Toshkovski konfirmoi se është arrestuar Fehmi Stafa, ish-avokat i shtetit

    Ish-Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Fehmi Stafa, u arrestua dje nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), me urdhër të një gjyqtari paraprak, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, përcjell Nistori.

    Këtë e konfirmoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas hapjes së stacionit të rindërtuar të policisë në Butel.

    “Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me urdhër të një gjyqtari paraprak, ndërmori veprime brenda juridiksionit të saj, me ç’rast personi që përmendët u ndalua nga MPB-ja”, deklaroi Toshkovski.

    Ministri theksoi se më shumë detaje rreth rastit do të bëhen publike së shpejti, duke nënvizuar se shërbimet kompetente po veprojnë sipas udhëzimeve të Prokurorisë Publike.

    “Gjatë ditës së sotme po veprojmë në bashkëpunim me Prokurorinë Publike dhe duke ndjekur udhëzimet e saj, ndaj në këtë moment nuk mund të jap më shumë detaje lidhur me rastin. Informacionet do të publikohen së shpejti nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike”, shtoi Toshkovski.

    Ai theksoi se veprimi i përbashkët i MPB-së dhe Prokurorisë Publike dëshmon se është i mundur një funksionim ndryshe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndryshe nga praktikat e shpeshta të së kaluarës.

    Fehmi Stafa ka ushtruar funksionin e Prokurorit të Shtetit nga gushti i vitit 2018 deri në shkarkimin e tij më 23 gusht 2022.

    Institucioni i Prokurorisë së Shtetit, drejtuesi i së cilës emërohet nga Qeveria, është përgjegjës për mbrojtjen e pronës, si dhe të drejtave dhe interesave të tjera të shtetit.

    Pas shkarkimit, Fehmi Stafa ka ushtruar profesionin e avokatit dhe është një nga kandidatët e regjistruar në shpalljen e fundit publike për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Lani rrobat në këtë cikël nëse nuk dëshironi që t’ju hiqet ngjyra

    Lajmi i rradhës

    Princi i Arabisë Saudite gati 10 miliardë euro për ta blerë Barcelonën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë