Tetovë, kërkohet të rritet siguria në shkolla

    Këshilli për Parandalim të Delikuencës së Fëmijëve ka mbajtur takimin e radhës në komunën e Tetovës ku ishin të pranishëm përfaqësues nga Sektori për Veprimtari Publike, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, si dhe përfaqësues nga këshilli komunal për mbrojtje Sociale.

    Sipas kreut të komunës së Tetovës Bilall Kasami, në këtë takim është diskutuar për sigurinë në shkolla dhe hapat që duhet të ndërmarrin të gjithë në drejtim të rritjes së sigurisë në shkolla dhe krijimit të një klime më pozitive.

    “Shkollat tona nuk janë thjesht institucione ku fëmijët mësojnë. Ato janë vendi ku formohen si individë dhe ku krijohet baza për një të ardhme më të mirë për komunitetin dhe për vendin tonë. Realitetet me të cilat përballen shkollat tona sot janë komplekse dhe të ndërlikuara. Lëndët narkotike, bullizmi dhe abuzimet janë plagë sociale që na prekin të gjithëve”, deklaroi Kasami.

    Më tej, ai është shprehur se me angazhimin e të gjithë mund të krijohet ambient i mirë arsimorë për të gjithë.

    “Si qytetarë të përgjegjshëm, është detyra jonë të veprojmë me vendosmëri dhe bashkëpunim për të garantuar një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë. Unë jam i bindur se me vendosmërinë tonë, me strategji të qarta dhe me bashkëpunim mes të gjitha palëve të përfshira, mund të krijojmë një sistem arsimor që jo vetëm edukon, por edhe siguron mirëqenien e nxënësve tanë”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

    Ndryshe, këshilli për parandalim të delikuencës së fëmijëve në bashkëpunim me këshillin lokal Rinor organizoi punëtorinë e parë me nxënësit e shkollave të mesme të qytetit me temë “Vetëdijesimi i të rinjve rreth ndikimit negativ të narkomanisë si faktor kriminogjen”.

    Me këtë rast, kryetarja e Këshillit për parandalim të delikuencës së fëmijëve, profesoresha Blerta Ahmedi e hapi punëtorinë me ligjëratë me temë rreth ndikimit të narkomanisë si faktor sociopatologjik i cili ndikon në nxitjen dhe paraqitjen e delikuencës së fëmijëve.

    Kryetarja e këshillit lokal rinor Elma Sherifi prezantoi para nxënësve këshilla lidhur shfrytëzimin kualitativ të kohës së lirë të të rinjve, përmes organizimit të aktivitete të ndryshme në mbështetje nga Këshilli rinor, në mundësinë për shfrytëzimin e hapësirave të Qendrës rinore të qytetit që ata të mund të shoqërohen dhe socializohen më shumë mes vete, gjë që do të kontribuonte si masë parandaluese që të rinj të mos drejtohen drejtë dukurisë së narkomanisë dhe dukurive të tjera devijante.

    Lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohet rinia në qytetin tonë kundrejt narkomanisë dhe pasojave që i sjell kjo dukuri, si të mbrohen të rinj nga imponimi i përdorimit të substancave narkotike dhe shmangja e tyre në çdo rast, për atë se çfarë presin të rinj nga Komuna dhe institucionet e tjera kompetente që ato të kenë jetë më kualitative të mbushur me aktivitete të lira edukative, sportive dhe argëtuese do të vazhdohet në punëtorinë e dytë e cila planifikohet të realizohet të fund të muajit”, njoftuan nga Këshilli për Parandalim të Delikuencës së fëmijëve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Tirana ecë para, Shkupi në vendnumëro!

    Lajmi i rradhës

    Çdo e teta grua në botë është përdhunuar para moshës madhore, UNICEF bën thirrje për rritjen e veprimit global kundër dhunës seksuale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë