“Teoria e zëvendësimit të madh” që nxit sulme raciste

    Associated Press

    Një teori raciste është duke u hetuar si faktor motivues i sulmit në Bufallo të Nju Jorkut, i cili ka lënë të vrarë dhjetë persona. Shumica e viktimave kanë qenë afrikano-amerikanë.

    I akuzuari për të shtënat masive, më 14 maj, është një 18-vjeçar. Në mediat sociale, ai besohet se ka postuar vazhdimisht ide nga “teoria e zëvendësimit të madh”.

    Çfarë është “teoria e zëvendësimit të madh”?

    Thënë thjesht, kjo teori pretendon se ka një komplot për të zvogëluar ndikimin e njerëzve të bardhë.

    Besimtarët thonë se ky synim po arrihet nëpërmjet imigrimit të njerëzve jo të bardhë në shoqëritë që kryesisht kanë qenë të dominuara nga të bardhët, por edhe nëpërmjet një demografie të thjeshtë, ku të bardhët kanë shifra më të ulëta të lindjeve se popullsitë e tjera.

    Adhuruesit më racistë të kësaj teorie besojnë se pas të ashtuquajturit plan zëvendësues, qëndrojnë hebrenjtë. Nacionalistët e bardhë, që kanë marshuar në një tubim në Sharllotsvill të Virxhinias në vitin 2017 – i cili më pas është shndërruar në vdekjeprurës – kanë brohoritur: “Nuk do të na zëvendësoni” dhe “Hebrenjtë nuk do të na zëvendësojnë”.

    Por, një pikëpamje më e zakonshme në SHBA sugjeron – pa asnjë bazë – se demokratët janë duke nxitur imigrimin nga Amerika Latine, ashtu që “më shumë votues potencialë, me mendje të njëjtë, t’i zëvendësojnë amerikanët tradicionalë”, thotë Mark Pitcavage, studiues i lartë në Qendrën e Anti-Shpifjes për Ekstremizmin.

    Ku është origjina e kësaj teorie konspirative?

    Sa kohë ka ekzistuar racizmi? Në përgjithësi, rrënjët e kësaj “teorie” janë aq të thella. Në SHBA, përpjekjet për t’i frikësuar dhe dekurajuar afrikano-amerikanët që të votojnë – ose, sipas këndvështrimit të antagonistëve, “për t’i zëvendësuar” votuesit e bardhë në qendrat e votimit – datojnë nga Epoka e Rindërtimit, kur Amendamenti i 15-të i Kushtetutës amerikane e ka bërë të qartë se e drejta e votës nuk mund të kufizohet për nga raca.

    Në epokën moderne, shumica e ekspertëve përmendin dy libra me ndikim.

    “The Turner Diaries”, një roman i vitit 1978, i shkruar nga William Luther Pierce, me pseudonimin Andrew Macdonald, flet për një revolucion të dhunshëm në Shtetet e Bashkuara, përkatësisht për një luftë racore, që çon në shfarosjen e jo të bardhëve.

    FBI-ja e ka cilësuar atë si “bibël të së djathtës raciste”, thotë Kurt Braddock, profesor i Universitetit Amerikan dhe studiues i ekstremizmit.

    Në vitin 2011, shkrimtari francez, Renaud Camus, ka botuar një libër me pretendimet se Evropa po pushtohet “nga imigrantë të zinj dhe të kafenjtë nga Afrika”. Ai e ka quajtur librin “Le Grand Remplacement” – apo Zëvendësimi i Madh, prej nga edhe ka lindur emri i teorisë.

    Kush janë adhuruesit?

    Për disa nga besimtarët më ekstremë, shenjtorë konsiderohen vrasësit masivë që besojnë në supremacinë e bardhë – të tillë si sulmuesi i kampit veror në Norvegji, në vitin 2011, apo sulmuesi i dy xhamive në Kristçërç të Zelandës së Re, më 2019 – thotë Pitcavage.

    Sipas tij, ata supremacistë të bardhë besojnë se ndryshimet e vogla shoqërore nuk do të arrijnë shumë, “kështu që e vetmja mundësi është shkatërrimi i shoqërisë”.

    Shkrimet në mediat sociale të sulmuesit të dyshuar në Bufallo dhe disa nga metodat e tij tregojnë se ai e ka studiuar nga afër sulmuesin në Kristçërç – sidomos përpjekjen për të transmetuar drejtpërdrejt sulmin e tij.

    Sipas pamjeve nga Bufallo, sulmuesi ka shkruar numrin 14 në armën e tij, për të cilin Pitcavage thotë se është stenograf për një slogan të supremacisë së bardhë, me 14 fjalë.

    A ka teoria depërtim më të gjerë?

    Ekspertët janë të shqetësuar për disa pikëpamje ekstreme që thonë se po bëhen të zakonshme.

    Në një sondazh të publikuar javën e kaluar, Associated Press dhe Qendra NORC për Hulumtimin e Çështjeve Publike kanë zbuluar se rreth 1 në 3 amerikanë besojnë se po bëhen përpjekje për t’i zëvendësuar amerikanët e lindur në SHBA me imigrantë, me qëllim të përfitimeve elektorale.

    Shumë ndjekës të versioneve më ekstreme të “teorisë së zëvendësimit të madh” bisedojnë përmes aplikacioneve të koduara në internet. Ata kanë prirje të jenë më të kujdesshëm, pasi e dinë se vëzhgohen.

    “Ata janë shumë të zgjuar. Ata nuk bëjnë thirrje të hapura për armë”, thotë Braddock.

    Kush po flet për këtë teori?

    Tucker Carlson, personaliteti më i popullarizuar i Fox News, ka nxitur disa pikëpamje të rreme, që përqafohen më lehtë nga disa njerëz të bardhë, të cilët shqetësohen për humbjen e fuqisë së tyre politike dhe sociale.

    “Unë e di që e majta dhe të gjithë portierët në Twitter bëhen vërtet histerikë nëse përdorni termin ‘zëvendësim’, nëse sugjeroni se Partia Demokratike po përpiqet të zëvendësojë elektoratin aktual…”, ka thënë ai në një emision të tijin, vitin e kaluar.

    “Ata bëhen histerikë, sepse kjo është ajo që po ndodh, në fakt… Kjo është e vërtetë”, ka thënë Carlson.

    Një studim i emisionit pesëvjeçar të Carlsonit nga gazeta New York Times ka gjetur 400 raste, kur ai ka folur për politikanët demokratë dhe të tjerë, që gjoja përpiqen të ndryshojnë demografinë përmes imigrimit.

    Fox News e ka mbrojtur prezantuesin, duke vënë në dukje deklaratat e tij që dënojnë dhunën politike të të gjitha llojeve.

    Fushata e kryetares së Konferencës Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, Elise Stefanik, është kritikuar vitin e kaluar për një reklamë, që thoshte se “demokratët radikalë” po planifikojnë një “kryengritje të përhershme zgjedhore”, duke u dhënë amnisti emigrantëve pa dokumente, që do të krijonin një shumicë të përhershme liberale në Uashington. Stefanik përfaqëson një qark të Nju Jorkut.

    Pitcavage thotë se është i shqetësuar për mesazhin që Carlson dhe mbështetësit e tij po dërgojnë.

    “Ai, në fakt, prezanton ‘teorinë e madhe të zëvendësimit’ për një audiencë konservatore, përmes një pilule që është më lehtë për t’u gëlltitur”, thotë Pitcavage. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kosovë, të premten mësimdhënësit protestojnë

    Lajmi i rradhës

    Tronditja e stagflacionit global 2022: Sa keq mund të shkojë?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë