Fshatrat e qetë, që kanë mbetur me fare pak banorë, kryesisht persona në moshë, janë ringjallur ditët e fundit. Mbërritja e mërgimtarëve për festat e fundvitit kanë mbushur shtëpitë me nipa e mbesa. E tillë ishte atmosfera edhe në disa fshatra në rajonin e Dervenit.
“Fshati Llërcë. Mbi 500 shtëpi por shumë pak të banuara. Banorët thonë se në këtë fshat afër gjysma e shtëpive rezultojnë me më pak njerëz apo vetëm pleq, sepse janë shumica mërgimtarë por këto ditë, këto shtëpi po ngrohen e po gjallërojnë. Banorët thonë se, nuk ka më mirë se kur kthehen mërgimtarët, si dikur kur shtëpitë ishin përplot”, njofton Bashkim Sulejmani, gazetar.
“Njëri djalë ka ardhur mbrëmë, u gëzuam pa masë. Mezi i kemi pritur të vijnë. Është gjallëruar fshati ka një javë që kanë nisur të vijnë mërgimtarët”, tha një banor.
“Kënaqësia është shumë e madhe, mezi i presim që të vijnë. Fshati shumë ka filluar të gjallërojë, menjëherë dallohet”,shtoi një banor.
“Momentalisht jemi pesë anëtarë, ndërsa 16 jemi krejt. Djemtë jashtë i kam, me fëmijë e me krejt. Nuk më kanë ardhur dhe nuk do vijnë. Janë në punë atje, vet kemi mbetur. Vet kam qenë mërgimtar 25 vite shumë keq është. Kemi mbetur ne, zonjën e kam të sëmurë vet s’jam mirë kështu. Po shumë mirë është kur vijnë, mbushet shtëpia lulëzon, gëzohemi shumë. Më tepër se gjysma fshatit janë në kurbet në rrugë. Shumica e shtëpive ka që janë edhe mbyllur”, shtoi një banor.
Gjallëria e shtuar ditëve të fundit po vërehet edhe në qytetin e Tetovës, e bashkë me këtë ka filluar paksa të gjallëroj edhe ekonomia e qytetit. /Alsat/