Për herë të parë pas shumë vitesh me porosi të komunës, Instituti INSI nga Kosova, po përgatit studimin e mobilitetit për qytetin e Tetovës, por edhe planin gjeneral urbanistik. Studimi i mobilitetit po bëhet me qëllim të zbutjes së mbingarkesës nëpër rrugët e Tetovës.
“Ishte faza e parë e analizës së gjendjes ekzistuese sa iu përket hyrje-daljeve të veturave dhe ku janë të koncentruara më shumë në kuadër të planit të mobilitetit urban për qytetin. Është ky studimi bazë sa i përket planit gjeneral urbanistik që është në përpilim e sipër dhe sot patëm debatin e parë ku përfaqësuesit e institutit, treguan matjet për pikat kritike të qytetit. Nga ky studim të dalim me një zgjidhje e cila do jetë më mirë e realizueshme dhe e qëndrueshme”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Për matjet e para si të trafikut por edhe planimetrisë së qytetit, Instituti INSI i Prishtinës, ka përdorur kamerat digjitale por edhe matës të mençur për hyrje daljet e qytetit.
“Analiza e gjendjes është tregues që ka mbingarkesë qoftë në trafik, qoftë në parkingje apo parkingje zonale, mos zbatimi i planit gjeneral e tjera që janë identifikuar dhe në një të ardhme të afërt do të merren disa orientime që pas aprovimit të dokumentit, do të jenë të karakterit obligativ për Tetovën. Ne jemi tu bë hulumtimet e para nëse mund të bëhet një rikategorizim se cilat rrugë bulevarde mund të karakterizohen në rrugë urbane, cilat mund të karakterizohen me parkingje zonale ose heqje parkingjesh nga bulevardet apo cilat janë prioritete te parkingjet”, tha Ismet Baqari, Drejtor i Instituti INSI Prishtinë.
Plani i mobilitetit të qëndrueshëm urban pritet të jetë gati brenda gjashtë muajsh bashkë me propozimet konkrete, ndërsa një periudhë më e gjatë, do të nevojitet për planin gjeneral urbanistik. /Alsat/