Tetovë, shtëpia e shëndetit nëpër qytet vaksinon me veturë luksoze

    Me makinë Opel Crossland Elegance 1,5 dizel, e blerë për 21 mijë euro, Shtëpia e shëndetit në Tetovë mbrohet nga Kovid 19. Autoritetet shëndetësore në Tetovë këtë makinë luksoze e kanë blerë në nëntor të vitit të kaluar ndërsa kontrata që e kanë lidhur me kompaninë nga Shkupi, siç e përmendin, është për furnizimin e një automjeti motorik për nevojat e tyre që të dalin nga gjendja e krizës me korona virusin. Më saktë, sipas tenderit, Shtëpia e shëndetit në Tetovë ka kërkuar automobil motorik për patronazh dhe vaksinim. Kompania që ka qenë ofertuese e vetme në tender i ka plotësuar kushtet, kështu që, makina Opel me të cilën punonjësit shëndetësor vaksinojnë nëpër Tetovë posedon ekran 8 inç, timon lëkure, sensor parkingu, bluetooth, ngjyrë metalik dhe gjashtë altoparlantë të instaluar nga prodhuesi.

    Kamera e Alsat sot para objektit të vjetër të Shtëpisë së shëndetit në Tetovë nuk e vërejti makinën. Tentuam të marrim përgjigje për çfarë qëllimi shërben makina, pse është zgjedhur modeli që kushton mbi 20 mijë euro dhe me çfarë sfidash ballafaqohen punonjësit dhe pacientët në Shtëpinë e shëndetit? Por, u.d drejtori Borisllav Jorgaqievski, nënshkrimi i të cilit qëndron në kontratë, vetëm na tha se do të na kontaktojë pasi të lirohet nga obligimet.

    Ministria e Shëndetësisë e cila e emëroi Jorgaqievskin drejtor, apelon që institucionet të reagojnë, duke shtuar se janë në dispozicion për bashkëpunim.

    “Procedurat për prokurimin publik për nevojat e institucioneve kryhen nga vetë institucionet shëndetësore publike, drejtuesit e institucioneve dhe komisionet e formuara për këtë kanë përgjegjësinë e duhur profesionale, penale dhe morale. Apelojmë tek institucionet kompetente që të hetojnë rastin dhe të konstatojnë nëse ka ndonjë keqpërdorim të mundshëm në procedurën e prokurimit publik”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska, thotë për Alsat se paratë mund të ishin përdorur në mënyrë më produktive. Sipas saj, është e palejueshme blerja e automjeteve luksoze me para publike.

    “Rasti i blerjes së automjetit luksoz gjatë pandemisë thjesht tregon shkallën e lakmisë së njerëzve, egoizmit të njerëzve dhe nevojën për abuzim. Kush çfarë automjeti dëshiron të ketë, le ta blejë për në shtëpi”, tha Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK.

    Për automjetin e blerë me para nga buxheti për përballje me koronavirusin, ka bërë të ditur së fundmi Qendra për Komunikime Civile, e cila në raportin e fundit për prokurimet publike gjatë pandemisë ka regjistruar një sërë problemesh dhe dyshimesh për korrupsion. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Biznesi vendor kërkon trajtimin e njëjtë me investitorët e huaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë