Tetova akoma pa sistem për trajtimin e ujërave të zeza

    Foto: Ramadan Abdiu

    Në Tetovë ujërat e zeza ato të amvisërive, fabrikave, industrisë derdhen në lumenj. Kjo dukuri e dëmshme për ambientin dhe shëndetin e qytetarëve zgjatë një kohë të gjatë, pasi që Tetova nuk ka filter stacion për trajtimin e këtyre ujërave. Një projekt i këtillë është iniciuar në vitin 2012, por që prej atëherë e deri më tani nuk është bërë asnjë hap konkret. Kësisoj, shumica e zonave urbane në vend nuk kanë infrastrukturë komunale për trajtimin e ujërave të zeza. Këtë e pohon edhe drejtori i inspektoratit të ambientit jetësor Hisen Xhemaili.

    “Fatkeqësisht është e vërtetë se deri më tani ujrat e zeza nuk kanë patur trajtim adekuat dhe ato zakonisht janë derdhur nëpër lumenj, përrua, apo kanale, dhe kjo normalisht se ka ndikim negative në tërë ambientin. Prandaj, vendi ynë aktualisht është në fazën e finalizimit për fillimin e ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza në Shkup, së shpejti do finalizohet procedura në Manastir dhe më pas do vijoj shpallja e procedurës në Tetovë. Qëllimi i studimit është të vlerësojë ndikimin në mjedis gjatë zbatimi të projektit në të gjitha fazat e tij të implementimit dhe të parashikojë masat që duhet të merren për të parandaluar dhe kontrolluar ndikimet e mundshme në mjedis gjatë zbatimit të projektit”, tha Xhemaili.

    Së fundmi, Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ka bërë një studim të cilin e ka prezantuar para banorëve të Tetovës lidhur me ndërtimin dhe rikonstruimin e kolektorit dhe sistemit të kanalizimit, si dhe ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Tetovë. Ekspertët vlerësojnë se ndërtimin i këtij impianti, do të ketë ndikim pozitiv sepse do të trajtohen ujërat e zeza dhe të dëmshme që deri më tani nuk janë trajtuar.

    “Ujërat e zeza që do të trajtohen, prej tyre 85 për qind pritet të jenë nga amvisëritë dhe 15 nga fabrikat. Është më rëndësi të theksohet se ujërat që vijnë nga industria duhet të kenë një trajtim paraprak para se fabrikat t`i lëshojnë në rrjetin e kanalizimit. Procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis për kolektorin e Tetovës, impiantit për trajtimin e ujërave të zeza është një procedurë e detyrueshme në procesin e marrjen e lejes së ndërtimit, roli i të cilit është të vlerësojë ndikimin në mjedis nga zbatimi i projektit dhe të parashikojë masat e duhura për parandalimin dhe kontrollin e ndikimeve me qëllim arritjen e një niveli të lartë të mbrojtjes së mjedisit”, tha Marjan Mihajllov, ekspert.

    Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Tetovë parashihet të fillojë të ndërtohet në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti, pasi të sigurohen të gjitha lejet adekuate. Ky impiant që do të ndërtohet në afërsi të fshatit Falisht, do të përfshijë qytetin e Tetovës, dhe vendbanimet Poroj, Xhepçisht, Reçicë e Madhe, Reçica e Vogël, dhe vetë fshatin Falisht.

    Mjetet janë nga fondet ndërkombëtare, por edhe nëse fillohet këtë vit të ndërtohet, nuk dihet se sa do të zgjasë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Pse nuk mund t’i mbajmë mend kujtimet e hershme të fëmijërisë?

    Lajmi i rradhës

    Kurti: Nuk ka marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë