Teqeja Harabati Baba në Tetovë bëhet përfundimisht pronë e BFI-së

    Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut (BFI) njoftoi se kompleksi i Teqesë Harabati Baba është në pronësi të saj. Ky informacion u publikua në profilin e tyre në Facebook pas vizitës së sotme të kreut të BFI-së, Şhaqir efendi Fetait, përcjell Nistori.

    Ata prezantuan gjithashtu listën e re të pronave të teqesë, e cila tregon se baza ligjore për regjistrimin e saj në Agjencinë e Kadastrës është një marrëveshje shitblerjeje e vërtetuar nga noteri më 10 shkurt 2026. Deri në konfliktin e vitit 2001, Teqeja Harabati Baba menaxhohej nga fabrika e tekstilit teteks dhe në të funksiononte edhe muzeu i rajonit të Tetovës.

    “Me këtë akt zgjidhet konteksti pronësor-juridik në favor të BFI-së, një çështje me rëndësi të veçantë për institucionin dhe për ruajtjen e pasurive të saj. Ky njoftim u mirëprit nga të pranishmit si një hap i rëndësishëm dhe historik për BFI-në, Muftininë e Tetovës, nëpunësit fetarë dhe besimtarët.”, thuhet në njoftimin e BFI-së.

    Në fjalën e tij, Reisul Ulema uroi besimtarët e Maqedonisë së Veriut për ripronësimin e kësaj vlere të madhe fetare, kombëtare dhe kulturore, duke theksuar se ky kompleks do të jetë qendër frekuentimi për besimtarët anekënd botës, e në veçanti për besimtarët e Tetovës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria tërhiqet nga blerja e avionit të ri; Mickoski: do të lutemi të mbetemi gjallë

    Lajmi i rradhës

    Muaji i shenjtë i Ramazanit, BFI jep udhëzime për besimtarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë