Sistemin Elektronik të Prokurimit Publik një njoftim se kontrata për ndërtimin e pishinës ishte realizuar 100 për qind, objekti u promovua zyrtarisht vetëm gjashtë muaj më vonë.
Komuna e shpalli projektin të përfunduar në të njëjtën ditë kur pranoi raportin e mbikëqyrësit, i cili evidentonte punë të papërfunduara dhe kërkonte ende lidhjen e objektit me rrjetin e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, për të mundësuar testimin përfundimtar të pishinës.
Sipas kontratës fillestare, ndërtimi duhej të përfundonte në janar të vitit 2025. Në vend që të zbatonte penalitetet kontraktuale të parashikuara për vonesat, Komuna e Çairit e zgjati afatin e realizimit dy herë me kërkesë të vetë kontraktorit.
Nxitimi për ta paraqitur kontratën si të përfunduar përkoi me periudhën kur kompania fituese e tenderit, Eurovia nga Zhelina, e riemërtuar më pas në EAKOM nga Tetova, së bashku me një kompani tjetër, aplikuan në një procedurë të re për ndërtimin e një pishine tjetër të mbyllur në Komunën e Çairit, këtë herë në Shkollën Fillore “7 Marsi”.
Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit “Mbikëqyrja Publike e Prokurimit Publik”, me mbështetje financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup. /Nistori/






