Tetova, një qytet i paralizuar

    Pjesa qendrore e Tetovës është më e rënduar se zakonisht nga automjetet e shumta. Gjendja e këtillë vërehet edhe në bulevardin kryesor “Ilinden”, në bulevardin “Iliria”, ndërsa bulevardi në rrugën “Industriale” gjithnjë është i bllokuar gjatë orëve të ditës nga numri i enorm i makinave, kur dihet se përmes këtij bulevardi qarkullojnë edhe vetura që destinacion të fundit nuk e kanë qytetin e Tetovës, por Gostivarin dhe anasjelltas

    Këtë vit është dyfishuar numri i mërgimtarëve në vendlindje, respektivisht në rajonin e Pollogut. Kjo dukshëm e ka rritur frekuentimin e veturave në rrugët e dy qyteteve – në Tetovë dhe Gostivar. Rrugët e ngushta, mungesa e vendparkimeve dhe mos hapja e bulevardeve ka bërë që në një hapësirë të vogël të qarkullojnë mijëra vetura, për pasojë krijimin e kaosit në trafik. Pjesa qendrore e Tetovës është më e rënduar se zakonisht nga automjetet e shumta. Gjendja e këtillë vërehet edhe në bulevardin kryesor “Ilinden”, në bulevardin “Iliria”, ndërsa bulevardi në rrugën “Industriale” gjithnjë është i bllokuar gjatë orëve të ditës nga numri i enorm i makinave, kur dihet se përmes këtij bulevardi qarkullojnë edhe vetura që destinacion të fundit nuk e kanë qytetin e Tetovës, por Gostivarin dhe anasjelltas.

    Ndërsa, rruga afër Gjykatës Themelore të Tetovës, rruga afër Tregut të Gjelbërt dhe rruga për tek Spitali Klinik i Tetovës – gjithnjë janë të paralizuara nga automjetet e shumta. Po ashtu, duke i shtuar kësaj situate edhe mungesën e vendeve për parkim, rrugët e Tetovës pothuajse tërësisht janë të bllokuara. Gjendja e këtillë në rrugët e Tetovës vërehet prej fillimit të këtij muaji dhe vijon të jetë në këtë gjendje edhe më tej këtyre ditëve. Nga policia e Tetovës kanë theksuar se janë në terren dhe mundohen të rregullojnë komunikacionin, sidomos në pikat ku ka më shumë frekuentim, nëpër udhëkryqe dhe hyrje daljet e qytetit. Sipas policisë, në komunikacion edhe mërgimtarët janë ata që kryejnë veprime të parregullta në komunikacion.

    “Kemi edhe prej tyre që nuk respektojnë rregullat dhe shenjat në komunikacion dhe fokusi ynë në këtë periudhë që të sanksionohen kundërvajtjet më të rënda në trafik. Të dhënat tregojnë se kemi një rritje të kundërvajtjeve në trafik edhe nga ana e mërgimtarëve dhe kemi ndërmarrë një sërë aktivitetesh në këtë drejtim dhe gjobat shqiptohen për të gjithë pjesëmarrësit pa dallim”, thonë nga policia rrugore në Tetovë. Në ndërkohë, nuk kanë fund kontrollet e policisë në rrugët e Tetovës dhe Gostivarit, ku edhe shqiptohen dënime ndaj shoferëve që nuk respektojnë rregullat. Vetëm gjatë ditës së shtunë, efektivët e policisë nga SPB-Tetovë kanë zhvilluar një kontroll të intensifikuar të veprimit për të sanksionuar shoferët që drejtojnë automjetet e tyre me shpejtësi më të madhe se sa është e parashikuar.

    “Në territorin e SPB-Tetovë janë sanksionuar 69 shoferë, ku 36 prej tyre në rajonin e Tetovës dhe 33 në rajonin e Gostivarit. Prej tyre, 52 shoferë kanë vozitë me mbi 50 kilometra në orë mbi të lejuarën dhe shtatë vozitës tjerë e kanë tejkaluar shpejtësinë me mbi 70 kilometra në orë mbi të lejuarën. Kontrollet e intensifikuara të trafikut do të vazhdojnë në ditët në vijim, kështu që ju bëjmë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut në mënyrë që të rrisim sigurinë në trafik dhe së bashku të kontribuojnë në rrugë më të sigurta”, njofton zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi. Ndërkohë, në Gostivar është organizuar një takim promovues-informues në kuadër të projektit të ri parandalues të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, e quajtur “Siguri më e madhe e këmbësorëve, çiklistëve, motoçiklistëve dhe personave që lëvizin me skuter elektrik dhe prezantimi i rregulloreve ligjore dhe ndryshimeve në Ligj mbi sigurinë në trafikun rrugor”. Në takim, këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët janë njohur nga afër me ndryshimet e fundit në legjislacionin në lidhje me këtë kategori të pjesëmarrësve në trafik. Përveç kësaj, janë shpërndarë fletushka në gjuhën maqedonisht dhe shqip, me përmbajtje të përshtatshme për këtë temë./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    ASH: Dënimet për organizatorët e “27 Prillit” treguan kapjen e gjyqësorit nga pushteti

    Lajmi i rradhës

    Përfaqësimi konform Kushtetutës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë