Thëngjilli zëvendëson Agjendën e Gjelbër në Maqedoninë e Veriut

    Kriza energjetike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë ka bërë që të rritet përdorimi i qymyrit dhe mazutit në Maqedoninë e Veriut për prodhimin e energjisë, edhe pse konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut. Ndërkohë, vendet e zhvilluara janë duke investuar në energjinë diellore, ashtu që deri në vitin 2030 plotësisht të jenë të pavarura nga gazi rus.

    Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të publikuara për muajin shkurt tregojnë se gjatë këtij viti Maqedonia e Veriut ka harxhuar rreth 100 mijë ton më shumë (gjithsej 403.441 tonelata thëngjill) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin harxhuar 313.117 tonelata thëngjill.

    Ekspertët e energjetikës thonë për Radion Evropa e Lirë se përdorimi i thëngjillit është shumë më i lartë në muajt në vijim, pas vënies në funksion të të gjitha kapaciteteve energjetike, me të cilat disponon vendi, ku thëngjilli mbetet opsioni i vetëm për të vënë në funksion termocentralet për prodhimin e energjisë elektrike.

    Sipas tyre, vendit i nevojiten projekte konkrete rreth sigurimit të energjisë pa e dëmtuar ambientin, kapacitete këto të cilat do të jenë në pronësi të shtetit që të mos jetë i varur nga investimet huaja.

    “Për prodhimin e energjisë elektrike vijnë për të investuar persona privatë, të cilët ndërtojnë kolektorë diellorë. Tashmë kanë ardhur dhe kompani private të huaja, që investojnë në mullinjtë me erë dhe vendosjen e paneleve diellore për prodhimin e energjisë. Më duhet të theksoj se Maqedonia e Veriut nga kjo nuk ka asnjë benefit (përfitim)”.

    “Pse them se nuk ka benefit ? Këto prodhues energjinë do ta shesin me çmimin që e definon bursa, e cila asnjëherë nuk do të kthehet në nivelin që ishte para fillimit të krizës energjetike dhe shteti, në këtë drejtim, në vend se vetë të investojë dhe përfitojë, këtë hapësirë ua mundëson të tjerëve”, thotë Konsadin Dimitrov, profesor i Energjetikës në Fakultetin e Makinerisë në Universitetin e Shkupit.

    Maqedonia e Veriut është pjesë e Agjendës së Gjelbër Perëndimore përmes së cilës deklaratë vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të aplikojnë masat për mbrojtje nga ndotja në përputhje me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian.

    Rajoni është zotuar të punojë drejt synimit për ta bërë kontinentin neutral ndaj karbonit deri më 2050, së bashku me Bashkimin Evropian, përmes politikave të rrepta klimatike dhe të reformimit të sektorëve të energjisë dhe transportit, thuhet në Deklaratën e Agjendës së Gjelbër të përkrahur nga zyrtarët e lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në nëntor të 2020-s në Sofje.

    Ndërkohë, Brukseli tashmë ka miratuar dhe një Plan Ekonomik Investues në vlerë prej 9 miliardë eurosh dedikuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të jenë në gjendje t’i jetësojnë masat që parasheh Agjenda e Gjelbër.

    Edhe partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut, të cilat u mbajtën në tetor të vitit të kaluar kryefjalë kishte realizmin e Agjendës së Gjelbër, zëvendësimin e prodhimit të energjisë elektrike përmes përdorimit të thëngjillit në termocentralet me vendosjen e fotovoltaikëve (paneleve diellore).

    “Gazifikimi dhe energjia e gjelbër, të dyja ndikojnë në cilësinë dhe rrjedhimisht në kohëzgjatjen e jetës sonë, shëndetin tonë mendor, parandalimin e katastrofave që do të kushtojnë shumë më tepër me jetë”, ishte ky premtimi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar.

    Nga kjo parti për Radion Evropa e Lirë tash thonë se brenda pak muajve është e vështirë të duken rezultatet ndonëse theksojnë se angazhimi i tyre për Agjendë të Gjelbër gjithnjë e më shumë tregon për vizionin e partisë rreth sfidave të kohës.

    Por ,aktivistët që në fokus kanë ambientin jetësor, thonë se Maqedonia e Veriut paraqet një dështim serioz për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtërishme.

    Arianit Xhaferi nga organizata joqeveritare Eco Guerila, thotë për Radion Evropa e Lirë, se masat që ka paraparë Qeveria për subvencionimin e amvisërive që do të shfrytëzojnë energjinë diellore, favorizon vetëm të pasurit pasi shumë pak familje kanë mundësi të bëjnë investime të këtij lloji.

    “Përderisa politika u mundëson më të pasurve dhe personave të afërt me pushtetin të prodhojnë energji elektrike përmes paneleve diellore, e cila si metodë kërkon investime të majme, nga ky projekt shkyçen personat që nuk kanë mundësi financiare për instalimin e të njëjtave, edhe pse shteti subvencionon me një sasi të caktuar. Prandaj, them se kjo strategji nuk implementohet me sukses, paraqet një dështim të autoriteteve të shtetit kryesisht të BDI-së pasi Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Mbrojtjes së Ambientit drejtohen nga kuadro të kësaj partie”, thotë Xhaferi.

    Nga ana tjetër, nga organizata ECO SVEST, thonë se në vrapin e ndarjeve të parcelave shtetërore për fotovoltaikë (panele diellore) për investitorët e huaj pothuajse nuk mbahet llogari që të ruhet toka pjellore bujqësore, e cila shndërrohet në tokë për vendosjen paneleve, duke shkaktuar dëm edhe më të madh.

    Lajmi Paraprak

    Edhe sa vite duhet të presin qytetarë për autostradën e re Kërçovë – Ohër?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë