Tetova dhe Kërçova kanë harxhuar mbi 419 mijë euro për shpenzime ditore dhe udhëtime, komunat demantojnë institutin IDEA

    Sipas një publikimi të Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA, komuna e Tetovës dhe ajo e Kërçovës kanë shpenzuar më së shumti para për udhëtime dhe shpenzime ditore gjatë vitit 2022. Tetova është e para me 211031 euro, ndërsa pas saj është Kërçova me 208450 euro. E ky publikim ka ngjallur reagime të këshilltarëve komunal.

    “Nuk është e lejueshme që paratë e qytetarëve të harxhohen ashtu si ju konvenon dhe ku ju konvenon udhëheqësve të komunës. Ata nuk janë aty për të bërë politikë ditore, por janë për të menaxhuar paratë tona. jo për shëtitje dhe ushqime, por për para kapitale.”- tha Elemdina Abdullahu – OJQ Për Tetovën.

    “Këto nuk janë konstatime tona, por janë statistika të publikuara nga instituti për analiza IDEA, me të dhëna zyrtare që janë publikuar nga Ministria e Financave. Këto informata dëshmojnë mashtrimet dhe qëllimet e Bilall Kasamit, i cili Komunën e Tetovës e përdor për qëllime partiake dhe personale. E pyesim publikisht kryetarin e Komunës së Tetovës se për çfarë i ka shpenzuar nga 800 euro në ditë, gjatë gjithë vitit 2022? Sikur kjo të mos mjaftonte, muaj më parë, Komuna e Tetovës u shpall si një nga komunat me transparencë më të ulët në shtet, që jep indicie serioze për korrupsion dhe keqpërdorime si kjo.”- pohoi Veton Murati – këshilltar i BDI-së.

    Kryetari i këshillit të Tetovës, Besar Durmishi, i mohoi të dhënat duke thënë se në vitin 2022 komuna e Tetovës ka harxhuar 11209 euro dhe se parat tjera janë harxhuar nga shkollat e mesme dhe fillore në kuadër të projektit Erasmusen.

    “Komuna e Tetovës respektivisht udhëtimet e kryetarit, këshillit të komunës dhe administratës për vitin 2022 kapin vlerën 11 209 euro, këto janë të parashikuara në buxhetin e komunës në vitin 2022. Shuma që ka publikuar instituti në fjalë ka të bëj me projektet që janë fituar nga Bashkimi Evropian nga projektet Erasmus nga shkollat e mesme dhe shkollat fillore. Bëjmë thirrje institutit në fjalë të largon lajmin të kërkon falje publike, në të kundërtën do pason padi.”- deklaroi Besar Durmishi – Kryetar i Këshillit të Tetovës.

    Edhe kryetari i Kërçovës Fatmir Dehari, mohon shumën e publikuar nga IDEA dhe thotë se vetëm 683 euro janë harxhuar për udhëtime zyrtare gjatë vitit 2022.

    “Të dhënat janë të sakta duke marr parasysh buxhetin e komunës së Kërçovës, por harxhimet nuk janë të komunës, por janë projekte nga Erasmus plus, pra shkollat tona kanë arrit të fitojnë projekte me vlerë prej 200 mijë euro dhe ka realizuar aktivitete të ndryshme me shkollat si motra të Bashkimit Europian. E vërteta e harxhimit të buxhetit të komunës së Kërçovës për vitin 2022 është 683 euro apo 44 mijë denarë për një vit, që edhe një njeri mund të harxhoj brenda një viti për udhëtime.”- tha Fatmir Dehari – Kryetar I Kërçovës.

    Sipas publikimit nga 50.000 kanë harxhuar komunat Strugë dhe Dibër. Saraji ka harxhuar 46.688 euro, ndërsa Çairi 36.000 euro. E vetmja që nuk ka harxhuar është Haraçina me 0 euro. Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA sqaroi se ata nuk kanë bërë interpretim apo analizë të detajuar të shpenzimeve në fjalë, dhe se vetëm i kanë përmbledhur detajet nga Ministria e Financave ashtu siç janë paraqitur në platformën “Pasqyra e Komunave”. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Struganët po ‘mbyten’ nga deponia, Merko ende pa masa konkrete

    Lajmi i rradhës

    QMK-ja paralajmëron përmbytje dhe zjarre të shumta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë