Ndërsa qytetet e Maqedonisë së Veriut përballen me urbanizim të vrullshëm, standardi minimal i rekomanduar prej 25 metra katrorë hapësirë të gjelbër për banor mbetet një objektiv i paarritshëm për shumicën e komunave urbane.
Sipas raportit më të fundit të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR), nga 34 komuna me seli në qytete, plot 22 nuk e përmbushin këtë standard. Raporti, me temën “Planifikimi urban i infrastrukturës së gjelbër në qytete”, është rezultat i një vlerësimi të thelluar të politikave dhe masave të ndërmarra nga qeveritë lokale dhe ajo qendrore. Pyetja themelore që ka udhëhequr këtë revizion është nëse këto masa sigurojnë një planifikim efikas dhe të qëndrueshëm të hapësirave të gjelbra urbane. Përgjigjja e dhënë nga revizorët është e qartë: jo.
KA PLANE, POR NUK KA VIZION
Sipas gjetjeve, problemet fillojnë që në nivelin e legjislacionit. Ndërthurja e mangët e kompetencave ndërmjet institucioneve, ndarja e aktiviteteve mes planifikimit hapësinor dhe atij urban, si dhe mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, kanë krijuar një terren kaotik për zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër. Në vend të një qasjeje të integruar, institucionet operojnë në mënyrë të fragmentuar, shpesh duke ndjekur rrugë paralele që nuk komunikojnë ndërmjet tyre. Për më tepër, zgjatja e procesit për miratimin e planeve hapësinore strategjike ka rezultuar fatale për shumë komuna. Plani Hapësinor i Shtetit, dokumenti më i lartë i planifikimit në vend, është vonuar mbi katër vjet, duke e bërë atë të vjetruar në raport me zhvillimet sociale, ekonomike dhe demografike të viteve të fundit. Si pasojë, dokumentet e tjera planifikuese të niveleve më të ulëta, të hartuara mes viteve 2021-2024, janë bazuar në të dhëna joaktuale dhe nuk pasqyrojnë realitetin.
SHKUP DHE OHËR, TË VETMIT ME STRATEGJI TË GJELBËRIMIT
Vetëm Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Ohrit kanë miratuar strategji të posaçme për zhvillimin e gjelbërimit. Gjithsej tre komuna (Shkupi, Kavadari dhe Ohri) kanë krijuar Kadastra të Gjelbër, një mjet digjital në formë GIS-i që ndihmon në identifikimin, planifikimin dhe mirëmbajtjen e zonave të gjelbra. Por situata bëhet edhe më e rëndë kur merret parasysh fakti se 18 komuna nuk i kanë përmbushur as detyrimet bazike ligjore për të miratuar programe vjetore për krijimin dhe mirëmbajtjen e gjelbërimit. Këto programe janë themelore për ndërtimin e një strategjie afatgjatë, sepse përcaktojnë jo vetëm resurset financiare dhe njerëzore që duhen për angazhimin, por edhe objektivat dhe treguesit për matjen e suksesit në menaxhimin e gjelbërimit urban.
ZVARRITJE TË PAFUNDME ME PLANET URBANISTIKE
Një tjetër hallkë e dobët në zinxhirin e planifikimit urban janë planet e përgjithshme urbanistike (PPU). Revizioni evidenton se vetëm tetë nga 34 komunat kanë PPU të vlefshme, 24 funksionojnë me plane të vjetra që kanë kaluar afatin e tyre të vlefshmërisë, ndërsa dy komuna nuk kanë miratuar fare një plan të përgjithshëm urbanistik. Edhe aty ku planet janë miratuar, ato kanë hyrë në fuqi pas vonesave prej 3 deri në 5 vjet nga fundi i periudhës së planifikimit për të cilën janë hartuar. Një situatë e tillë e bën të pamundur hartimin e planeve të detajuara urbanistike që janë thelbësore për zhvillimin e kontrolluar të qyteteve dhe për ruajtjen e balancës mes ndërtimit dhe natyrës.
Edhe sistemi elektronik e-urbanizëm, i krijuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat për miratimin e planeve urbanistike, në praktikë është kthyer në një pengesë tjetër për shkak të kompleksitetit të procesit, që përfshin dhënien e mendimeve nga 22 deri në 30 institucione dhe persona juridikë. Ligji parashikon që ky proces të zgjasë maksimumi 18 muaj, por në realitet, në disa komuna, ai shkon deri në katër vjet. Si pasojë, 77 për qind e procedurave të nisura mes viteve 2020-2024 nuk janë përfunduar.
DY SISTEME, ASNJË PAMJE E QARTË
Në këtë kaos institucional, ekzistojnë dy sisteme informacioni që funksionojnë paralelisht, por që nuk komunikojnë midis tyre dhe nuk ndajnë plotësisht të dhënat në kuadër të Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Hapësinore. Kjo pamundëson krijimin e një pamjeje të qartë të situatës reale në terren dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e planifikimit.
Pamjet me dron të marra në disa qytete të vendit vetëm sa e konfirmojnë situatën dramatike. Zonat qendrore urbane janë të dominuara nga ndërtime të dendura, me mungesë të theksuar të hapësirave të gjelbra publike, të cilat janë jetike për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm për qytetarët.
TETOVA, NJË QYTET PA PARK
Një nga shembujt më të theksuar të këtij kolapsi urban është qyteti i Tetovës. Sipas Entit të Revizionit, PPU-ja aktuale e Tetovës ka një periudhë planifikimi të skaduar prej më shumë se një dekade, nga viti 2003 deri më 2013 dhe përmban një përqindje minimale të gjelbërimit: vetëm 12.4 për qind. Në raport theksohet me shqetësim fakti se “Tetova është një qytet që nuk ka park”.
Ndryshe, edhe brenda vetë Qytetit të Shkupit situata lë shumë për të dëshiruar. Komunat më të populluara si Çairi dhe Kisella Voda kontribuojnë me vetëm 3 për qind në sipërfaqet e gjelbra të qytetit, duke e bërë mungesën e hapësirave të gjelbra të dukshme deri në nivel lagjeje. /Koha/