Tetovarët të pashpresë për të ardhmen e qytetit

    Komuna e Tetovës. Foto: Lirim Shabani

    Fillimi i fushatës zgjedhore në Tetovë për zgjedhjet e 20 gushtit, dhe premtimet e partive politike që pothuajse aspak nuk dallojnë nga ato të zgjedhjeve të shkuara për Komunën e Tetovës, nga një pjesë e banorëve nuk priten aspak mirë. Partitë përsërisin gjithnjë të njëjtat premtime, ujë, gjelbërim, rrugë, pastërti dhe rregull urbanistik dhe në komunikacion. Por, sipas banorëve, partitë që deri tani kanë drejtuar komunën, asnjëherë nuk dhanë llogari se përse deri më tani nuk i realizuan premtimet e tyre më herët.

    “24 vjet s`bënë asgjë, është turp i madh më të dalin sërish dhe të premtojnë nëpër fushata. Ju apeloj gjitha partive të na tregojnë 24 vjet çka kanë bërë për këtë popull, për rininë, ku e kanë arsimin, ku e kanë shëndetësinë? Kjo është vetëm maska që maskohen në fushata. Por, ata absolutisht nuk kanë moral nuk kanë fytyrë. Dhe kjo do zgjasë edhe shumë, edhe fëmijët e tyre në këtë mënyrë do punojnë”, tha një banor.

    “Jo bre s’është normale kjo! Derisa një parti e ndërron partinë tjetër dhe nuk thotë do bëj ndryshime po thotë do e zëvendësojmë atë, pra që t’i plotësojmë ato që s`kanë mundur ata, domethënë këto të vjedhin edhe pak më tepër dhe popullin ta çojnë atje ku duan, ama ne shyqyr Zotit jemi shumë të durueshëm, por një ditë do zgjohen krejt, duhet të ngjallet populli. Por bëjnë kështu e dini pse, sepse varet populli si reagon, e ne populli flemë”, tha një tjetër banor.

    “Eh tani, një herë nëse na gënjejnë ju arsyetohet edhe atyre edhe neve, por nëse na mashtrojnë dy herë atëherë ne i kemi fajet s`jemi mirë. Diçka që s`mundet, s`mundet, por, Tetova ujë mos ketë, gjitha parqet i mbushën me ndërtesa, ujë s`ka, pastërti s`ka”, shtoi një banor.

    “Sipas meje nuk duhet të dalin ata që s`kanë bërë asgjë nuk duhet të dalin, pse dalin të na gënjejnë sërish. Le të bëjnë të paktën diçka. Populli duhet të zgjohet por s`ka kush e zgjon. Kush do e zgjoj popullin”, deklaroi një banor.

    “Nuk kanë të drejtë hiç, shihe çka ndodh, e para herë komunikacioni askund nuk është, tutje, s`kanë bë asgjë deri më sot. Të njëjtat gjëra ndodhin asgjë nuk po përmirësohet nuk shohim asgjë, vetëm muhabete, të njëjta nga gjitha partitë politike. Le ta marrin rinia në dorë se jemi ngi më me këto, më mirë rinia le të futet, le t’i lirojnë ato vende që i kanë aty”, tha një tjetër banor.

    Më 20 gusht në Tetovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për zgjedhjen e këshillit komunal. Zgjedhjet u shpallën pasi këshilli paraprak nuk miratoi në kohë llogarinë vjetore të Komunës, gjë që sipas ligjit çon në shpërndarjen e këshillit dhe në zgjedhje të reja. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Sulmohet Policia e Kosovës në veri

    Lajmi i rradhës

    Kalaja e Shkupit e harruar nga institucionet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë