TOKË KA, PUNËTORË JO!

    Edhe pse mbjelljet vjeshtore kanë kaluar fazën optimale sipas kalendarit bujqësor, kushtet klimatike të ditëve të fundit dhe temperaturat relativisht të favorshme po shfrytëzohen nga fermerët për të përfunduar procesin e mbjelljes.

    Agronomi Alirami Saliju vlerëson se gatishmëria dhe përkushtimi i fermerëve për të realizuar mbjelljet vjeshtore janë inkurajuese, pavarësisht vështirësive me të cilat janë përballur. Sipas tij, vonesat në mbjellje janë kryesisht pasojë e sasisë së madhe të reshjeve, të cilat kanë rritur lagështinë e tokës dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë për të kryer punimet bujqësore në kohë, veçanërisht në rajonin e Pollogut dhe më gjerë.

    “Fermerët janë gjendur në një situatë të palakmueshme, pasi fillimisht nuk kanë mundur të kryejnë vjeljen e misrit si kulturë pranverore, për të liruar sipërfaqet për mbjelljen e grurit. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se vonesa në mbjellje do të reflektohet domosdoshmërisht në prodhimtarinë finale të grurit”, shpjegon Saliju.

    Ai thekson se, ndonëse ekzistojnë afate kalendarike për mbjelljen e kulturave bujqësore, veçanërisht atyre vjeshtore, është më e rëndësishme që mbjellja të kryhet në momentin kur kushtet klimatike dhe tokësore e mundësojnë realisht këtë proces.

    “Është më mirë që një kulturë bujqësore të mbillet në kushte reale të favorshme, sesa të ndiqet verbërisht afati kalendarik. Situata në terren tregon se sipërfaqet e mbjellura në kushte të përshtatshme po shfaqin zhvillim më të mirë të bimës së grurit. Prandaj, këto vonesa nuk besoj se do të ndikojnë negativisht në rendimentin përfundimtar”, deklaron Saliju.

    Agronomi Saliju foli gjithashtu për arsyet pse shumë sipërfaqe të tokave bujqësore mbeten të papunuara ose kthehen në djerrina, duke theksuar se bëhet fjalë për një kombinim faktorësh ekonomikë dhe socialë. “Për fat të keq, shumë sipërfaqe që shohim të pambjellura, sidomos vitet e fundit, janë rezultat i çmimeve të ulëtatë prodhimeve bujqësore, shpenzimeve të larta të prodhimit dhe, mbi të gjitha, mungesës së fuqisë punëtore”, thekson ai.

    Sipas Salijut, një shembull i qartë i kësaj situate është zhdukja pothuajse e plotë e kultivimit tradicional të misrit me fasule në rajonin e Pollogut.

    “Sot vështirë se mund të gjejmë sipërfaqe të mbjellura me këtë formë tradicionale të kultivimit. Arsyeja kryesore është mungesa e mekanizimit për vjeljen e fasules, e cila kërkon shumë fuqi punëtore. Kjo fuqi sot mungon, ndërkohë që edhe kushtet klimatike të viteve të fundit kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e sipërfaqeve të përgjithshme bujqësore, e veçanërisht të fasules”, përfundon agronomi Alirami Saliju. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë dihet deri tani për aferat e korrupsionit milionësh në Maqedoninë e Veriut?

    Lajmi i rradhës

    Gjykata vendos në favor të punonjësve: ministria i ka bërë llogaritë gabim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë